Deqani-ks
Deqani-ks Forum - Welcome

Mire se vini ne Deqani-ks Forum, Ju ftojme qe te Regjistroheni, ne menyre qe te keni aksese ne te gjitha kategorit dhe temat, ne Deqani-ks Forum, mund te gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe te huaj, Muziken me te re 2011, DVD Humore shqip, Keshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet me te reja nga vendi dhe bota.

Një gjuhë e bukur dhe e fuqishme

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Një gjuhë e bukur dhe e fuqishme

Mesazh nga Shooter-Ks prej Tue Jul 13, 2010 9:13 pm

Një gjuhë e bukur dhe e fuqishme


“Gjuha shqipe është një gjuhë me një tip të veçantë, afrimi që ka me gjuhën e sllavëve e të grekëve është kaq i largët, sa afrimi që ka me gjuhën e danezëve ose të persianëve. Gjuha shqipe është, pra, i vetmi mjet për të ndrituar dhe për të përhapur përparimin moral, i cili mund të zbatohet me dobi në Shqipëri. Si të gjitha gjuhët e tjera, gjuha shqipe ka thithur një numër fjalësh nga lënda e huaj, por ka pasur një zhvillim të sajin dhe është tani një gjuhë e bukur dhe e fuqishme, e cila mund të jetë mburrje për folësit e saj dhe një mjet i shenjtë për zhvillimin mendor dhe arsimor të kombit shqiptar”, kështu është shprehur shqipdashësi i shquar, albanologu Holger Pedersen.

Ali DHRIMO

Sivjet u mbushën 140 vjet nga lindja e indoeuropianistit dhe albanologut të shquar danez, Holger Pedersen, i cili bën pjesë në plejadën e ndritur Majer – Pedersen - Jokl. Ai ishte i biri i një mësuesi fshati, lindi në Gelbale, afër Lunderskovit, në një shtëpi tipike daneze të mbuluar me kashtë. Si djalë i ri shkonte bashkë me fëmijët e tjerë të fshatit dhe kulloste dhentë. Kjo jetë e lirë pranë natyrës, si edhe natyra e hareshme e së ëmës, kanë ndikuar në karakterin e mëvonshëm të Pedersenit.
Pasi mbaroi shkollën fillore e të mesme, i ati e dërgoi më 1885 në Universitetin e Kopenhagës, të cilin e mbaroi më 1890 me përfundime të shkëlqyera. Që andej zbriti në Gjermani dhe në vende të tjera të Europës, shkoi edhe në Rusi. Në Gjermani ndoqi kurset e Brugmanit e të Leskienit në Laipcig dhe të Cimerit në Berlin. Me interesimin e drejtpërdrejtë të Karl Brugmanit ai niset më 1893 në Greqi, për të mësuar gjuhën shqipe. Ai materializon kështu interesimin e vet jo vetëm për gjuhët e mëdha, po për gjithçka që lidhej me gjuhët e gjuhësinë, pra edhe për gjuhët e vogla. Interesante në këtë mes është që ai e fillon veprimtarinë e vet studimore gjuhësore pikërisht me një gjuhë të vogël, por jashtëzakonisht të rëndësishme, siç ishte shqipja, njëra nga 12 gjuhët më të rëndësishme të kontinentit tonë dhe një nga gjuhët më të vjetra të Gadishullit Ballkanik. Kur nis ai të interesohet për këtë gjuhë, tashmë ishin botuar vepra prej pionieri “Për historinë dhe gjuhën e shqiptarëve e të vllehëve” e J. Tunmanit (1774), gramatika përshkruese e gjuhës shqipe e J. Ksilanderit (1835), artikulli themelvënës "Mbi gjuhën shqipe në lidhjet e saj farefisnore” (1855) i F. Bopit, vepra trevëllimëshe e Johan Georg fon Hanit “Studime shqiptare” (1854), një pjesë e përmbledhjes folklorike e Karl Rainholdit “Netët pelasgjike”, mbledhur midis viteve 1850-1860 dhe botuar nga G. Majeri pas vitit 1880, “Gramatikë e shkurtër e gjuhës shqipe” dhe “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe” (1891) dhe disa studime të tjera nga G. Majeri. Po Pederseni e gjen menjëherë vendin e vet si albanolog; ai do të merret para së gjithash me historinë e brendshme të gjuhës shqipe.

* * *
Perderseni do të shquhet për një mprehtësi të jashtëzakonshme veshi si dialektolog i dorës së parë dhe për një aftësi të pashoqe regjistruese. Nga letra që i drejton profesor Tomsenit, del se ai ka regjistruar 36 përralla dhe 236 këngë shqiptare. Ndërkaq sot në Bibliotekën Mbretërore të Kopenhagës ruhen vetëm 115 këngë. Nga gjithë ky material i grumbulluar, ai botoi vetëm 10 përralla, 12 këngë, 18 gjëegjëza dhe 18 besime popullore. Përrallat e botuara i përktheu edhe gjermanisht. Me gjurmimin që i bëri së folmes çame, ai dëshmohet si një dialektolog dhe folklorist i paarritshëm. Studimi i tij është një model gati i papërsëritshëm.
Pederseni kishte qysh në moshë shumë të re, kur filloi të merrej me gjurmimin e shqipes, formimin e një indoeuropianisti me njohuri të jashtëzakonshme. Ai do t’i hyjë me përkushtim studimit të kësaj gjuhe, do të hulumtojë të gjitha gurrat e rrjedhat dhe materialet e tjera burimore të saj, do të informohet për gjithçka që lidhet me të kaluarën e të sotmen e gjuhës shqipe. Pederseni kishte edhe një metodë të përsosur studimi: ai interesohej në radhë të parë për faktet dhe nga një vështrim historik. Edhe pse ishte komparativist, ai ishte elastik. Falë kësaj përgatitjeje e metode, ai do të bëhet personaliteti më eminent për shqyrtimin serioz kritik të trashëgimisë së shqipes dhe për të bërë një kthesë në studimin e saj nga aspekti historik e krahasimtar.
Për gjuhën shqipe Pederseni mendonte se ajo rrjedh nga ilirishtja jugore. Mbi bazën e këtij materiali kaq të gjerë dokumentar, të vjelë e të grumbulluar prej tij, do të hartojë e botojë një varg studimesh shumë të rëndësishme, të cilat do ta afirmojnë atë si figurë qendrore të albanologjisë dhe si njërin nga njohësit më të shquar të historisë së brendshme të gjuhës shqipe. Midis këtyre studimeve përmendim “Kontribut për historinë e gjuhës shqipe” (1894), “Etimologji shqipe”, "Tingujt e shqipes” (1894), "Tekste shqiptare me glosar” (1895), "Gjinia asnjanëse në gjuhën shqipe” (1897), "Guturalet në shqipen” (1900), "Konkordanca shqip-armenisht” (1900), "Shqip 1905”, "Gjuha shqipe” (1917), "Shqipja” (1931) dhe ndonjë tjetër i mëvonshëm.
Shërbimet që i bëri Pederseni gjuhës shqipe me studimet e tij janë jashtëzakonisht të qenësishme dhe të shumanshme. Ai arriti të rivështronte edhe shumë nga rezultatet e albanologjisë, të shprehura përpara tij. Jo vetëm kaq, ai hodhi njëkohësisht edhe shumë teori e hipoteza të reja, që ngjallën diskutime e debate në vitet pasuese. Disa prej tyre i ka përmbledhur në shkrimin e vet "Gjuha shqipe”, ku ndër të tjera vëren: “Pikë së pari më lejoni të them se gjuha shqipe është një gjuhë me një tip të veçantë, afrimi që ka me gjuhën e sllavëve e të grekëve është kaq i largët, sa afrimi që ka me gjuhën e danezëve ose të persianëve. Gjuha shqipe është, pra, i vetmi mjet për të ndrituar dhe për të përhapur përparimin moral, i cili mund të zbatohet me dobi në Shqipëri. Përdorimi me forcë i shkollave dhe i kishave në gjuhë të huaj midis kombit shqiptar ose midis një pjese të tij është barabar me vrasjen e kësaj race fisnike dhe plot dhunti: Asnjë nga kundërshtimet ndaj gjuhës shqipe nuk mund të qëndrojë në këmbë. Shumë herë është thënë se nuk ka njësi gjuhësore në Shqipëri, se dialektet e Veriut ndryshojnë krejt nga ato të Jugut, kështu që marrëveshja midis këtyre dy pjesëve të Shqipërisë është e pamundshme. Po kjo është një deklaratë e rreme. Ndryshimi midis dy dialekteve të gjuhës shqipe është shumë më i vogël, sesa ndryshimet që janë midis shumë gjuhëve të tjera. Nga pikëpamja praktike ndryshimi midis dialekteve të gjuhës shqipe nuk ka asnjë rëndësi. Një i huaj që ka mësuar një nga këto dialekte, nuk ka asnjë mundim serioz që të kuptojë dialektin tjetër. Pengimet që mund të dalin në disa raste, i detyrohen mungesës së rrugëve, këto pengime nuk kanë ndryshim rrënjësor në një gjuhë. Ndoshta do të kërkohet të shtoj ca shënime mbi thëniet se gjuha shqipe ka karakter të përzier. Më vjen shumë keq të them se gjuhëtari gjerman Gustav Majer ka bërë shumë për të përhapur mendime të rreme në këtë fushë. Në parathënien e fjalorit të tij të vyer etimologjik të gjuhës shqipe (1891), ai dha disa statistika për fjalorin e gjuhës shqipe... Fjalori i gjuhës shqipe, - thotë Gustav Majeri, - pushton 5140 familje fjalësh, nga të cilat 1420 kanë burim roman, 540 burim sllav, 1180 burim turk, 840 burim grek dhe vetëm 400 tregohen se janë vërtet pasuese të fjalëve të vjetra indoeuropiane, kurse 730 ishin të errëta nga pikëpamja etimologjike.”
Duke kritikuar ata që i përsërisin në mënyrë mekanike këto të dhëna të Majerit, pa ditur asgjë tjetër për gjuhën shqipe, Pederseni shton se "këta njerëz nuk mund të kuptojnë faktin me rëndësi se numri i fjalëve italiane të huazuara nga arbëreshët e Italisë ose i fjalëve greke të huazuara nga arbëreshët e Greqisë nuk kanë të bëjnë aspak me fjalorin e gjuhës shqipe. Megjithëkëtë Gustav Majeri i ka futur në statistikat e tij... Është e vërtetë se një shumicë e madhe fjalësh të përditshme të gjuhës shqipe kanë burim roman, një numër edhe më i vogël kanë burim grek, por elementi turk nuk është aq i vyeshëm sa na e tregon numri që jep Majeri. Më të shumtat e fjalëve turke nuk kanë zënë rrënjë në gjuhën shqipe dhe shumë lehtë mund t’i nxjerrim... Numri i fjalëve të vërteta është rritur pareshtur. Fjalë të cilat Majeri i numëronte të huaja, fjalë të cilat ishin të errëta për të, fjalë të cilat ai nuk i ëndërronte, koha provoi se janë pjesë e pandashme e gjuhës shqipe... Si të gjitha gjuhët e tjera, gjuha shqipe ka thithur një numër fjalësh nga lënda e huaj, por ka pasur një zhvillim të sajin dhe është tani një gjuhë e bukur dhe e fuqishme, e cila mund të jetë mburrje për folësit e saj dhe një mjet i shenjtë për zhvillimin mendor dhe arsimor të kombit shqiptar”.
Në hullinë e zvogëlimit të vlerësimit të ndikimit të gjuhëve të tjera, sidomos të latinishtes, Pederseni do të arrinte në përfundimin se ky ndikim mbi strukturën morfologjike të shqipes është baras me zero. Njëherazi ai njeh ndikimin roman në lëmin e fjalëformimit e të prapashtesave të ndryshme.

* * *
Përfundimet e ndihmesat e Pedersenit janë me peshë të madhe si në lëmin e albanologjisë, ashtu edhe në atë të kulturës shqiptare. Mirëpo, për fatin e keq të gjuhës e të gjuhësisë shqiptare, një albanolog i përmasave të tilla do ta kthejë shumë herët vëmendjen studimore nga gjuhë e fusha të tjera kërkimore. Kështu, qysh në dhjetëvjetëshin e parë të shek. XX ai bëhet dekan për gjuhët sllave dhe, më 1914, profesor i gramatikës së krahasuar në Universitetin e Kopenhagës. Ai iu kushtua studimeve për armenishten dhe sidomos gjurmimit të thelluar të gjuhëve kelte. Në kongresin ndërkombëtar të linguistëve më 1963 në Amsterdam, gjuhëtari i njohur italian Bruno Miliorini do të thoshte për Pedersenin se “Pederseni është nga gjuhëtarët më të mëdhenj të këtij shekulli, në mos më i madhi”.
Duke e vështruar nga distanca e kohës, e interesave dhe e fushave që lëvroi, Pederseni mbetet një personalitet i pazakontë. Edhe pse u largua shumë herët nga gjurmimi i shqipes, dashuria për këtë gjuhë dhe për shqiptarët do të mbetet si dashuria e tij e parë. Ai mrekullohet nga urtësia e këtij populli. Midis dorëshkrimeve të veta në Bibliotekën Mbretërore të Kopenhagës gjendet e shkruar me dorën e tij në një fletë më vete, edhe kjo thënie, e mbledhur në Çamëri: O shokë, aman, aman, / arritëm këtë zeman, / si e gjem, ashtu e lamë.
Duke folur për ndjenjat e veta ndaj popullit tonë, në shkrimin: "Gjuha shqipe” thekson: "Kam ushqyer gjithnjë dëshirat më të sinqerta për fatin e kombit tuaj, veçanërisht në vitet e kësaj lufte dhe rreziqet kaq të mëdha që i kanosen racës suaj, sa nuk më pëlqen të hesht, në qoftë se fjala ime mund t’i sjellë edhe më të voglën dobi çështjes shqiptare. Dhe kjo nuk më duket krejt e pamundshme. Sepse, megjithëse shërbimet e mëdha që i ka bërë kombi juaj qytetërimit, duke luftuar kundër turqve, dihen mirë prej të gjithëve, prapëseprapë shumë nga njerëzit e qytetëruar në Europë e ndoshta edhe në Amerikë, duket se nuk përtojnë të flijojnë interesat e shqiptarëve për dobi të sllavëve dhe të grekëve. Shpjegimi i kësaj ngjarjeje të çuditshme lipset, më duket, të kërkohet në mungesën e ideve të drejta që kanë për gjuhën e shqiptarëve. Prandaj nuk është e kotë të përsëriten disa fakte elementare, të cilat i përkasin kësaj gjuhe. Këto fakte dihen mirë dhe janë thënë e stërthënë shumë herë. Po edhe gjërat e ditura mund të marrin një pamje të re, kur thuhen nga njerëz të rinj. Faktet gjuhësore, për të cilat unë bëj fjalë, për veshët e shumë njerëzve mund të kenë një rëndësi të veçantë, kur thuhen prej gjuhëtarëve të huaj, paanësia e të cilëve është jashtë çdo dyshimi, një gjuhëtar, i cili nuk ka asnjë paramendim kundër gjuhëve të kombeve fqinje, po ka të njëjtin interes për gjuhën e sllavëve, si edhe për gjuhën e grekëve.”
Edhe larg Shqipërisë, ai do të kujtojë me nostalgji kohën e qëndrimit të tij këtu. Nga Irlanda e largët dhe e ftohtë, i shkruan profesor Tomsenit më 1895 se ishte e pamundshme për të që të gjente një njeri, i cili të interesohej për punën e tij pa e paguar, siç ndodhte në shumicën e rasteve, kur ishte midis shqiptarëve. Në Shqipëri, thekson ai, u fyeva pak, kur m’i quanin punimet e mia "sevda”, por këtu në Irlandë do të isha i gëzuar sikur banorët të mund të ngriheshin në nivelin e sevdasë. Veç kësaj, - shton ai, - ka një ndryshim të jashtëzakonshëm midis qiellit të kaltër shqiptar të jugut dhe këtyre shkëmbinjve të rrahur nga stuhitë.

* * *
Nga jeta private e Pedersenit dimë shumë pak. Më 1974 arritëm të gjenim në Kopenhagë një nip të largët të tij, pinjollin e fundit të farefisit të Pedersenëve. Ai na foli për natyrën shumë gazmore të Holgerit dhe humorin e tij të hollë. Kjo i bie në sy lexuesit, edhe kur ai i përgjigjet kërkesës së të përkohshmes “Yllit të mëngjesit”, më 1917, për të shkruar gjësendi për shqipen, Shqipërinë e shqiptarët. Ai i përgjigjet plot humor se u ndie krejt i pazoti për këtë, sepse ishte i bindur se “këndonjësit tuaj pa dyshim kërkojnë lajme politike, edhe unë në fushën politike mund të them se jam i paditur”. Në marrëdhënie me njerëzit, Pederseni ishte shumë i ngrohtë. Ai nuk harronte asnjë datëlindje të të afërmve dhe të miqve të tij, madje ishte ai që lajmëronte edhe të tjerët për këtë. Plot humor në këtë mes është fakti që Pederseni i çonte si dhuratë jubilarit gjithmonë një problemë të vështirë matematike për ta zgjidhur.
Ky njeri me këtë humor kaq të madh, kur ishte fjala për çështje shkencore, gjithë duke qenë shumë i matur e i peshuar në shprehje, ishte shumë i rreptë në gjykimet e tij. Mjaft të përmendim qëndrimin kundër Herman Hirtit lidhur me grykoret e shqipes, ose letërkëmbimet me Gustav Majerin, për të parë qëndrimet e tij të prera e të motivuara me tërë forcën e logjikës së tij shkencore për tezat që mbronte. Ai njeri aq i butë e plot humor, në diskutimet shkencore ishte gati-gati i pamëshirshëm.

Shooter-Ks
Legjend
Legjend

Numri i postimeve : 5077
PIKE : 6303
Popullariteti Popullariteti : 41
Data e regjistrimit : 11/06/2010
Mosha : 20

http://www.deqani-ks.all-up.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi