Deqani-ks
Deqani-ks Forum - Welcome

Mire se vini ne Deqani-ks Forum, Ju ftojme qe te Regjistroheni, ne menyre qe te keni aksese ne te gjitha kategorit dhe temat, ne Deqani-ks Forum, mund te gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe te huaj, Muziken me te re 2011, DVD Humore shqip, Keshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet me te reja nga vendi dhe bota.

LekË GojÇaj Dhe Libri “shtatoret E PËrjetËsisË” (shba, 20090

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

LekË GojÇaj Dhe Libri “shtatoret E PËrjetËsisË” (shba, 20090

Mesazh nga Shooter-Ks prej Tue Jul 13, 2010 6:02 am

LekË GojÇaj Dhe Libri “shtatoret E PËrjetËsisË” (shba, 2009)
avatar
Shooter-Ks
Legjend
Legjend

Numri i postimeve : 5077
PIKE : 6303
Popullariteti Popullariteti : 41
Data e regjistrimit : 11/06/2010
Mosha : 21

http://www.deqani-ks.all-up.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: LekË GojÇaj Dhe Libri “shtatoret E PËrjetËsisË” (shba, 20090

Mesazh nga Shooter-Ks prej Tue Jul 13, 2010 6:02 am

Anton Gojçaj

Libri në fjalë mund të radhitet në literaturën autobiografike, me elemente të historisë familjare. Ai përmban nëntë kapituj me tekst të shkruar dhe një foto-album në fund, që së bashku formojnë një dekalog të llojit të vet. Libri hapet me kapitullin “I mahnitur pas madhështisë së shpirtit të Nënë Terezës”, ku autori rrëfen për zanafillën e idesë së vendosjes së shtatoreve të shenjtëreshës shqiptare dhe pastaj realizimin fazë pas faze të saj. Secila shtatore e Nënës Terezë e ka historinë e vet, veçantinë e simbolikën e vet. Autori flet me sigurinë e një misionari idealist, i bindur në kuptimin dhe rëndësinë e veprimit të vet. Mahnitja e tij me figurën e Nënës Terezë, siç shprehet autori, zuri fill në vitin 1979, kur asaj iu nda Çmimi Nobel për Paqe. Derisa, pra, e gjithë bota shkonte në një kahje, duke grumbulluar pasuri materiale vetëm për veten, Gonxhja zgjodhi kahjen tjetër, ajo u nis kah skamja ekstreme.

Ky veprim i Nënës Terezë, që mund ta quajmë sfidë gjeniale, apo frymëzim hyjnor, si dhe respekti që zgjoi pastaj anembanë botës, i tronditi në kuptimin pozitiv vëllezërit Gojçaj dhe ata ia vunë vetes për detyrë që derisa ajo mendonte dhe punonte për të tjerët, këta vetë të bëjnë diçka për të. Projekti i vendosjes së shtatoreve të Nënës Tereze nëpër vende të ndryshme: në Tuz, në Prishtinë, Mitrovicë, Klinë, Strugë, Nju Jork, Detroit, përngjan me mbjelljen e një luleje – një gonxheje transcendentale dhe është si një udhërrëfyes për njerëzit e epokës sonë kaq materialiste, duke treguar se ka edhe një rrugë që shkon në një drejtim krejtësisht tjetër dhe që megjithatë çon në realizimin e brendshëm që manifestohet në një buzëqeshje çfarë ishte ajo e Nënës Terezë.
Nëna Terezë përballë sistemit të vlerave që maten me pasuri materiale dhe me atë se sa njerëz punojnë për ty, vendosi sistemin e vlerave shpirtërore, të bamirësisë, të dashurisë, të flijimit të jetës së vet për të tjerët… Dhe në rastin e saj, materializmi u mund nga idealizmi, bota u përkul para forcës dhe besimit të një gruaje që s’kishte asnjë pasuri tjetër veç teshat e trupit, një kryq modest te krahët dhe dy duar që luteshin shumë por punonin edhe më shumë … Ideja e vëllezërve Gojçaj që skulpturën e Nënës Terezë ta punojnë së bashku tre skulptorë nga tri fetë kryesore shqiptare, nuk duhet parë veç si frymëzim të çastit të dy bamirësve atdhetarë, por kjo paraqet njëkohësisht një projekt simbolik të një modeli subtil kulturor e civilizues, që duhet pasur para sysh secili në nivelin personal, familjar, regjional, nacional e internacional dhe përfaqëson njërën ndër porositë themelore të librit por edhe të veprimtarisë filantropike dhe filozofisë jetësore të vëllezërve Lekë e Pashko Gojçaj.

Librit nuk i është dhënë rastësisht titulli “Shtatoret e përjetësisë” (botuar në SHBA, 2009) dhe ky kapitull nuk është rastësisht kapitulli hyrës në libër. Popujt që në sheshet e veta u ngrehin përmendore profetëve të paqes dhe atyre u kushtojnë libra janë popuj që shikojnë përpara. Kapitulli i dytë i kushtohet Gjon Palit II, bashkëkohësit, bashkëpunëtorit dhe mikut të Nënës Terezë. Këto dy figura i dhanë aq shumë kishës katolike në botë, e bënë të respektuar për kritikët dhe besimtarët, e bënë të afërt dhe joshëse për të rinjtë. Të dy këto figura luajtën rol pozitiv për çështjet shqiptare, si për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri, ashtu edhe për afirmimin e përpjekjeve të shqiptarëve të Kosovës në rrugën e tyre drejt lirisë. Një kapitull të librit Lekë Gojçaj ia dedikon kujtimit të miqësisë së vet me ish – presidentin e Kosovës, dr Ibrahim Rugovën.

Pas Nënës Terezë, Leka sikur më së shumti e nderon, pse jo edhe e adhuron, udhëheqësin e lëvizjes paqësore të popullit kosovar. Është i bindur, këtë e thekson disa herë në libër, se edhe Rugova ishte – I dërguari i Zotit për t’i prirë popullit të vet në rrugën e lirisë. Respekti që autori ka për Rugovën del nga çdo fjali, miqësia e sinqertë mes tyre vuloset me amanetin e Rugovës që ta varrosin në arkivolin, arkmortin, që për të do e blejnë vëllezërit Gojçaj. Dhe megjithëse kjo që do them tani do të kumbojë si një fantazi e tepruar dhe ndoshta pa sens, nuk mund t’e kapërcej një koincidencë që e trondit dhe e pështjellon edhe një mendje shumë racionale. Në librin e vet Lekë Gojçaj shkruan, se pasi e vendosën shtatoren e Nënës Terezë në Prishtinë, Ibrahim Rugova ia zbuloi Lekës në konfidencë se pikërisht aty ku tani shenjtëresha kishte fituar vendin e vet, ai, Ibrahimi pra, ditën e parë kur erdhi për studime në Prishtinë, i vetmuar e i varfër, fjeti jashtë në një bankë që gjendej pikërisht në atë vend. Çfarë loje e jashtëzakonshme e fateve njerëzore, apo ndoshta edhe nuk ishte vetëm lojë e rastësi. Botës (pra edhe popullit shqiptar) i është dashur një Nënë Terezë dhe ajo u paraqit në mesin tonë. Popullit të Kosovës iu desh një prijës paqësor dhe ai u mishërua në Rugovën.

E pastaj vijnë dy vëllezër nga Malësia dhe bëjnë një koneksion të këtyre dy personaliteteve të jashtëzakonshme. Një koincidencë tjetër është po aq tronditëse: edhe Gonxhe Bojaxhiu, edhe Ibrahim Rugova, por edhe Lekë (e Pashko) Gojçaj në moshë shumë të njomë e humbën babain, mbetën jetimë… Veç kësaj të gjithë lindën jashtë kufijve të shtetit amë. Si në ungjill, ku Maria detyrohet që birin e vet ta lindë larg Jeruzalemit… Nuk është gjithmonë e lehtë t’i ndash jetën dhe përrallën, nganjëherë ata kufij shlyhen dhe ti e sheh se në botë ndodhin disa gjëra të pashpjegueshme.E nëse pas gjithë kësaj themi se libri mban si nëntitull “Jeta e familjes Gojçaj mes Malësisë dhe Amerikës”, dikush mund të pyesë: a mos Nëna Terezë dhe Ibrahim Rugova ishin edhe ata Gojçaj? Jo, ata nuk ishin Gojçaj, por u bënë pjesë e kësaj familjeje, natyrisht secili në mënyrën e vet.
Lekë Gojçaj që në fillim thotë: “Kurrë një herë nuk e kam takuar në të gjallë të saj, e kam adhuruar nga larg!” Por fryma e saj, figura e saj, e pushtoi këtë familje dhe ata këtë jo që nuk e fshehin por vazhdojnë ta përhapin te populli i vet dhe më gjerë. Ky është shndërruar në pasionin e jetës së tyre. Ndërkaq Rugova ishte mik i ngushtë, sa që këta e konsideronin si një njeri të familjes së vet. Ndoshta, një psikanalist, do të kishte zbuluar këtu se Rugova për Lekën ishte zëvendësimi i babait të cilin e humbi ende pa i mbushur shtatë vjet. Në fakt, drejtpërdrejt për familjen e vet, Autori fillon të flasë veç në kapitullin e katërt, diku pas 160 faqesh. Shikoni, edhe kur shkruan historinë e familjes së vet, Lekë Gojçaj së pari shkruan për të tjerët, kjo është më tepër se një modesti, ky është një model kulturor i vërtetë. Qartë që kjo pjesë është më emocionuesja, më subjektivja, sepse pavarësisht nga adhurimi ekstrem që mund të ketë dikush për dikënd jashtë familjes, lidhjet familjare janë më delikatet, më stresantet, me pasojat më të mëdha pozitive e negative në jetën psikologjike dhe emocionale. Kushdo që ta lexojë këtë kapitull, do të marr informacione të besueshme e shpesh edhe të dhimbshme, lidhur me gjenealogjinë dhe historinë fisnike të familjes Gojçaj, sidomos të “barkut” të Lulash Hasit, por edhe për realitetin jetësor në Malësi para e sidomos pas Luftës II Botërore. Janë këto rrëfime të sinqerta, me shumë informacione me interes, që nuk i gjen të gjitha në shtypin dhe librat e kohës. Përpjekjen e Lekë Gojçajt dhe disa autorëve të tjerë malësorë, që vërtet nuk janë shkolluar nëpër institucione, por të cilët janë “akademikë të shkollës së jetës”, e kuptoj si një sprovë për ta mbushur zbrazëtinë e dokumenteve, për ta korrigjuar historinë zyrtare që shkruhet nëpër kabinete dhe për fat të keq shpesh dirigjohet nga intereset politike të kësaj apo asaj pale. Lekë Gojçaj me kujtimet e veta, do të përcjell një mesazh, një porosi, e cila e sfidon atë që është mësuar nëpër shkollat tona. Ai provon dhe kisha thënë ia del që ta japë realitetin politiko-shoqëror në Malësi, sidomos në shekullin XX. Gjithashtu ai përshkruan, me shumë energji edhe për jetën e mërgimtarëve tanë në SHBA.

Lexuesi ka për ta njohur edhe si polemist të zjarrtë Lekë Gojçajn në këtë libër. Nëse dikush njerëzit i çmon sipas asaj popullores “më trego se me kë rri, e të tregoj se kush je”, mjafton veç një shfletim, pa pasur nevojë ta lexojë fare librin, për të krijuar parafytyrimin se me kë kemi të bëjmë, sepse autori del në fotografi me: Ibrahim Rugovën, Sali Berishën, Ismail Kadarenë, Bill Clintonin, imzot Mark Sopin, imzot Rrok Mirditën, Eliot Engelin, monsinjor Dodë Gjergjin, kongresisten Sue Kelli, ambasadorin William Walker, dom Lush Gjergjin etj. etj. Ativitetet filantropike të vëllezërve Gojçaj kanë qenë gjithmonë në fokusin e gazetarëve dhe mediave të shumta shqiptare e të huaja. Janë rreth 30 shkrime, artikuj që sjell libri, të cilët i kanë shkruar të tjerët, pra gazetarë dhe autorë të ndryshëm në mediat e shtypura, në SHBA, Kosovë, Malin e Zi, Shqipëri…, për jetën dhe aktivitetet e familjes Gojçaj.
Kapitulli i fundit është më “familjari” në kuptimin e ngushtë të fjalës, sepse aty mbizotërojnë fotografi të anëtarëve të familjes së ngushtë dhe pak më të gjerë Gojçaj. I gjendur në një përzierje të panumërt racash, kombesh, fesh, origjinash, në SHBA, e duke dashur ta ruajë identitetin e vet njerëzor, kombëtar, fetar e kulturor, Lekë Gojçaj si referenca të forta orientuese i ka Gjergj Kastriotin, Nënën Terezë, e së fundi edhe Ibrahim Rugovën. Vërtet, të moçmit kanë pas thënë: “guri randë peshon në vend të vet”... Kjo vlen për gurët e thjeshtë, të zakonshëm, por kurrsesi kur janë në pyetje gurët e çmuar, sepse ata në vendet e zhvilluara jo vetëm që nuk humbin në peshë, por edhe vlera e tyre shumëfishohet. Lekë dhe Pashko Gojçaj janë dy gurë të tillë, të çmuar.
avatar
Shooter-Ks
Legjend
Legjend

Numri i postimeve : 5077
PIKE : 6303
Popullariteti Popullariteti : 41
Data e regjistrimit : 11/06/2010
Mosha : 21

http://www.deqani-ks.all-up.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: LekË GojÇaj Dhe Libri “shtatoret E PËrjetËsisË” (shba, 20090

Mesazh nga Shooter-Ks prej Tue Jul 13, 2010 6:03 am

“ Filantropia “ e Gojçajve
01 December, 2009 09 .

Pjeter JAKU
Para disa ditësh m’u dha rasti të lexoja një shkrim të poetit dhe studiuesit te ri Anton Gojçaj, me titullin “Filantropia si mision jetësor…”
Shkrimi bëhëj për një botim të ri, me autor Lekë Gojçaj, një biznesmen që jeton e punon prej vitesh në Amerikë.
Sigurisht që Antoni është i afërt me Lekën, të paktën nga mbiemri. Që Leka të merrej edhe me shkrime, nuk e kisha ditur, edhe pse kam me shumë se dhjetë vjet në Amerikë. Që është aktivist në komunitetin shqiptar të Amerikës, e di, pasi më ka takuar rasti, që në disa demostrata ( sidomos të viteve të fundit ta shoh), të lexoj për të, lidhur me ndihmën e dhënë për ndërtimin e Katedrales në Prishtinë, por jo për ndonjë bamirësi të tij, të cilen autori i shkrimit e shpreh që në titull.
Filantropi, në të gjitha gjuhët e botës ( edhe ne fjalorin e gjuhes shqipe) përkthehet vetëm si bamirësi. Edhe fjalori i Oxfordit kështu e shpjegonte këtë fjalë.
Për filantropinë e Lekës dhe vëllait të tij, Pashku, nuk kisha dëgjuar më parë se të lexoja shkrimin e Antonit, i cili, thënë qartë, këtë aspekt nuk e shpjegonte.

A lidhet përmbajtja me titullin e librit dhe sa përligjet titulli?

Edhe pa e lexuar librin ende, por nisur nga shkrimi i mësipërm, krijohet një farë përfytyrimi lidhur me të. “Shtatoret e përjetësisë” është titulli, por në fakt pjesën dominuese të librit e bëjnë edhe personazhe të tjerë, aq sa autori i shkrimit arrin ta barazojë Lekën me Nënë Terezën, me Ibrahim Rugovën, indirekt me Faik Konicen?!
“Një koincidencë tjetër është po aq tronditëse: edhe Gonxhe Bojaxhiu, edhe Ibrahim Rugova, por edhe Lekë (e Pashko) Gojçaj në moshë shumë të njomë e humbën babain, mbetën jetimë… Veç kësaj të gjithë lindën jashtë kufijve të shtetit amë. Si në ungjill, ku Maria detyrohet që birin e vet ta lindë larg Jeruzalemit… “ ( A.G. )
Edhe t’i pyesësh Lekë e Pashko Gojçajn sot, besoj se nuk do të ishin dakort të radhiteshin me këta dy emra, sepse të vendosësh emrin tënd pranë tyre, do të thotë të kesh sadopak dhunti, që i kishin dhe Ata, të kesh sadopak emër, që e kanë dhe Ata, të kesh , sadopak vepër, siç e kanë edhe Ata. Dhe, këto dhunti i kanë vetëm njerëz të rrallë, siç ishte Nënë Tereza, aq më tepër kur autorët deklarojnë, pa të keq, se nuk e kanë takuar kurrë Nënën Terezë. Ata na qenkan mahnitur vetëm kur Nënë Tereza u bë nobeliste.
Nënë Tereza njihej edhe para se të mirrte çmimin Nobël. Pse duhej pritur, që vetëm, pasi të merrte çmimin ta vlerësonin? Veprimtaria e saj në dobi të njerëzimit ishte e kahvitshme dhe, mundësia për ta njohur, po aq. Nënë Tereza ka ardhur në Amerikë, ku është takuar dhe pritur nga shqiptarë. A duhet t’i nderojmë shqiptarët me kusht; vetëm kur të vlerësohen me çmime!? Po sikur Nënë Tereza të mos e merrte atë çmim?!
A ka të bëjë filantropia në këtë rast? Nënë Tereza ndihmoi gjithë të varfërit e botës, hapi institucione bamirësie e nuk u vlerësua kurrë filantropiste, sepse nuk do ta pranonte një klasifikim të tillë. Ajo ndihmonte të varfërit, por me paratë e të pasurve. Pikërisht këtu është ndryshimi. Lekë dhe Pashko Gojçaj janë klasifikuar si të pasur, si biznesmenë të suksesshëm, por asnjëherë si filantropistë, si bamirës ose sponsorë të ndonjë vepre bamirësie.
Nënë Tereza dhe misioni i Saj, sot e kësaj dite, nuk kanë nevojë për shtatore, kanë nevojë për para, kane nevojë për institucione bamirësie. Kështu Lekë dhe Pashko Gojçaj, mendoj se do të kishin bërë më mirë të kishin ndërtuar një shtëpi fëmijësh, një qendër pleqsh ose të pamundurish e t’i kishn vënë emrin e Nënë Terezes, emrin e Ibrahim Rugoves, pse jo dhe emrat e tyre?
Kjo do të ishte bamirësia, të cilës ia kushtoi jetën Nënë Tereza dhe që do ta donte e pranonte prej gjithëkujt!
Edhe sot, në tërë rruzullin tokësor, filantropist njihen vetëm dy emra e ata janë
Bill Gates dhe Warren Edward Buffettt, të cilët kanë vënë miliarda dollarë për të varfërit. Misioni i Nënë Terezës ka qënë i shenjtë, pikërisht pse ndërgjegjësoi këtë klasë të ndihmonte finnaciarisht qëllimin e saj të shenjtë, në ndihmë të njerëzve të pamundur dhe, që vuanin nga sëmundje të ndryshme.
Eshtë e papërligjur dhe tepër vetëmburrëse pyetja retorike e autorit të shkrimit: A mos Nënë Tereza dhe Ibrahim Rugova ishin dhe ata Gojçaj? Pikërisht këtu, edhe pse ndoshta s’ka qënë qëllimi i autorëve, ka një tingëllim jo të mirë në lidhje me librin, thua se ai të jetë shkruar vetëm për këtë! Nënë Tereza ishte pjesë jo vetëm e familjes Gojçaj, por e miliona familjeve, që e kishin prekur ndihmen e saj, në mbarë botën. Ndërsa, Dr. Rugova ishte bërë vërtet pjesë e mijëra familjeve shqiptare, ashtu si i ndjeri Rugova, kishte pjesën e vet edhe në familjen Gojçaj.
Rugova ishte më i ri se Leka. Rugova ishte një përsonalitet i padiskutueshëm edhe i letrave shqipe, jo vetëm politikan dhe aktivist kombëtar, ndaj dhe vetë Leka, s’ka si e pranon barazimin me një përsonalitet si Ai, pasi do të ishte e papërligjshme! Po ashtu e papërligjshme është edhe thënia e autorut të shkrimit: “ Rugova për Lekën ishte zëvendësimi i babait, të cilin e humbi ende pa i mbushur shtatë vjet”. ( A.G.)
Edhe pse autori i cilëson disa malësorë si “ akademikë të shkollës së jetës”, ata kurrësesi nuk mund të korigjojnë institucionet dhe akademitë, sepse forca dhe mendja e tyre nuk mund të shkojë deri atje.Për sa u takon dirigjimeve politike në histori, autori ka të drejtë, po ashtu edhe anës dokumentare.
Sa i takon një ane tjetër të librit, e cila nuk shpjegohet nga autori i shkrimit, është vlerësimi i Lekës si polemist i zjarrtë: “ Lexuesi ka për ta njohur edhe
si polemist të zjarrtë Lekë Gojçajn në këtë libër”. ( A.G.)
Mua, të paktën, nuk më ka rastisur ta njoh Lekën si të tillë, ndaj, për të siguruar veten në këtë fushë, vizitova emrin e tij në google dhe nuk gjeta askund ndonjë polemikë të Lekës, por nuk gjeta as ndonjë aktivitet filantropik të tij, siç shprehet autori në përfundim të shkrimit: “Aktivitetet filantropike të vëllezërve Gojçaj kanë qenë gjithmonë në fokusin e gazetarëve…” ( A.G. )
Sa i përket amanetit për arkivolin, mua më duket diçka e pabesueshme, pasi askush nuk do ta donte vdekjen, le më ta porosiste atë. Të porosisësh arkivolin, do të thotë të porosisësh vdekjen! Pastaj, pse do te tretej Rugova në arkivol amerikan, kur Kosova kishte mjaft drurë që vlenin për një arkivol?
A, që Leka dhe Pashku kanë fotografi me përsonalitete, është e besueshme. Por, unë di në Detroit me dhjetra e dhjetra malësorë të tillë, që në shtëpitë e tyre do t’i gjesh krah Presidentit Klinton, Dr. Rugovës, Dr. Bersihes, Kadaresë, Clarkut etj, etj…
Edhe rasti i të fjeturit jashtë të Rugoves, pikërisht në vendin ku u vendos shtatorja e Nënë Terezes, për mendimin tim nuk është për t’u përmendur, edhe nëse në të vërtetë ka ndodhur.
Me leximin e librit, ndoshta do të kem mendime të tjera. Pa diskutim, çdo libër i botuar, sidomos kur ka të bëjë me eksperinca të tilla, e ka rëndësinë e tij dhe duhet përshëndetur.
avatar
Shooter-Ks
Legjend
Legjend

Numri i postimeve : 5077
PIKE : 6303
Popullariteti Popullariteti : 41
Data e regjistrimit : 11/06/2010
Mosha : 21

http://www.deqani-ks.all-up.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: LekË GojÇaj Dhe Libri “shtatoret E PËrjetËsisË” (shba, 20090

Mesazh nga Shooter-Ks prej Tue Jul 13, 2010 6:03 am

Ndarja e qimes

Shkruar nga Anton Gojçaj

Në artikullin tim, të cilin ti e “shoshit”, emri yt, Pjetër Jaku, nuk përmendet fare (!).Nga përmbajtja del se objekt i reagimit nuk është libri “Shtatoret e përjetësisë” por shkrimi im për atë libër (!!). Rrallë ndodh që dikush të reagojë ndaj një recensioni gazetaresk, zakonisht shkruhet një vështrim tjetër, ku artikulohen pikëpamje dhe kritere të tjera për atë libër. Thash se kjo ndodh rrallë, por ja që ndodh! Por as kam parë, as kam dëgjuar, që dikush të reagojë ndaj një recensioni (prezantimi) gazetaresk mbi një libër të cilin vetë as nuk e ka lexuar, siç bëre ti në këtë rast (!!!). Dhe as pas dy-tri leximesh nuk arrita ta kuptoj se ç’të pezmatoi, as pse mu vërsule ashtu!?

Shkrimet e publikuara në media nganjëherë zgjojnë edhe mendime të kundërta e reagime. Mendova, hajt të shoh se ku ia turbullova ujin këtij “ujku të vjetër” të letrave, i cili me sy shqiponje në morinë e mediave të shtypura e elektronike, që nga Amerika e largët, e piketoi një shkrim modest, në një gazetë në periferi të trevave shqipfolëse dhe vendosi të më japë një leksion, falas, duke më qortuar me hijen e rëndë prej mentori, ose thënë shkurt - duke më ulur në tokë, sepse – dikujt po ia ndotkam ozonin. E lexova me kujdes, për të parë ku kam rrëshqitur, ngase nuk vuaj nga sindroma e të pagabueshmit dhe i relaksuar, për arsye se gjithçka që kam shkruar, e kam bërë me një qëllim të mirë. Por thonë se - edhe rruga për në Ferr është e shtruar nga qëllimet e mira. Reagimin e lexova, por mesazhin s’e kuptova. Fillon me një “zbulim detektivi”, se duke u nisur “të paktën nga mbiemri” i njëjtë, duhet të jem farefis me autorin e librit. Të të kursej nga “hetimet” (dhe shpenzimet eventuale) e panevojshme, po të tregoj “në besë” se Lekën e kam kushëri – në të pestin brez. Është ky një gabim, apo faj? Nëse po, është jashtë mundësive të mia për të ndryshuar diçka, sepse farefisin nuk e zgjedh njeri… E të mos mendosh se s’të mora vesh: kam botuar mjaft recensione dhe vështrime për libra të autorëve nga Mali i Zi, Kosova, Shqipëria etj., dhe mendoj se më falet nëse një herë, a dy, shkruaj edhe për dikë Gojçaj. Disa libra i gjen lexuesi (ose resensenti), e disa libra e gjejnë lexuesin…

Si një supervizor i përkushtuar në monitorimin e ekzaktësisë terminologjike, ti i bën një analizë prej eruditi dhe linguisti fjalës “filantropi”, (shqip e anglisht - dhe në të gjitha gjuhët e botës), duke iu referuar me elegancë dhe kulturë edhe fjalorit të Oxfordit… Tamam siç u ka hije të mëdhenjve! Përfundimi ishte se filantropia mund të përkthehet vetëm si - bamirësi. Veç nuk më kujtohet ta kem thënë unë të kundërtën, as në artikullin që sulmon ti, e as diku tjetër. Të ndihmosh ndërtimin e Katedrales në Prishtinë nuk qenka një akt bamirësie? Mos është një vepër e keqe kjo? As e mirë, as e keqe? E njëjta pyetje vlen edhe për shtatoret e Nënës Tereze… Në librin “Shqiptarët e Amerikës” të Vehbi Bajramit (New York, 2003), Lekë dhe Pashko Gojçajt u kushtohen 6 faqe të plota. Ndër të tjera, në faqet 437-438, shkruan: “Portreti prej bamirësi i këtyre dy vëllezërve ka dhe dimensione të tjera. Ata kanë ndihmuar edhe të vobektit në vendlindje, ndërtimin e shkollave e rrugëve në Malësi, si dhe refugjatët e Kosovës që i strehuan në shtëpinë e tyre të bukur në Hot, kur populli martir u dëbua më 1999. Për të gjithë shqiptarët e dëbuar, që u vendosën në Malësi, për një muaj hoqën për ta gjithë shpenzimet e bukës. Ata materialisht mbështetën shoqatat e komunitetit, kongresistët e senatorët që kanë ngritur zërin për Kosovën në fushatat e tyre elektorale e kështu me radhë.” Po ta kishe lexuar librin do të kishe parë se për ta dhe veprimtarinë e tyre kanë informuar jo pak media të shkruara e elektronike. Por ja që ti së pari reagon ndaj recensioneve, e pastaj (ndoshta, dikur) i lexon edhe librat. Lexo, pastaj kritiko, Pjetër!

I frymëzuar prej teje, iu futa edhe unë pak fjalorëve që pata dhe internetit. Pashë se filantropia nuk shpjegohet gjithkund e gjithmonë njësoj, madje ka edhe shpjegime diametralisht të kundërta. P.sh. në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, botuar nga “Rilindja” e Prishtinës më 1981, f. 470 (që është ribotim i Fjalorit të Tiranës të vitit 1980), një shpjegim (i dyti) i fjalës filantropi është: – “mirëbërësi borgjeze që ul e poshtëron dinjitetin e njeriut”. Ndërkaq, në “Leksikonin e fjalëve të huaja”, Beograd 1980, f. 965, të autorit Milan Vujaklija, shkruan (serbisht) se filantropia është “dashuri ndaj njeriut, dashuri ndaj të afërmve.”, kurse për filantropin thuhet se në veprimtarinë e vet nxitet nga “dashuria ndaj të afërmve” Në internet, në gjuhën gjermane, gjeta sqarimin se filantropi quhet gatishmëria altruiste për të bërë diçka për njerëzit e tjerë pa pritur favore apo përfitime personale. Ndërsa në një faqe kroatisht u informova se domethënia e fjalës filantropi ndryshon në kohë dhe se sot mbizotëron mendimi se “filantropia është veprimtari për të mirën e përgjithshme”. Ti mendon ndryshe, Pjetër? Mirë, punë për ty, por, aman, lëri ata që mendojnë ndryshe, të shkruajnë ndryshe! Më kujtohet se edhe në një shtet të vogël komunist në Ballkan, një gjysmë shekulli më parë, njerëzit që ndihmonin kishat nuk shikoheshin si bëmirës…, mendësi që përputhet me ato që shkruan në reagimin tend.

I paskam krahasuar vëllezërit Gojçaj me Gonxhe Bojaxhiun dhe Ibrahim Rugovën, duke thënë se të gjithë ata kanë qenë jetimë dhe kanë lindur jashtë shtetit amë… E saktë, por përsëri nuk e kuptoj ku është gabimi? Nga ana faktografike kjo është e vërtetë, apo ndoshta ti, Pjetër Jaku, ke të dhëna tjera? Mos ndoshta do të thuash se i paskam fyer figurat e nderuara duke i krahasuar (me konstatimin se të gjithë ishin jetimë dhe kishin lindur jashtë shtetit amë) Lekën e Pashkun me ta? Ma merr mendja se ka më të thirrur për t’i mbrojtur këto figura të mëdha, sesa që je ti, e sidomos t’i mbrosh prej atyre që nuk i sulmojnë.

Jo fort kaherë, në një vend të vogël ballkanik, shkrimtarët (dhe gazetarët) burgoseshin, ndonjëri edhe ekzekutohej për ato që kishte shkruar. Në shënimin (e redaksisë) në fund të reagimit, pashë se ti qenke botues, d.m.th. edhe vetë njeri i letrave. Shpresoj se nuk ke nostalgji për ato kohë. Thua se Nëna Tereze dhe misioni i saj nuk kanë nevojë për shtatore, por për para (ah, kjo paraja!) dhe për institucione bamirësie… Pjetër, Pjetër… Promovimi i shtatores së personit që është “sinonim i bamirësisë”, vërtet nuk ua mbush barkun të uriturve, por ekziston edhe diçka që e quajnë model veprimtarie. Njerëzit kanë nevojë për para, vërtet, por edhe për figura të dinjitetshme identifikimi, për ideale të virtytshme, për udhërrëfyes – sidomos kur humbet busulla. Nuk jeton njeriu veç për të futur diçka në gojë. Ti mendon ndryshe, Pjetër? Mirë, punë për ty, por aman lëri ata që mendojnë ndryshe, të shkruajnë ndryshe! Je shkrimtar, dreqi ta marrë! Kam dëgjuar edhe unë që B. Gates dhe W. E. Buffett “vënë miliarda dollarë për të varfërit”…, siç kam dëgjuar edhe për Rockefeller-in, Carnegie-n, J.P. Getty-n dhe jo pak yje të kinematografisë, muzikës, sportit… që bëjnë vepra bamirësie – pra, nuk qenkan veç dy filantropë në Amerikë (dhe në tërë rruzullin), siç thua ti, Pjetër. Para rreth 6 muajsh pata në dorë një libër me titullin “Filantropia në Malin e Zi”, botimin e të cilit e kishte mbështetur fondacioni Rockefeller. Vendet e mëdha kanë filantropë të mëdhenj, por edhe të voglat i kanë filantropët e vet. Ndonjëri s’ka miliona, por nga kuleta e vet e shpuar, ndihmon me një qindarkë, ose me një ndihmesë tjetër, nevojtarin që ka afër. Dikush i tillë vërtet s’mund të quhet Bill Gates, por bamirës, për mendimin tim, PO! Apo, sipas teje, veç miliarderët mund t’u quakan bamirës? Skamnorët, mund të bëhen kriminelë, por bamirës kurrën e kurrës, kështu logjikon ti!? Filantropia rri në zemrën, në karakterin e njeriut, më shumë se te paratë. Ti mendon ndryshe, Pjetër? Mirë, punë për ty, por aman lëri ata që mendojnë ndryshe, të shkruajnë ndryshe!

Lidhur me aluzionin për pyetjen vetëmburrëse retorike: “A mos Nënë Tereza dhe Ibrahim Rugova ishin edhe ata Gojçaj?”, përgjigjen më të mirë e jep ti vetë, megjithëse ndoshta s’je i vetëdijshëm për këtë… E kur e bën për dy lek hipotezën time të “papërligjshme” psikanalitike për Rugovën si zëvendësim i babait të tyre, ti e kapërcen faktin se fjalia të cilën ti e godet fillon me një – ndoshta. Edhe konstatimi yt i radhës se titulli nuk përputhet me përmbajtjen është mëse i guximshëm, kur vetë e pranon se nuk e ke lexuar librin.

Në shkrimin tim s’kam thënë as se “akademikët e shkollës së jetës” mund t’i zëvendësojnë institucionet apo akademitë. Lexoje edhe një herë, nëse s’të vjen vështirë, megjithëse e shoh se e zotëron aq mirë “artin” e interpretimit sa nuk e sheh të nevojshme të lexosh fare. Ti, megjithëse shkrimtar, shtiresh sikur nuk e njeh gjuhën e figurshme, madje as kur fjala futet në thonjëza. Kam shkruar se lexuesi, në librin në fjalë ka për ta njohur Lekën si polemist të zjarrtë, dhe - prapë s’të kuptoj. Thua se nuk e ke lexuar librin dhe habitesh kur e quaj Lekën polemist. Ti e përmend historinë për arkivolin e Rugovës dhe episodin kur Rugova ka fjetur jashtë aty ku sot është shtatorja e Nënës Tereze, por unë jam prapë i “trashë” e nuk kuptoj ç’lypin ato në reagim. Ti zotëri, kur shkruan vetë për një libër i cakton kriteret se çka do të përmendësh e çka jo. Por që kriteret tua t’ua imponosh të tjerëve, bile pa e lexuar librin fare, kjo është “e papërligjshme”. Apo ndoshta mendon se je masa e gjithçkaje, kur me një vetëmburrje të pafalshme i jep vetes të drejtën të më shesësh mend nga Amerika se çfarë duhet të përmendi dhe çfarë jo? Pasi që nuk jam as autori, as redaktori, as lektori, as korrektori, as daktilografi, as botuesi i librit dhe as këshilltari i autorit, lidhur me saktësinë ose pasaktësinë e të dhënave faktografike dhe mendimeve, qëndrimeve e kujtimeve që jepen në libër, s’dua të debatoj.E çmoj angazhimin tënd për ta disiplinuar një kalemxhi të kalibrit “provincial” siç jam unë dhe të falënderoj për leksionin. Por s’ke pasur nevojë! Unë mësoj çdo ditë nga gabimet e mia. Ndarja e qimes është një operacion tejet skrupuloz. Ai që “e ndan qimen përgjysmë” çmohet si i zoti, kurse ai që e ndan “katrash” – kryesisht komprometohet. Në lëmin e kulturës ata që përhapin energji negative janë monotonë. Të kundërta me filantropinë dhe filantropin janë mizantropia dhe mizantropi! Një fabul e Ezopit, mbi dy mijë vite e vjetër tregon se një ditë, sorra e pa shqiponjën si e kapi një qengj dhe e ngriti lart. Iu duk shumë e lehtë kjo punë dhe deshi ta bënte edhe vetë. Pa një dash që po kulloste dhe me vetëbesim iu vërsul nga lartësia dhe ia nguli kthetrat. Ç’ndodhi? Dashi qe më i madh seç u duk nga larg, sorra u mundua ta ngrinte në ajër, por në atë përpjekje iu ngatërruan kthetrat në lesh dhe mbeti vetë e zënë … Moralin e fabulës gjeje vetë… Kësaj radhe – “ia ke fut’ kot, plako!”. Këtu po e mbylli çdo debat me ty mbi këtë temë, pavarësisht a e vazhdon ti a jo! Polemikat e këtilla janë të sikletshme, e të pabereqetshme. Në fund, ta them pa ironi e dyfytyrësi, me sinqeritet: merru me diç’ tjetër, Pjetër!
avatar
Shooter-Ks
Legjend
Legjend

Numri i postimeve : 5077
PIKE : 6303
Popullariteti Popullariteti : 41
Data e regjistrimit : 11/06/2010
Mosha : 21

http://www.deqani-ks.all-up.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: LekË GojÇaj Dhe Libri “shtatoret E PËrjetËsisË” (shba, 20090

Mesazh nga Shooter-Ks prej Tue Jul 13, 2010 6:03 am

Hiperbolizimi i antivlerave dhe apologjia e Antonit të Gojçajve

Pjetër Jaku

Nuk ia kam unë fajin Antonit që nuk arrin të kuptojë terma të një vështirësie mesatare. E bash për këtë mendova të shkruaj dhe njëhërë , edhe pse shkrimi imi për një klasifikim të pasaktë të tij e paska nervozuar aq shumë, sa unë, fatkeqësisht po e besoj se ai paska mbetur në moshën e fabulave, pak ma shume se 2 mijëvjeçare te Ezopit. “ Helmi luftohet me helm”, - thotë populli, ose xehri, siç i thonë në anët tona, o Anton. E xehri ty, të paska hy ma shumë se duhet, bre burrë.

Po pse? Paj po thonë disa se Antoni asht idhnak edhe pse prrallat i ka pasë për qef gjithmonë, e kujton se shqiponjat bahen me pare. Po jo, more burrë, pasha Zotin shqiponjat bahen veç kur lejnë shqiponja, përndryshe kanë me mbetë sorra. Mjafton që fluturojnë. Unë e kuptova fabulën tane, se e ke për Lekën polemist, që edhe pa asnje diplomë, qoftë edhe të ndonjë kursi, “polemizon” aq mirë me veten, se disa prej atyne, për të cilët ankohet në libër, nuk ishin gjallë, bre burrë. Gjynah me dalë në ring me të vdekun! Nëse të kujtohet Ruthi i Xhek Londonit, te “ Martin Iden”, mundesh me e kuptu krejt pse Leka e njohu Nanë Terezen, veç mbasi u ba nobeliste. Për Zotin asht e njëjta fabul, more burrë. Pse i duhej Ruthit Martini, kur ai me veprat e tij fitoi shumë para?!

Si qefli prrallash, edhe “ ujkut të vjetër” qenke mundu me ia siguru do turbullina. Paj, dhe ti, bre burrë, nuk je fort i ri e, qe besa, shqipfolës je dhe ti, nëse tan Malsia janë ashtu si po nënkuptoni ju. Unë mjetet e informimit i konsideroj, vetëm mjete informimi, aq ma shumë kur janë në gjuhën shqipe e për të cilat keni punu dhe ju. Zotnia jote duhet me ditë, se ne nga anët tona ( malet e Mirditës ku kam lindur ), kur kemi dalë me gjujt n’derra t’egër, nuk e kemi shkrep fishekun e parë, pa e ditë se i kemi dhe tre rezervë.

Sa i takon leksioneve, që unë të paskam dhanë, e vërteta ashtë leksioni i pagabueshëm e, ndoshta, për këto leksione kemi nevojë të dy, ani pse unë e mendoj veten si një nxanës të përjetshëm. Se nuk e keni kuptuar qellimin e shkrimit tim, shihet qart në reagimin tuaj. Të ngresh antivlerat në piedestal dhe ne të heshtim? Heh! Ta dinte Nanë Tereza se ç’asht shkrua në atë libër, do t’u thonte; “ Dashuri vëllezër, sa ma shumë dashuri!”

E, sa për librin e lexova, nërkohë kur ti po përgadisje replikën për shkrimin tim, me ndihmën e këshilltarëve nga larg. Jam i penduar pse kam harxhuar do kohë me lexua, se kurgja të mirë me u mbajt mend nuk ka. Për ma shumë, libri ka mungesë të theksuar të frymës paqësore të Nanë Terezes dhe Dr. Rugoves. Aty, dukshëm ngre krye hakmarrja, deri në vulgaritet, ndaj unë thëm se nuk lidhet titulli me përmbajtjen. Kjo nuk përban ndonjë të keqe për ty, se nuk bajshe pjesë në atë staf, por t’i frysh vlerat e librit si breshka e fabules, asht e pafalshme, të paktën për një poet. Për ma tepër, ai libër ishte pa redaktor e pa kurrëfarë emri. Kanë eksperiencë në punë librash, ndaj e kanë pa me vend mos me pasë staf,- mendova unë!

Ti thua, pse unë nuk e kam lexua librin e Vehbiut. Po more burrë, e kam lexu ku e ku pa e botu librin Leka. Se Leka na paska prit kosovarët në kohën e luftës, kjo ka ndodh te mijëra familje shqiptare, të cilat kanë sakrifikua nga buka e kushtet e fëmijëve të tyre, për t’i pritur sa ma mire. Paj, more Anton, me ta thanë të drejtën, unë nuk kisha mujt me e klasifikua si humanist të shquar Lekën as Pashkun, edhe pse në mundësitë e veta kanë ba boll.

Sa për fjalën “ Filantropi”, qenke lodh shumë, bre burrë. E krejt ai mundë të ka shku dam, se klasifikimi i tillë për vllezrit Gojçaj, asht si me na thanë mua e ty “gjeni”, kur nuk jemi. Ti je i ri e mundesh me u ba, edhe pse gjenitë lindin, po për mua asht andërr. Bamirësi asht edhe një gotë ujë me ia dhanë një udhtari të etun e një kafshatë bukë një të unti.

“ Filantrop” është përcaktimi superior i një bamirësie, kur vë në rrezik pasuninë tande për të varfnit, për të smundit etj. etj… Se ban arkivole e shtatore dhe se ndonjanen prej tyne e shet, nuk asht bamirësi, bre burrë! Me m’ falë mua që vetëm kështu e kuptoj, dhe pse e shoh ta paarsyshme me shfletu fjalorët gjerman e as me lypë fjalorët e akademive komuniste, të para nandhetës. Nuk dyshoj në erudicionin tand, por ma mire me i pas ra shkurt, pa iu drejtu fjalorve serb e kroat. Mesa di, une të jam shpjegua prej fjalorit të shqipes së sotme, botim i viteve dymijë.

Ti ke hall se Pjetër Jaku s’po u lenë me shkrua lirshëm. Mos bre, ku mundet Pjetri me u ndalë! Shkrimi i lirshëm, kur asht i saktë, nuk ndalet prej asnjë pengese.A, mund të thuash me të drejtë, se ç’po më duhet mua me u marrë me këtë punë? Po dikush duhet me u marrë , o Anton, dreqi e mori, se hesht ti e hesht unë, po bahen rrenat mullar.

Unë nuk u mora me librin tand për Patër Anton Arapin, edhe pse di me u marrë e ti fort mirë e din. Unë nuk u mora me krijimtarinë tande, e ti e din fort mirë se mundem me u marrë, se deri diku më ka ngjallë emocione positive. Por, gazetaria o Anton, nuk asht as zanati im, me gjithë se mundohem me qënë sa ma i saktë. Saktësia për mua asht parimi universal i gazetarisë. Nesër shkrimeve tona do iu referohet dikush dhe do t’i marrë si përcaktime, ndoshta dhe historike, vlerësimet tona. E, mos me thanë të vërtetën asht mëkat! Kur nuk e dimë, Zoti na fal!Ti e unë , o Anton , ndoshta nuk mund të ndajmë traun, por në zanatin tonë qimen duhet me nda!

Jo veç na të dy, por edhe miliona si na, e dinë se Nanë Tereza, nuk ka pasë në andrrën e saj me ba emën. Misoni i saj ka qenë dhe asht krejt i qartë, për kush don me kuptu. Kur nuk ka pranu me u ba ceremoniali i çmimit “ Nobel”, veç që ato pak pare, (që për atë ishin shuma të mëdha) t’i kalojnë misionit të saj, si do i kishte pranu shtatoret?! Se janë ba, nuk ka asnjë të keqe, por jo me na u mburrë me to. Nanë Terezen e kanë njoft tanë bota, para se me u ba shtatoret!

Ti thua “ ia ke fut kot , plako”, pa e menduar sa të shëmton kjo shprehje. Poetët nuk merren me zhargonin e trotuareve, pastaj nuk mendoj se te lidh ndonjë nostalgji e madhe për Tiranën dhe fjalorin e saj të rrugëve. Je shumë larg saj, bre burrë!

Falemnderës që ke mendua me ndal replikën këtu, se boll pak kohë kemi me u marrë me kësi punësh, por kur kërkohet, nuk mundna me iu shmang!Sa për mënyrën e foljes urdhërore “ merru”, më fal që s’po mundem me pranu! Nëse ti mendon t’u rikthehesh, unë nuk ta za për mosmbajtje fjale…
avatar
Shooter-Ks
Legjend
Legjend

Numri i postimeve : 5077
PIKE : 6303
Popullariteti Popullariteti : 41
Data e regjistrimit : 11/06/2010
Mosha : 21

http://www.deqani-ks.all-up.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: LekË GojÇaj Dhe Libri “shtatoret E PËrjetËsisË” (shba, 20090

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi