Deqani-ks
Deqani-ks Forum - Welcome

Mire se vini ne Deqani-ks Forum, Ju ftojme qe te Regjistroheni, ne menyre qe te keni aksese ne te gjitha kategorit dhe temat, ne Deqani-ks Forum, mund te gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe te huaj, Muziken me te re 2011, DVD Humore shqip, Keshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet me te reja nga vendi dhe bota.

Join the forum, it's quick and easy

Deqani-ks
Deqani-ks Forum - Welcome

Mire se vini ne Deqani-ks Forum, Ju ftojme qe te Regjistroheni, ne menyre qe te keni aksese ne te gjitha kategorit dhe temat, ne Deqani-ks Forum, mund te gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe te huaj, Muziken me te re 2011, DVD Humore shqip, Keshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet me te reja nga vendi dhe bota.
Deqani-ks
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

EMRI KOMBËTAR SHQIPTAR NË STUDIMET E PROFESOR ÇABEJT

Shko poshtë

EMRI KOMBËTAR SHQIPTAR NË STUDIMET E PROFESOR ÇABEJT Empty EMRI KOMBËTAR SHQIPTAR NË STUDIMET E PROFESOR ÇABEJT

Mesazh nga Shooter-Ks Tue Jul 13, 2010 9:14 pm

EMRI KOMBËTAR SHQIPTAR NË STUDIMET E PROFESOR ÇABEJT


1. Interesimi i Çabejt

Problemi i prejardhjes së etnonimit arbër-shqiptar dhe emrit të vendit të tyre Arbëri-Shqipëri i ka nxitur shumë studiues që të merren me hulumtimin e tij në aspektin interdisiplinar. Çështja e studimit të këtij problemi lidhet me vetë rrjedhën e studimeve albanologjike në përgjithësi dhe onomastikën në veçanti. Filozofët, historianët, arkeologët, etnografët-etnologët, gjuhëtarët (indoevropeistët, ballkanologët, albanologët, helenistët, sllavistët, germanistët, romanistët, ilirologët, trakologët, trako-ilirologët, pellazgologët, etruskologët etj.,), problemin e prejardhjes së etnonimit arbër, arbëror, arbënuer, arbnesh, arbëresh, «shqiptar»; emrin e vendit Arbëni, Arbëri, Shqipër; të gjuhës, arbërisht, arbënisht, shqip, ilirisht, pellazgjisht, etruskisht etj., e kanë trajtuar sipas shkollave të dryshme, metodave e domeneve të ndryshme, nga aspekti diakronik e sinkronik, nga aspekti historik, material e shpirtëror, etnologjik, fonetik, gramatikor, etimologjik e sociologjik, por edhe pse deri më tash janë dhënë rezultate të shumta, nga disa aspekte edhe më tutje ka moskënaqësi e mospajtime mes studiuesve të ndryshëm.
Eqrem Çabej, etnonimin arbër/shqiptar ose siç shprehej ai: «emrat e vjetër nacional», «emrat nacional», «emri i popullit», dhe toponimin Arbër/ Shqipëri, i ka trajtuar në një thellësi, pothuajse shteruese shkencore, duke pasur parasysh studimet dhe rezultatet e arritura deri në kohën e tij dhe zbulimet arkivore të vjela nga ai ose paraardhësit e tij. Eqrem Çabej problemin në fjalë e ka trajtuar në disa artikuj, në të cilët trajtonte probleme të ndryshme e domos problemin e vendit të formimit të popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, dhe në artikuj të veçantë.

2. Horizonti historik dhe hapësira gjeografike

Qëkur studiuesit (historianët, gjuhëtarët, arkeologët e etnologët) lexuan në hartën e Ptolemeut të shekullit të II pas erës sonë emrin e fisit Albanoi dhe të qytetit Albanopolis, nuk pushuan së hulumtuari ]ështjen e afrisë së këtij emri me emrin etnik të vetë arbërorëve -shqiptarëve dhe të vendit të tyre, Shqipërisë. Mirëpo, çështja has në vështirësi që në fillim. Pas daljes së emrit të fisit Albanoi dhe të qytetit Albanopolis, ky emër, në njërën anë, tretet në dokumentet historike për më se 2000 vjet, siç thotë Çabej dhe nuk ndeshet as në dokumentet e brendshme kombëtare, as në dokumentet e kohës te fqinjët, pavarësisht se një popull, si populli arbëror nuk mund të qëndronte aq indiferent në rrjedhat historike, ndërsa në anën tjetër rrënja alb- është një element, i cili përfshin një zonë të gjerë gjeografike, jo vetëm të zonës etnike shqiptare e ballkanike por edhe evropiane.
Studiuesi Antonio Galanti, duke u marrë me këtë rrënjë shkruan: «Britania e vjetër u quajt edhe Albion. Malësorët e Skocisë e thërrasin vendin e tyre Albany. Emri Alba gjendet shpesh n’Italinë e Vjetër (Alba-Longa në Lac, Alba Fucense në vendin e Marsejvet, Alba Pompeja,...). Edhe në Galinë e moçme e në Spanjën e Vjetër takojmë emrin Alba. Të gjithë e kanë ndigjuem emrin e qytetit Albi në Provencë, prej kah mueren emrin e vet heretikët albigezë në shek. XIII» (...) Rëndësi më të madhe përkundrazi ka hipotheza se gati të gjithë, a gati të gjithë këta emra qesin ndër mend rranjen alb a alp që do me thanë i bardhë e mal i lartë (prej majes së bardhë të mbulueme me borë)». Mahir Domi nuk flet për mënyrën se si është bartur emri, por flet vetëm për vijimsinë, një element me rëndësi për prejardhjen e popullit shqiptar e të gjuhës shqipe nga ilirët, kur shkruan: vijimsia «iliro-shqiptare që del në lidhjen e emrit kombëtar të shqiptarëve në mesjetë (në burimet bizantine të shek. XI-XII e më pas «Albanoi», «Arvaniti», vendi «Arbanon» në burimet latine Albanenses/Arbanenses, në shqipe arbën/arbër, arbnesh/arbëresh, arbënor/arbëror), me emrin «Albanoi» të një fisi afër Durrësit».
Si Eqrem Çabej ashtu edhe Shaban Demiraj, më vonë, pyetje për vijimsinë e etnonimit arbër nëpër dokumente, u janë përgjigjur me mënyrën e jetesës së popullit shqiptar (në fise dhe në një homogjenitet të pamjaftueshëm për të shtrirë dhe mbajtur gjallë një emër etnik të përbashkët. Duke u nisur nga kjo gjendje, sidomos nga pozita e Çabejt, historiani Muhamet Pirraku, konstaton se «Mendimi i ngulitur në literaturë se emrat Arben/Arbër, Arbënesh/Arbëresh ishin «Emri i Shqipërisë e i shqiptarëve në mesjetë», për mendimin tonë, nuk ka mbështetje në faktologji dhe në realitetin mesjetar. Vendi dhe populli i copëtuar në disa perandori e principata dhe në disa fe, në mesjetë, nuk mund të mbante emër të njëjtë për popullin dhe për vendin».
Mendimi i Mahir Domit del përballë disa studiuesish, si ai grek Eras L. Vranusi, i cili në vitin 1970, e kishte vënë në dyshim një lidhje të domosdoshme, në mos më shumë për një ngjashmëri të rastit, ndërmjet albanoit dhe arbëri dhe studiuesit serb Bariç, i cili më herët e kishte lëkundur sikur shprehej ai: «kontinuitetin e emrit të vjetër ilir Albanoi me emrin e arbërve të sotëm. Ai mendonte se ky kontinuitet nuk ka ndonjë domethënie ma të madhe, sepse të parët e tyre kanë muejt me e trashëgue këtë emër prej banorëve të vjetër ilirjan n’atdheun e tyre të ri, poashtu sikur sipas rezultateve të shkencës bashkëkohore edhe Albanoit ilirijanë këtë emër e kanë trashëguar prej popullsisë së lashtë joindoevropiane, dmth., prej popullsisë mediterane, për të cilën gja dëshmojnë toponimet e shumta, të nxjerra prej fjalës mediterane alb- «kodër, vend i ngritur», në të gjithë zonën e shtrime prej Kaukazi deri në Liguri dhe në gadishullin Iberik»
Ndryshe nga Çabej, Demiraj e studiues të tjerë dhe sidomos M. Pirraku, që e vejnë në dyshim një emër të mundshëm për tërë popullin, Osman Myderrizi homogjenitetin e mundshëm e gjen te rreziku nga ndërhyrjet e sllavëve në mesjetë: «Kundërshtimi e fërkimi i pandam me këta të huaj (sllavët-B.B.) zgjoi ndjenjën e solidarsisë etnike ndër fise të ndryshme ilire t’Epirit, të Maqedonisë e t’Ilirisë e si konsekuencë duel edhe pranimi i një emëri të përbashkët, për t’u paraqitur si një fuqi e bashkueme kundra tyre. Kështu emri Arbën, tue qen emni i një krahine të njohun, të fortë e të përparueme, u pranua vetëm si një emblemë bashkimi për të gjitha krahinat e tjera dhe me kohë u bë emën kombëtar» Nuk duhet përjashtuar faktin që, nëse arbërorët ishin ndihmës të fisit të avarëve, ata në të vërtetë u përhapën në të gjitha zonat e etnicitetit iliro-shqiptar dhe në këtë mënyrë u bënë trashëgues të këtyre zotimeve, por që identifikimi i tyre në literaturë u bë i njohur vetëm pas shek. VII, kur u ndeshën me fillimin e depërtimeve të sllavëve në Ballkan dhe rrezikun që u kanosej.
Mendoj se mendimeve të mësipërme më së miri u përjigjet historiani shqiptar Kasem Biçoku, i cili mendon se shkak i paraqitjes së vonë të emrit Arbëri, deri në shek. XI-XII, kur edhe fillon dobësimi dhe rënia e Perandorisë Bizantine, është praktika administrative, kancellareske e kishtare e shtetit bizantin për të përdorur elemente të traditës antike, si: Ilir, Epir, Maqedoni etj». Përhapja, ose më mirë të themi, stabilizimi i etnonimit arbër gjatë kohës romake u bë edhe për shkaqe të ndikimit ekonomik e kulturor. Rruga Via Egnatia dhe roli i saj në Shqipërinë e mesme ishte i fuqishëm, prandaj nuk është e çuditshme që pikërisht kjo zonë do të bëhet vatra kryesore, nga e cila rrezaton më së shumti emri i arbërit edhe atëherë kur emri arbër në shkallë kombëtare do të ketë më shumë karakter metaforik(libror) sesa nacional.
Mendimi i Biçokut gjithashtu të kujton një emërtesë të dyfishtë të emrit të Dardanisë nga administrata romake, si Pirustae dhe popullata vendase Dardani. Po kjo shpjegohet edhe me një element të rëndësishëm që e shënon Kasem Biçoku: «Shkrimtarët e vjetër shqiptarë e të huaj fjalët Epir e epirot i kanë përdorur si sinonime të emrave arbër e arbën, kurse banorët vendës të Epirit(Shqipërisë së Poshtme) gjatë shekujve të mesjetës nuk e kanë përdorur e njohur». Bie fjala, «Maqedonia, si emër më i vjetër dhe Arbëria si emër mesjetar, cilësohen si pjesë të njëra-tjetrës dhe këta dy emra dalin si sinonime».
Gjatë kësaj kohe, dmth, gjatë kalimit nga antika në mesjetë, sikur dihet përveç fërkimeve që kanë pasur me fqinjët, përveç ndeshjeve kulturore, fetare etj., u zhvilluan edhe disa procese të brendshme, të qëndrueshme për organizimin e mëvonshëm të arbërorëve përballë sfidave të kohës. Këtu mund të përmendim: formimin e gjuhës shqipe përpara dyndjes së sllavëve, përhapjen e krishtërimit, organizimin kur më i dobët e kur më i fortë të fiseve në shkallë krahine, organizimin kulturor etj. Kasem Biçoku, për të njëjtën periodë, ka dalluar edhe një element të rëndësishëm për temën tonë, emrat personalë. Sipas tij «edhe pse me përhapjen e kristianizmit-emrat personal erdhën në pjesën më të madhe nga emrat e botës së krishterë, duke iu përshtatur gjuhës shqipe, ata morën tiparet e një antroponimie kombëtare shqiptare. Kështu gjatë shekujve të mesjetës u formua një unitet antroponimik relativ te shqiptarët kudo që ata banonin. Në këto kushte, si dhe në konfrontim e bashkëjetesë me popujt ardhës paganë, që u dyndën dhe u vendosen në Ballkan dhe për t’u dalluar dhe veçuar nga ta, jo më vonë se në këtë periudhë ndryshimesh të vrullshme etnike, emri arbër (Arbëri, Albani) u bë emër i përbashkët për shqiptarët». Mendimin e Henrik Bariçit, që në të vërtetë është vetëm një vazhdim i mendimit të Norbert Joklit, Trombettit, Bertoldit, Taliavinit, Hubsehmmidi-tit, Popoviçit etj., të cilët mendonin se rrënja alb-, arb- etj., duhej të ishte e trashëgimisë paraindoevropiane, e kanë kundërshtuar Kasem Biçoku dhe Eqrem Çabej. Biçoku mendon me të drejtë se «emri Arbër (Arbëri, Albani) është trashëguar nga onomastika ilire» dhe Çabej, i cili nxori një përfundim për një çështje kardinale për gjuhën shqipe dhe historinë e popullit shqiptar: «Prej këtij emri rrjedhin rregullisht Arben, Arbër i shqipes, një dëshmi ndër të tjera, që shqiptarët janë anas, autokton në vendbanimet e sotme dhe që aty ka një vijimsi, një konfirmitet gjuhe të paktën prej antikitetit».

3. Shtrirja gjeografike

Prej shek. XI, kur emri Arbër, Arbën, fillon të dalë nëpër dokumente të huaja, deri në shek. XVIII kur del etnonimi shqiptar, për studimet gjuhësore dhe historike çështja e shtrirjes gjeografike e emrit të Arbërit paraqet një element të rëndësishëm. Eqrem Çabej e ka konsultuar një literaturë të gjerë dhe ka bërë një pasqyrë pothuajse shteruese për shtrirjen e etnonimit arbër dhe top. Arbëri, në Shqipëri e koloni, te popujt fqinj dhe në burimet dokumetare e të traditës së tyre, ndërsa sa i përket lokalizimit të qytetit të Albanopolisit të Ptolemeut në Zgërdheshin e sotëm, në Juglindje të Krujes, E. Çabej mendon se teza e Hanit, paraqitet mjaft bindëse.
Studiuesit Ludwig von Tholloczy-Konstandin Jeriçek i kanë bërë një paraqitje të gjerë shtrirjes historike dhe gjeografike të Arbërit: «Në burimet e shkruara latinisht, sidomos në burime kishtare, vendi quhet Arbanum, populli Arbanenses, prej nga rrjedh italishtja, në librat e Raguzes 1320, Albanese, Arbanese. Sllavët e quajtën popullin Arbanasi. Emrin Arbanasi e gjejm te poemat dalmatine, si dhe në këngët popullore, por tani ndihet vetëm në jug, sidomos në Ragusë e në Mal të Zi, ku Arbanas quhet Shqiptari katolik». «Turku Ballabanbeg, (...) më 1415 mban titullin «Subash i Krujës dhe i Rabinit» dmth Arbënit». Nga këto të dhëna autorët Tholoczy-Jeriçek kanë përfunduar: «Në Arbanum përfshiheshin gjith vendet prej Alpevet shqiptare midis lumenjvet Lim e Drin e gjer te malet në jug t’Elbasanit.
Me kohë emri i Arbnit u zgjerua e u shtri edhe jashtë këtij trualli të ngushtë. (...) Qysh nga fundi i shek. XIV, emri i Arbnit shtrihet edhe në veri: n’akte raguziane më 1386 përmes S. Sergius dhe Albania(ot Shirq) në grykën e Bunës; gjithashtu 1419 Tivari, 1413 edhe Lushtica afër Kotorrit, 1443 Podgorica, përmenden të gjitha si vende të ndodhura n’Arbën ose në Shqipëri. Një përshkrim rreth vitit 1570 quan Arbër vendin prej Ulqini e gjer në Vlorë e në malet e Himarës. Dihet se edhe vendi i Kotorrit u quajt Shqipëri venetjane, në kohën e Napoleonit I. Shqipëri frenge, para 1448 Shqipëri austriake».
Studiuesi David Lluka pasi e ka vlerësuar studimin e Çabejt nga aspekti historik e gjuhësor, mendon se etimologjia e këtij toponimi qëndron në shndritjen e toponimisë së rrethit të Krujes së sotme, prandaj ai përfundon, se etimologjia e tij varet nga metodologjia e shtruarjes së problemit e këto janë tri elemente: «Shtrirja e karahinës së Arbërisë, shtrirja e këtij emri në kohë jashtë kësaj krahine deri sa ai bëhet kombëtar dhe raporti në mes »arben/arbër» »krainë» dhe arbër/arben »fushë», duke i shikuar këto në lidhjet që paraqesin me njëra tjetrën».
Studiuesi Engjëll Sedaj është njëri nga ata studiues që i ka kushtuar një monografi të tërë problemit të prejardhjes së etnonimtit arbër/shqiptar dhe në kontekst të shqyrtimit të kësaj teme e shoh të udhës ta trajtojë në vijimsinë e problemeve të përgjithshme a të veçanta. Autori bën mirë që krahas emërtimit të shqiptarëve me emra të ndryshëm nga të huajt, gjatë historisë edhe sot, sjell edhe një pasqyrë të emërtimit të popujve edhe më të mëdhenj se shqiptarët, për të dëshmuar se fjala është për një dukuri të natyrshme historike që ka lindur si rezultat i fqinjësisë së popujve, luftëtarëve, okupimeve të ndërsjella, ndikimeve kulturore, përkimeve gjuhësore, madje jo vetëm në Gadishullin Ballkanik por edhe në Evropën Perëndimore e Qendrore. Sa u përket shqiptarëve, autori sjell edhe emërtimet e brendshme: «ndër shqiptarët, përveç emërtimeve arbënesh dhe shqiptar, ekzistojnë emërtime tjera, sipas shtrirjes regjionale më të gjerë dhe më të ngushtë, siç janë: gegë (Gegëri), toskë (Toskëri, Toskëni), çamë (Çamëri), pastaj: matjan, pultjan, llapjan, drenicas etj., kurse popujt tjerë na quajnë: Albansis, albanese, Albaner, albanci, Arnaut, Arvanit, Raban etj».
Nuk më duket i qëndrueshëm insistimi i përsëritur i autorit që kalimin nga ilirët te shqiptarët ta shikojë vetëm përmes etnonimit arbër. Sikur dihet, shqiptarët kanë përdorur edhe emrat «sporadikë», - sikur i quan Sedaj, - epirotas, makedon etj., të cilët nuk duhet përjashtuar nga ky proces. Të pranosh vetëm emrin arbër, si përcaktues të etnonimisë së sotme shqiptare do të thotë të rrudhësh shumë hapësirën gjeografike të trojeve shqiptare, ndërmjet trojeve të djeshme etnike dhe trojeve të sotme shqiptare, d.m.th. ta rrudhësh shumë shtrirjen territoriale shqiptare dhe të zvogëlosh për disa herë numrin e «shqiptarëve» të sotëm, gjatë antikës dhe mesjetës. Engjëll Sedaj duke iu qasur etnonimit arbër mbështetet edhe në lëndën etnografike e të folklorit, por veçanërisht në rezultatet gjuhësore të prof. Çabejt, pa lënë anash këtu, vërejtjet dhe mendimet e historianëve si: Aleks Buda, Kristo Frashëri, Fanulla Papazogllu etj., pastaj gjuhëtarët Idriz Ajeti, Rexhep Ismaili, Dhimitër S. Shuteriqi etj. Në një kapitull të veçantë me mbështetje të mirë historike, historiografike e të arkeologjisë E. Sedaj trajton shtrirjen dhe vendin e formimit të albanëve antikë dhe Albanopolit të tyre. Në mbështetje të njohurive të sotme të historisë dhe sidomos arkeologjisë, këtë vend autori e gjen midis Matit e Shkumbinit, duke pranuar mendimin e Selim Islamit, për Zgërdheshin si qendrën më të madhe arkeologjike të njohur në atë zonë. Po këtu, autori i trajton nga shumë aspekte edhe marëdhëniet historike ndërmjet krahinave dhe qyteteve shqiptare gjatë antikës e mesjetës, duke i vënë në përdorim edhe disa çështje të ndikimeve gjuhësore, ndërmjet greqishtes e shqipes, të cilat shpjegojnë shumë çështje historike, edhe nga fakti se shqipes i mungojnë dokumente të shkruara gjatë mesjetës dhe antikës në krahasim me greqishten.

4. Aspekti biblik i shpjegimit të etnonimit arbër

«Shikuar sub specie mundi, - shkruan E. Sedaj – etnonimi alban, në këtë shkallë të vetëdijes së zhvilluar, dëshmohet në rrjedhat e fuqisë titanike traditore, që gjatë shekujve ishte më e fuqishme se raca, relegjioni dhe ekonomia». Le të shihet këtu edhe përkufizimi i përafërt i studiuesit Giusepse Schiro Juniori: «Duke krahasuar me kujdes shprehjet arbëreshe ndër shkrimet greke – të pabotuara, por që gjenden në shtyp – më ra në sy se në fjalën Arbër përmblidhen vlera kuptimore që kapërcejnë shënimin e thjeshtë si emër i një populli e se ky emër reflekton më tepër botën etnike të fisit». Këta ishin njerëz që jetonin në kultin atavik të lirisë së individit dhe të njëjtës strukturë familjare: më pëlqen të kujtoj se historianët bizantinë i quajnë Arbëreshët αβαδιεντοι, do me thënë, njerëz pa udhëheqës, pa kuryetarë. Ishin njerëz që u lëshojin grave, të rinjëve dhe të vjetërave kujdesin e shtëpisë dhe të arave dhe vijin si ideal të jetës trimërinë dhe respektin absolut të fjalës së dhënë, të besës». Ose edhe më saktë: «Ashtu si u tha për greqishten, ku shënohen dy grupe kuptimesh albanon e albana, me vlerë të njëjtë, dhe arbanhtiV. Chetta, duke iu përshtatur të folmes së kohës, përdor dy forma: një arbër dhe tjetra është «arbëreshë» dhe, ashtu si në greqishte, forma e parë shënon «arbreshin» apo shqiptarin si përfaqësues i fisit, ndërsa arbëreshë-arbëreshi shënon individin arbreshë në vetvete. Ndryshimi sot, duke dalë jashtë përdorimi fjala arbër, duket i stërholluar, por është lehtë për t’u kuptuar nga ai që njeh kuptimin e ri e të vjetër të fjalës arbëresh».
«Pra, kuptimi arbër është arbresh a shqiptar duke theksuar sidomos »fisin» si dhe dheu ku jetojnë Arbreshët e Shqiptarët. Pra, ku arbreshi vë vatrën e tij aty është «Arbër»: do me thënë «Shqipëri», (theksojmë se Chetta nuk përdor formën Arbëri). Rrjedhimisht Arbria nuk gjendet vetëm brënda kufirit politik të Shipërisë së sotme, por në çdo pjesë të dheut, ku dhizet flaka e një vatre shqiptare: në Greqi, në Ungari, në Rumani, Jugosllavi, Turqi, Itali dhe Amerikë. Vlerë mistike e fjalës: aty ku shqiptari vë gurin e vatrës së tij, ajo shtëpi bëhet Arbër. (…) është Shqipëri mistike, një Shqipëri spirituale me plotësimin e të gjitha vlerave morale që çdo shqiptar trashëgon nga autoriteti atëror dhe ja u pason pasardhësvet me besnikri».
Një përgjegjje e tillë e krahasuar me Skiroin besoj gjen shpjegim edhe te studiuesi i folklorit Shaban Sinani, kur vlerëson se: «tek krijuesit e moçëm të këngëve legjendare-shqiptare është kulti i vedlindjes, i malit, i dheut, i bjeshkës, i asaj që kovencionalisht do ta quanim »atdhe shpirtëror», ose një «habitat» ende i vagullt».
Që të dy mendimet, pra edhe mendimi i Skiroit edhe mendimi i Sinanit, që ndonëse merren me probleme të ndryshme, në fakt që të dy kërkojnë probleme thelbësore të etnisë, unë gjej një bazë biblike të shpjegimit, të lëvizjes së shenjëtorëve, ose saktësisht të Shën Mateut:
18.«Duke ecur gjatë bregut të Detit të Galilesë, Jezusi pa dy vëllezër: Simonin të quajtur Pjetër dhe Andrean, të vëllanë, të cilët po hidhnin rrjetën në det, sepse ishin peshkatarë;
19. Dhe u tha atyre: »Ndiqmëni dhe unë do të ju bëjë peshkatarë njerëzish».
20. Dhe ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën.
21. Dhe, duke vazhduar rrugën, pa dy vëllezër të tjerë: Jakobin, birin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllanë e tij, në barkë bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke ndrequr rrjetat; dhe i thirri
22. Dhe ata lanë menjëherë barkën dhe atin e tyre dhe i shkuan pas».
Ky shpjegim ka përgjegje në fushë të historisë, sepse vetëm njerëzit (individët) e tillë mund të bëheshin bartës të emrit që do të bëhet etnonim kombëtar. Për shumë shekuj, në një kohë kur vendi ishte i ndarë në principata e krahina nga më të ndryshmet. Nga pikëpamja sociale kjo dëshmon se bartësit e tij ishin shtresa popullore, që kishte një kulturë të caktuar dhe bazë të caktuar ekonomike-sociale. Nga aspekti etnokulturor kjo hipotezë afrohet me situatën historike dhe etnokulturore të krahinës së Arbërit dhe i afrohet shpjegimit gjuhësor e semantik: «fusharak», «arë» etj. Nga aspekti historik dëshmohet se kjo përhapje ka ndodhur më së voni, para ardhjes së sllavëve në Ballkan, po më i rëndësishëm është fakti se kjo nuk ka ndodhur në prag të vërshimit të sllavëve në trojet e tashme shqiptare, e madje as si rezultat i rrezikut nga këta, siç mendon Osman Myderrizi, por në një gjendje paqeje, pra në një shkallë të lartë kulturore dhe organizative, kur arbërorët dhe sllavët jetonin në fqinjësi të tolerueshme. Bartës i një kulture, mentaliteti a filozofie të tillë, natyrisht nuk mund të ishin struktura të popullatës së varfër dhe thjesht nomade, e as nga zonat me zhvillim të ulët, por sigurisht njerëz, që përfaqësonin një zonë të zhvilluar në aspektin ekonomik, secila e kulturor dhe njerëz me ndikim, që përfaqësonin një klasë me zhvillim të caktuar ekonomike-kulturore të kohës. Kjo zonë e pasur (me zhvillim blegtoral e bujqësor ishte Shqipëria e Mesme, ku shtrihej qendra e Arbërit dhe nëpër të cilën kalonte rruga interkontinetale Via Egnatia, pa harruar këtu luginat e përshtatshme për ndërtime të mundshme drejt qendrave bregdetare, nga zonat më të thella verilindore e veriperëndimore të trojeve ilirike.

5. Baza antroponimike e etnonimit arbër-shqiptar

Etnonimi arbër në dokumente të ndryshme sikur ka shkruar R. Doçi, që nga fillimi del me funksion antroponimik, patronimik, por edhe në kuptimin e përcaktorit të etnosit shqiptar. Këtë element e ka diktuar edhe Çabej, kur ka shkruar se: «paralel me emrin arbër si emrin etnik do të ketë shtrirë fushën e përdormit, duke përfshirë edhe popullin e vendit».
Interesimi për të barazuar etnonimin arbër/shqiptar del pas botimit të dokumenteve të mesjetës në «Acta Albania» të Shuflait e Jireçekut, nga shek XIV, kur del emri i familjes Schivipudar, Schepuder, Schapudar, Scapuder, e të një banori të qytetit të Drishtit afër Shkodrës që përmendet rreth vjetëve 1368-1402 në arkivat e Raguzës». E. Çabej e ka pasur këtë fakt parasysh në një artikull të vitit 1972, prandaj është shprehur se hipoteza e tillë meriton të gjurmohet më tej. Shembuj të tillë, me shumë interes nga Kosova, ka sjellë, sidomos Rexhep Doçi nga dokumentet arkivore të arealit latin dhe sidomos nga krisobulat serbe, si dhe Qemal Murati nga dokumentet dhe studimet sllave në Maqedoni. Ky i fundit ka mbrojtur edhe tezën e njohur për prejardhjen e etnonimit shqiptar me bazë patronimike, me argumentin se «Me kohë ky emër në formë të patronimizuar(familjarizuar) do të jetë marrë e do të jetë përdorur si ofiq, nofkë, dhe në këtë funksion do të jetë ngritur e përgjithësuar për mbarë popullin». Që emrat vetjakë marrin zhvillime të këtilla është edhe një gjë që provohet gjithkund. Më në fund edhe emri etnik arbër/arbën, arbnesh/arbëresh, i periodës antike e mesjetare,, që ishte në përdorim deri në kohën e Skënderbeut, para se të shfaqej emri i ri shqiptar, ka dalë në thelb nga një emër i vjetër fisnor Arban, Alban, të cilin e përmend Ptolemeu qysh në shek. e II pas krishtit». Për interesin tonë, mbase më e rëndësishme do të ishte, sikur të mund të shpjegonim vetë etimologjinë e trajtave të patronimeve Schepuder, Scapuder etj., dhe më pastaj të diskutohet një prejardhje e mundshme e emrit shqiptar nga ky patronim. Përndryshe, një shembull i vetëm, zor se mund t’ i qëndrojë metodës së rreptë shkencore, ku për një tezë do të duheshin së paku tri dëshmi të qëndrueshme, qoftë edhe në kundërshtim me njëra-tjetrën, por që njëkohësisht i plotsojnë ndryshimet brenda tërësisë.
Rezultatet e historianit Muhamet Pirraku për vendin e formimit të etnonimit shqiptar dhe për motivin e një emërtimi të tillë, këtu janë të rëndësishme për tri çështje të hapura dhe një përfundim:
Së pari, një vazhdim i kahershëm për të parë etnonimet arbër dhe shqiptar në kontekst vetëm të besimit katolik dhe besimit islam;
Së dyti, rindërtimi i tezës se «emri kombëtar për popullin dhe vendin është autokton, vazhdues i një popullsie ilire ose shumësi i emrit të banorëve të një qyteti dhe pikërisht nga Shkupi Shkypi -shkyptarë, shkuptarë, shqiptarë, siç mendonte dijetari Qiro Truhelka, por me plotësimin e Muhamet Pirrakut se area e vendformimit etnokulturor i popullit dhe i gjuhës shqipe është bukur më i gjerë se shqiptarët, ku jetojnë sot»; dhe
Së treti, i ashtuquajturi «zbulim» i emrit kombëtar «pas islamizimit masiv të shqiptarëve në ish zonat e ndikimit politik e fetar mesjetar serb, që u krye përfundimisht deri në mesin e shek. XVII».
Sa i përket motivit prej të cilit shqiptarët kanë marrë emrin, Pirraku zgjedh shqiponjen, një element të njohur edhe në përmasa shkencore, dhe të diskutuar sidomos nga studiuesi i shquar Maksimilian Lamberci, por duke e parë në përmasa më të gjera. Muhamet Pirraku i ka bërë një përshkrim të detajuar vijimsisë së përdorimit të këtij simboli nga pikëpamja historike dhe kulturore dhe ka nxjerrë në përfundim se: «teza se shqiptarët quhen sipas shpesës shqipe si totem e orë trimërie është tezë e vetme që buron nga kultura shqiptare, që është e mishëruar në kulturë shqiptare shpirtërore».

6. Aspekte gjuhësore (onomastike) të rrënjës alb- arb-

Problemi i kohës së paraqitjes së rrënjës së etnonimit arb-, alb-, dhe sidomos i tingujve r/l është njëra nga temat më të rrahura nga aspekti i fonetikës historike mbase në gjithë etimologjinë e leksikografisë dhe onomastikën shqiptare, nëse këtu përjashtohen disa probleme të guturaleve.
Shkaqet janë të shumta: dalja në dy trajta dhe në kohë të ndryshme brenda vetë shqipes, mungesa e një tradite dokumentare për zhvillimin e brendshëm të shqipes krahas burimeve që na i ofrojnë të huajt, pozita e saj në shkallë të zhvillimit të gjuhëve indoevropiane dhe sidomos në shkallë të zhvillimit të gjuhëve fqinje gjatë antikitetit dhe mesjetës etj.
«Gustav Majeri rrënjën e arbërit e nxjerr nga baza i.e. «albh» në lidhje me lat.albus; Petar Skoku te një alb-, arb- gjen një rrënjë paraindoevropiane, sikur edhe Vinçenc Dorsa e M. Pavlloviç, bazën arb- e gjen me bazë ilire. Idriz Ajeti duke prezantuar mendimin e Holger Pedersenit, shpreh mendimin e tij se trajta alb- është sekondare e dalur nga baza arb-. Shuflai mugesën e r-së te Ptolemeu e sheh te ndikimi padyshim i bazës paraindoevropiane.
Profesor Shaban Demiraj mendon se trajta latine:«Arbanum, Albanum (-r->-l-) lidhet me trajtën më të herëshme Arban», por mendon gjithashtu se «me sa duket trajta me nistoren /-al/ ka pasur një përdorim më të dendur ndër banorët e përtej Adriatikut, sepse ndër italianët dhe nëpërmjet këtyre edhe ndër popujt e tjerë të Evropës, është përhapur me nistoren /-al/». I vetmi problem i paqartësuar nga këto trajta, sipas Demirajt është burimi i trajtave greke Alvanoi (a Albanoi?), Arvanon (a Arbanon?), arvanitis, që dëshmohen në shekujt XI-XII».
David Lluka është përpjekur që çështjen edhe njëherë ta shtrojë nga aspekti fonologjik. Ai shkruan: «Për mendimin tonë trajtat me l dhe me r paraqesin dy variante të ndryshme fonetike të të njëjtit emër (megjithëse historikisht përpara bashkëtingëllores pëlcitëse buzore e dhëmbore l-ja përgjithësisht ruhet e pandryshuar». Lluka gjithashtu ka përkrahur një mendim të H. Krahes për praninë e prapashtesës -an dhe në ilirishte, por sikur edhe Çabej më parë, e ka kundërshtuar Joklin për një prejardhje latine të prapashtesës -esh.
I shikuar edhe më hapur, problemi i tingujve r/l na del përgjithësisht me zgjidhje të kënaqshme edhe në shkallë të studimeve indoevropiane. Bie fjala linguisti Lenard Blumfild ka konstatuar se «gjuhët indoevropiane tregojnë po ashtu edhe një mosdallim të vjetër të l-së dhe të r-së që është shpjeguar si shkak i substratit, i cili kishte vetëm njërin apo asnjërin nga këta tinguj».
Zgjedhja e këtij problemi në gjuhësinë shqiptare, besoj se këtu do të jepte përgjigje edhe në disa çështje të rëndësishme të fjalorit etimonologjik, sidomos në lidhjet dhe ndërndikimet gjuhësore shqiptaro-rumune dhe në lidhje me rotacizmin e praninë e tij në gjuhësinë ballkanike. Ne këtu po e shtojmë edhe një mendim të Giuseppe Schiro Jr., që jo vetëm në aspektin historik, por edhe gjuhësor e ndihmon çështjen tonë: «Nuk duhet të jesh glotolog për të zbuluar që albanoV e arbër janë fjalë të një rrënje, e se arbër – gegërisht arben – është rezultat i një evolucioni fonetik gjatë shekujsh në gojën toske. Nëse ne marrim në shqyrtim zhvillimet semantike të albanoV nga popullsia greke e Epirit që jetonte bashkë me Arbëreshët dhe rrjedhimisht nga kronisti i Tokajve – i cili ishte një grek fanatik nga Janina, - ne mund të depërtojmë në vlerat semantike të fjalës «arbër, vlera semantike e të cilit na reflektohet nga gjuha greke dhe motike, e cila nuk ishte e panjohur nga të parët tanë».
«Fjala albanhtiV përkthen termin arbëresh dhe shënon arbëreshin në individualitetin e tij: albanhtai a albanhteV janë shumë Arbëreshë, duke llogaritur përmendësh shumicën një me një. Kjo është forma që i qëndroj kohës: e vetmja sot në përdorim në greqishten dhe motike».
«To albanon është një fjalë neutre (asnjënëse), me kuptim kolektiv e mund nënkupto genoV =fis.»
«Të gjithë popujt tjerë, duke u marrë në entitetin global të tyre, shënohen zakonisht me emrin mashkullor, njëjës apo shumës, por jo me trajtën neutër».
«Lirisht dhe haptas të shkoj për mes të krahinave arbëreshe, është e qartë se këtu për metonimi ta Albana shënon jo aq Arbëreshët sa krahinat e banuara nga Arbëreshët. Nga këtu del se çdo krahinë e banuar është në vetvete albanhon».
Pavarësisht nga të gjitha zgjidhjet e mundshme historike, etnokulturore, historike dhe sidomos gjuhësore, mendojmë se përgjegja gjuhësore e Eqrem Çabejt në këtë tërësi është jo vetëm më relevantja, por edhe më e mundshmja. Duke pasur parasysh të gjitha rezultatet e arritura E. Çabej ka dhënë këtë shpjegim: «Gabim e kanë spieguar sll. Arbanas- me mjete gjuhësore sllave, e të (BER 1 14) prej gr. Arbanos Albanos, e cila në pajtim me kohën e këtij huazimi të pretenduar, nuk mund të kish dhënë tjetër veç se një emër me arv-; kjo Arbanas rrjedh nga një zgjerim sot i zhdukur, i shqipes me -as, format për emra banorësh, si vendas, Beratas».
Krahe (PN 145) gjen këtu, në një mënyrë gjuhësisht dhe gjeografikisht mjaft bindëse, një sufiks -ano të ilirishte. Më pak afër mendësh është mendimi i Galboit (Ling. balk. VI. 78) që emri etnik i Ptolemeut të përbëjë sufiksin -eno/-ano të trakishtes».
Sa i përket sistemit gramatikor, sipas Çabejt, prapashtesa -esh, me nyje Arbëneshi e i Arbneshi janë më të vjetra se Arbnesh, pa nyje.
Eqrem Çabej pranon trajtën arb- e jo alb- si primare, duke pranuar mendimin e Gustav Majerit e Pedersenit, mendim ky edhe i dijetarëve të tjerë. Trajta albresh albrisht thotë Çabej «është një ndikim i italishtes albanese e një disimilim r/l. Edhe historikisht arb- del më e vjetër. Vetëm prej kohës së Anzhuve(1271) e këtej del më fortë me alb-, e nga të cilat rrjedhin trajtat e gjuhëve gjermane e prej këtej edhe gjuhëve të tjera».
«Duke u nisur nga arb- siç del te arb-ën(ë) nga një më e lashtë *arb-an, e duke e ]uar atë te një formë bazë *arv- e kohës antike e mesjetare e hershme, me betacizëm rv:rb, si te korb nga lat. corvus, mund të afrojmë këtë fjalë me lat. arvum »arë, tokë e punuar, fushë», umbr. arvam-en »in arvam» gr. aronra «arë, tokë buke», irl. e mesme arbor shm. arbanna «drithë», arm. haravunk «tokë buke»; aty Pederseni KG I 63 vendon ndër të tjera edhe sll. e vjetër kishtare rabëno «i rrafshtë»; po pa gjetur miratim të përgjithshëm. Me këtë mënyrë të dhënat gjuhësore, historike dhe territoriale tregojnë që emri arbër arbën është më fortë me gurrë indoevropiane, një alb- indoevropiane duke u përjashtuar vetvetiu me dëshmitë historike, të brendshme e të jashtme. Kuptimi i parë i fjalës rezulton të jetë kështu «arë, fushë, rrafshinë», khs. u dynd mal e arbër, që u përmed më lartë. Emërtimi analog me atë të Polonisë, Polska polje «fushë arë».
Me këtë përkufizim Çabej veç të tjerash hodhi dritë të re në dy probleme kardinale: së pari nga aspekti fonetik rrëzoi një hipotezë të përsëritur gjatë dhe shumë shpejt, për një bazë paraindoevropiane të rrënjës alb- dhe së dyti nga aspekti semantik ndërpreu një metodë po kaq të përsëritur për etimologji për hirë të metodologjisë, sikur do të shprehej edhe vetë Çabej.
Mbi këto rezultate të Çabejt, Rexhep Doçi nxori edhe një varg përfundimesh me interes për onomastikën:
-së pari, mendimi i Çabejt, sipas R. Doçit “është çelës për gjetjen etimologjike e kuptimore edhe të shumë antroponimeve, patronimeve e toponimeve kosovare e më gjerë të tipit arb-(arv-)
-së dyti, edhe më parë Doçi kishte vërejtur se shumë emërtime të hershme janë me burim konfiguracioni;
-së treti, mbante qëndrim rreth dilemës, nëse antroponimet dhe patronimet me kuptim et¬nik arbanas janë përdorur për të treguar përkatësinë etnike apo për të treguar aspektin kon¬fi¬gu¬racional të pronës.
Në këtë mënyrë Çabej jo vetëm përjashtoi rrënjën alb- nga një prejardhje parain¬doev¬ro¬pia¬ne por dëshmoi se pikërisht rrënja arb- ishte ajo që hynte në bazën indoevropiane, krahas gju¬hëve të po këtij trungu.

7. Etnonimi arbër në gjuhën sllave

Dy çështje janë historikisht të rëndësishme kur shtrohet etnonimi arbër në gjuhën serbe. Çështja e parë lidhet me praninë e emrit mesjetar në dokumentet serbe që në shekullin XII. Një element i dytë po aq i rëndësishëm në krejt historinë e studimit lidhet me një përfundim të Gustav Majerit, sipas të cilit emri i krahinës së Labërisë duhet të ketë dalë me metatezë nga një Albëri, sipas një ligje fonetike të sllavishtes dhe prej të cilit janë orientuar shumë përfundime të gabuara jo vetëm lidhur me etimologjinë e etnonimit arbër, por edhe me shumë toponime tjera. Ndonëse Gustav Majeri vetëm pak më vonë e ka përmirësuar mendimin e tij, vërragët e kësaj teze nuk janë tejkaluar as sot e kësaj dite.
Ndër studiuesit e mëvonshëm Petar Skokun e ka përmirësuar Idriz Ajeti, i cili mbrojti mendimin e Çabejt të dalë pak vite më parë, madje duke shtuar edhe ndonjë shembull konkret të kolonive shqiptare(arbërore). Eqrem Çabej më vonë edhe njëherë, ka ndërruar mendimin e tij për emrin e vendit e pastaj të popullit si kuptim të parë. Këtë mendim Çabej e kishte formuluar që te Gjeneza, në vitet ’30, por e ndërroi në disa artikuj të viteve ‘60, sidomos në studimin e rëndësishëm «Shumësi i singularizuar në gjuhën shqipe»(1967), botuar së pari në gjuhën gjermane që në vitin 1959. Ashtu sikur kam thënë më parë, edhe këtu mendimi i Çabejt i detyrohet zgjidhjes gjuhësore të problemit në fjalë, përndryshe të gjitha rrugët e sistemeve dhe relacioneve etno-historike të sistemeve dhe relacioneve të onomastikës shqiptare ]ojnë kah rendi antroponimik, patronimik dhe toponimik. Sipas Çabejt «me arb- paraqitet emri në gjuhët ballkanike popullore, që në mesjetë (...) prandaj bie edhe mendimi i një rrjedhe sllave të emrit shqip lab, Labëri, të përfituar kinëse prej alb- me metatezë likuidesh të sllavishtes: kur vetë gjuhët sllave kanë vetëm arb- ose rab-, do t’ishte një mrekulli që një krahinë shqiptare të ketë zhvilluar edhe ruajtur një lab- sllave që nuk del gjëkund me këtë kuptim në sllavishten popullore».
Pra, sikur mund të shihet, në dokumentet serbe etnonimi arbër, fillimisht paraqitet si: Rabanë, Arbënë, Arbanasin, Raban etj. Studimit të tyre i janë qasur Latif Mulaku, Rexhep Doçi dhe Qemal Murati nga aspekti gjuhësor dhe Muhamet Pirraku në aspektin kulturo-historik.
Latif Mulaku duke u marrë me emrat etnik të popullit shqiptar në fjalorin e Vuk Karaxhiçit, pasi shënon të gjitha trajtat: «Arnautin (me kuptimin ‘shqiptar’), Arnautka (‘shqiptare’), ktetiku arnautski,-ka, -ko (për kuptimin e mbiemrave ‘shqip,-e’; ‘shqiptar,-e’), pastaj edhe foljen me -iti; arnautiti(‘shqiptarizoj’) dhe emrin foljor arnauqenje (‘shqiptarizim’)» përfundoi se fjala është për rrënjën turke arnaut sipas këtyre rregullave fonetike dhe gramatikore: «nga emri etnik i greqishtes mesjetare u përftua emri i osmanishtes respektivisht i turqishtes Arnavut (më parë Arvanit), e kjo ndodhi me rënien fonetike të mbaresave -is, -ai,(-oi) të gjuhës së huaj dhe nëpërmjet metatezës v-n>n-u, e pastaj në kalimin e zanores i në u kur kjo është në pozicion pas bashkëtingëllores v sipas harmonisë a përputhjes fonetike të gjuhës turke, sipas së cilës v-ja kërkon u(-vu)». Sipas tij Vuku e mori emrin arnaut nga turqishtja dhe e shënoi në pajtim me gjuhën popullore, që është në pajtim edhe me mendimin e Sh. Demirajt për dy trajta paralele të emrit arbër në gjuhën popullore dhe në gjuhën e shkruar edhe të krahut oksidental.
Kur jemi këtu, te disa procese gramatikore e fonetike, është interesant një mendim i Shaban Demirajt për trajtën më të vjetër sllave Rabënë dhe arbanas. Sipas tij «trajta më e vjetër sllave është Rabënë, -është krijuar më herët, pra kur janë takuar stërgjyshërit e shqiptarëve dhe sllavëve, ndërsa trajta arbanas është pranuar nga forma librore dhe njerëzit e shkolluar në vise evropiane».
Një pyetjeje të mundshme, sepse këtë trajtë Rabënë e kanë vetëm dokumentet serbe, e jo edhe ato bullgare, kur dihet se shenjat më të moçme sllave janë pikërisht të ndikimit bullgar, do të mund t’i përgjigjeshim në interes të saktësimit të problemit në fjalë. Trajta Rabënë u krijua, jo kur sllavët u dynden në trojet shqiptare, por kur jetonin në fqinjësi me ta dhe natyrisht këmbenin marrëdhëniet materiale dhe shpirtërore të tyre.
Rexhep Doçi etnonimin arbër në gjuhët përkatëse të kohës e gjen në dokumentet sllave-latine në Kosovë, në funksion antroponimik, toponimik e patronimk, por për studiuesin në fjalë, me rëndësi është se këto trajta dalin edhe «në kuptimin e përcaktuesit të etnosit shqiptar». Rexhep Doçi e ka përcjellë historinë e emrit Arbanas deri në shek. XIII(1208), kur nga dokumentet sllave nxjerr termin arbanas(si përkatësi etnike) dhe më tej në shekullin XIV(1330), në Krisobulen e Deçanit. Për pjesën lindore të Kosovës Doçi ka vjelë një inventar të pasur me bazë në etnonimin arbër nga Libri i borxhlinjëve të Llukareviçit (shek. XIV), të cilin nga Arkivat e Dubrovnikut e ka nxjerrë dhe botuar Mihailo Diniçi. Shtresën turke Doçi e ka vjelë nga Defteri Obllast Brankoviça dhe Defterët e Sanxhakut të Shkodrës të shek. XV. Rexhep Doçi gjithashtu ka shënuar një inventar të mbledhur në Kosovë dhe me gjerë të patronimeve, ojkonimeve dhe sidomos toponimeve me rrënjën arbër të cilit ne do t’ia shtonim patronimin Arbneshi në Prizren.
Qemal Murati më parë në një recension polemizues me studiuesin e gjuhësisë maqedonase Petar Ilievskin, e pastaj në dy vepra të tjera ka radhitur një dyzinë toponimesh, antroponimesh e patronimesh të trojeve etnike shqiptare në Maqedoni, nga dokumentet arkivore, nga ato të botuara, të terrenit, të letërsisë popullore dhe të toponimeve me funksione mbiemrore, të cilat, siç përfundon autori, «tregojnë vendin e arbëreshëve, ku kanë jetuar ose ku jetojnë shqiptarët (arbëneshët, arbëreshët)».
Si onomasticientët ashtu edhe historianët e gjuhëtarët shqiptarë, një kohë të gjatë, me ndonjë përjashtim janë të prirur që kur ndeshen me studimet sllave të kësaj problematike etnikumin shqiptar të këtyre trevave ballkanike (Kosovë, Maqedoni, Serbi Jugore e Mal të Zi), ta shohin në vëllimin e pranisë së etnonimit arbër, i paraqitur këtu si patronim, toponim, ojkonim etj. E deri sa studiuesit shqiptarë, vendbanimet me emrat etnik arbër/shqiptar i gjejnë si dëshmi të fundit për të dëshmuar praninë e më shumë apo më pak të elementit etnik shqiptar në këto troje, krahas atij sllav, e jo si element të përhershëm para atij sllavë, atëherë edhe studiuesit sllav mbeten të patrembur në mendimet e tyre. Kur jemi këtu, që më parë duhet ngulur këmbë që duke njohur që më parë rrjedhat historike, studiuesit shqiptarë nuk duhet të pranojnë diskutimet për «praninë e elementit etnik arbëror/shqiptar krahas atij sllav», por për praninë e elementit sllav në tërthoret etnike shqiptare të Ballkanit, edhe pse duhet pranuar një element hendikepues tonin që diskutimet zhvillohen kryesisht duke u mbështetur në dëshmitë arkivore, madje kryesisht kishtare sllave, pasi dokumentet arbërore/shqiptare vendase, me përjashtim të mbetjeve onomastike, mungojnë ndërsa arkivat perëndimore ende nuk janë hulumtuar në masë të kënaqshme.
Toponimet e këtij lloji, për etnitë tjera, ose që në mënyrë të tërthortë i shpjegojnë ato krejtësisht. P.sh. Vorri magjupit, Vorret e shkive (le të përkujtojmë se bie fjala në fshatin Makresh i Poshtëm (Gjilan), toponimi Vorret e shkive, shënon tri varre të shqiptarëve të varrosur aty pas luftës së parë botërore, pasi këta shqiptarë të besimit islam pas pushtimeve serbe kishin pranuar me dhunë besimin ortodoks), Vorret e muhagjerëve etj. Etnitë e tilla (sikur edhe e shqiptarëve në Maqedoni) nuk dëshmojnë shumicën, por pakicën dhe pikërisht ashtu siç e shpjegon Ilievski, sado edhe ai e di se ato zona të Maqedonisë Perëndimore përfshijnë hapësirën e brendshme të trojeve etnike shqiptare dhe nuk mund të flitet për etni tjera në këto anë, përveç ndonjë grupi etnik që nuk janë tjetër veç grupe nomade, sikur janë vllehët. Pra, çështja e diskutimit ndër studiuesit shqiptar ]alon në metodën e studimit. Çështja e përhapjes së toponimeve me bazë në rrënjën arb-, si në brendi të vendit ashtu edhe në periferi, si në gjuhën e vetë shqiptarëve ashtu edhe në gjuhët fqinje do parë e lidhur me disa çështje të pazgjidhura jo vetëm të natyrës gjuhësore, por edhe historike, etnografike, sociale etj., si:
-Ç’është mbetje historike e toponimit me bazën arb- alb-?;
-Ç’është e bartur nga goja shqiptare dhe ç’është e gjuhëve fqinje?;
-Ç’është e ruajtur me gjelozi (mbështetje materiale a shpirtërore), e ç’është metaforë librore?, etj.
Fakti që etnonimi arbër nuk kishte karakter krahinor por gjithëkombëtar dhe duke iu kthyer edhe njëherë përfundimeve të Skiroit dhe Shaban Sinanit, të cilat i nxora me bazë biblike, ne dalim me hipotezën se bartës të emrit arbër nga Shqipëria e Mesme, së paku deri tek dyndja sllave në Ballkan, ishin «nomadët e lirë» që në gjuhën e sotme do të mund të quheshin «shtegtarë të lirë» arbërorë, të cilët vepronin si brenda ashtu edhe në skajet e trojeve etnike të arbërit, apo sikur shprehej Skiroi, aty ku ndizej një zjarr, aty ishte Arbëri. Kjo hipotezë jona i përgjigjet edhe mendimit të Çabejt se së pari u formua emri i vendit, e pastaj doli emri i populit.

8. Etnonimi arbër-shqiptar dhe stërkeqja e tij

Stërkeqja e emrit arbër është njëra prej çështjeve më interesante që del në rrugën e vijimsisë së studimit të kësaj teme.
«Çabej fjalën arbër e ka shënuar në anët e Tomorit për «kalama», në purishten, gjuhën e fshehtë të mjeshtërve(muratorëve) të Oparit, fjala arbër përdoret për «bari» si dhe një rast tjetër në Okushtan të Dibrës ku «arbni» është «dimër i fortë».
Le të shënojmë këtu se legjenda e kësaj teme lidhet edhe me një objekt natyre të fshatin Kështenjë të Krajës, Mal të Zi.
Sa i përket Kosovës, me interes më duket edhe një shënim i Rexhep Doçit, i cili në fshatin Llapçevë të Llaushës ka shënuar një lagje, e cila pos emrit Avdiaj, e kishte edhe emrin përbuzës Abneshi.
Krahas përpjekjes për të kurorëzuar mendimin e tij, Engjëll Sedaj sjell edhe mendimin e prof. Çabejt për përdorimin e stërkequr të etnonimit arbër, që unë këtu po e sjell më të plotë nga një botim më i hershëm: «një stërkeqje analoge (me malësorët e Veriut të Shqipërisë, - B.B.) ka pësuar në Vlorë fjala arbëresh: Arbëror siç dihet quhen banorët e Arbërit, pra të një pjese të Labërisë e të rretheve të Vlorës (…). Qytetari i Vlorës, Arbëreshët, bariut të vrazhdë dhe shumë herë të ndyrë të maleve që zbresin në qytet, i dha një kuptim pejorativ si «njeri i ndyrë, i pagdhendur» tamam siç ndodhi me malokun në Veri». Në këtë rrugë mbase do parë edhe shprehjet e mëvonshme: shqiptar e katundar (Gjakovë), qytetar e katundar, sheherli e malok etj., të cilët s’ka dyshim se dolën si rezultat i ndryshimeve sociale – ekonomike e kulturore, e jo krejtësisht fetare, sikur insiston autori.
Shooter-Ks
Shooter-Ks
Legjend
Legjend

Numri i postimeve : 5077
PIKE : 6303
Popullariteti Popullariteti : 41
Data e regjistrimit : 11/06/2010
Mosha : 28

http://www.deqani-ks.all-up.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi