Deqani-ks
Deqani-ks Forum - Welcome

Mire se vini ne Deqani-ks Forum, Ju ftojme qe te Regjistroheni, ne menyre qe te keni aksese ne te gjitha kategorit dhe temat, ne Deqani-ks Forum, mund te gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe te huaj, Muziken me te re 2011, DVD Humore shqip, Keshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet me te reja nga vendi dhe bota.

Gjergj Fishta Lahuta Malesis

Faqja 9 e 9 Previous  1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Re: Gjergj Fishta Lahuta Malesis

Mesazh nga Shooter-Ks prej Thu Jul 01, 2010 11:52 am

Gjimojn topat e havanat,
Shprazen gjylet breshen lshue,
Si ajo rrfeja tue bumbllue,
Mêt e krés me t' u dermue!
I u dha zjarmi Rumelís 195
'Dhè prej flaket e stuhís
Ulurojn nierz e shkrebé,
Shamë rroposen rrash per dhé
Ledhe, pleme, fshate e tbâna,
Gjytetet janë bâ murana. 200
Me çilë bollat mrendë dikúr:
Edhe u dha atý nji zhumhúr,
Nji piskamë, nji vikame,
E njí erë, e njí poterë,
Vrrimë, e krísme, edhè zhaurrí, 205
N' vend Balkani, thue, u turrshî.
Të varruemt, trinue per dhé.
Mbetë e lmekë, e ftyren zbé,
N' hurdhë të gjakut t' vet humue,
Píjt me dorë rreth tue ravkue, 210
Tuj u lvitë, randë tue livrue,
Si atà krymalesht m' drû,
Se ç' gerthasin, se ç' piskasin,
Kualt katana m' ta kah shklasin,
Kah të mathtat rrota t' topavet 215
Angrra e trû larg u a sterklasin,
Tuj i a njeshun landve e krepave,
Me i u dhîmtë gurit e drûnit!
Kuq <<Marica>> gjaku s' nieri
Leqe - leqe rrmen kurrnê; 220
Po vlon << Tuna>> gjiri m' gjiri,
Dyndet tymi nalt mbí rê.
Muzë âsht qiella; per nen kamë
Trandet toka e ushton nji gjamë,
Thue, termeti shungullues 225
Po shperthen angrrat e dheut.
Vapa e tymi terratues
Anë e kand kobshim mbertheu
Dy lutrâjt e rrebtë t' Balkanit
Trim Bulgarin, Turkun t' eger: 230
T' cillt pa rrâ m' at log mejdanit,
Pa i a nisë me u bâ atà fleger,
Nji bé t' madhe po e ki'n bâ:
M' qitáp Turku, m' Kryq Bulgari:
Se gjallë pushken s' ki'n m' e prâ, 235
Per pa e ndezë Balkanin zhari,
Furrë gelqerje rreth e çark
Njani shojn pa vû perfundi
Pa i a vûmun shtjelmat m' bark,
Shpirtin pa i xjerrë perdhuni! 240
Si dý rê qi 'i natë dimnore,
Njana shkputë prej jugut fíll,
Turr lshue tjetra rribës verjore,
Vîn e ndeshen per nen qiell:
E kû t' ndeshen nper ajrí, 245
Per mbas rrymet qi i ngarmon,
Si kulshedrat me furí,
Njana m' tjetren rrebtë sulmon:
Edhè at herë, ashtû t' u bue,
Flakë per flakë i a ep vetima, 250
Lvitë rrfeja tue vershllue,
Rreh permnershim bumbullima,
Ushton toka, gjimon deti,
Edhè brej, aha e çetina
Rriba e erës i rrmen me veti 255
Si ato coklat nper zallina:
T' i a ep breshni edhè shtergata,
Shamen currat gjatë rrmoreve,

Shooter-Ks
Legjend
Legjend

Numri i postimeve : 5077
PIKE : 6303
Popullariteti Popullariteti : 41
Data e regjistrimit : 11/06/2010
Mosha : 20

http://www.deqani-ks.all-up.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Gjergj Fishta Lahuta Malesis

Mesazh nga Shooter-Ks prej Thu Jul 01, 2010 11:52 am

Prroje e shé nper gryka t' thata
Gallamarde rrmejn fushoreve: 260
Kshtû Bulgari e Turku perlá,
Rrijn shoshojn tue e shtý pa dá,
Njani tjetrin n' gjak tue e lá.
Plûhen, flakë e tym i zí
Rreth per çark i kà pershî; 265
E kah hapen me furí
M' kambë shoshoqin per t' perpî,
Pushka e topi edhè tue zí,
Kobshim qiella rrin tue ushtue,
Thue mbí tokë po don me u lshue, 270
Avra - avra ajo shperthye.
Kúr qe Turku erdh e u thye,
E u terhoq e u vû me kthye
Krejt lá m' gjak e keq shemtuem,
N' at Stambollë per t' u ngujuem. 275
M' shpinë Bulgari atbotë i u shtrî;
M' pushkë e m' top m'tê m' nja tue shtî,
Dér n' Çatallxhe qi ká mrrî,
Prej kah nieri per nen dorë
Lehtë hjedhë peshen mbrendë n'Stambollë. 80
Si nji lum qi, dalë prej amet,
Bjeshkve bora ortek kah shamet,
E lshojn prrojet e malcís,
Deperton gjthkah zallís:
Kshtû at herë Shkjau i u rras Shqypnís 285
M' Kaçanik, e m' Adrjatik,
Veleçik, e Salonik,
Tue ndrydhë vendin nder çapoj:
Vra, e pre, e lidh n' vargoj,
M' dajak gjinden per dhé shtroj, 290
Bâni plaçkë e trollit dboj;
Edhè lufta ashtû maroi.
Franc Jozefi kúr ká ndie
Se u rras Shkjau mbrendë n' at Shqypní,
Se ç' âsht mbushë aj me mëní, 295
Se edhè fort ç' erdh tuj u idhnue
E as s' u mat mâ as s' u hutue;
Por çoi m' kambë tetqind taborre,
Mirë e mrefi at shpat mizore,
Mrefi shpaten e mejdanit, 300
E u çon fjalë Shkjeve t' Balkanit:
N' krye t' tetë ditvet, tue marrë dielli,
Prej Shqypnís me dalë ju filli:
A per ndryshe mirë t' a dini
Se. per Zotin, m' shpinë më kini, 305
E at herë s' dij se ç' bâj mbí jue.
Rregji i Itales fort âsht gzue.
Franc Jozefit fjalë ká çue:
Se edhè mue me vedi m' ké,
Per t' i rysun këtà Shkjé: 310
Këta slav, qi kan marrë krye,
Edhè m' shpinë duen me na kcye,
Me na lânë t' dyve pa sý.
Se as e mjera moj Shqypní
S' ká kend mik as kumarí. 315
Qi me hî asaj zot me i dalë
Turrin Shkajut per me i a ndalë
Qi, i terbuem gjithmonë e i eger,
Po don sod m' e bâ krejt fleger
Thue se aj zot âsht bâ m' Europë. 320
Krajli i Inglizit se ç' âsht vrâ;
Zâ t' gjashtë Krajlave u ká bá:
Amanet, mos me pritue
Në London na me u bashkue,
Per me folë, me kuvendue; 325
Se Balkani âsht tym e njegull,
E po bân, prit, Zot! ndoj tjegull
Me na rá krés edhè né...
Prej Balkanit hajr nuk ké!

Shooter-Ks
Legjend
Legjend

Numri i postimeve : 5077
PIKE : 6303
Popullariteti Popullariteti : 41
Data e regjistrimit : 11/06/2010
Mosha : 20

http://www.deqani-ks.all-up.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Gjergj Fishta Lahuta Malesis

Mesazh nga Shooter-Ks prej Thu Jul 01, 2010 11:52 am

Konferenca e Londonit

Hej, moj Zânë, ti kjosh e bardhë!
Tridhetë herë, mana, rreth diellit
Hausit t' qiellës toka ká ardhë,
E aq herë lulet njethë janë Prillit,
Se ti, purë m' <<Lahutë t' Malcis >>, 5
N' hullí menden mbajtë m'a ké,
Qi të mûjshe vetë nipís
S' kohve t' vona enè per t' lé,
Me u kumtue me 'i kangë kreshnike,
Si erdh t' u regjë mendja e Shqyptarit, 10
Prap per t' gzuem lirín jetike,
Trashigim lânë atij prej t' Parit:
E sa u bâ gjaku e medeti,
Sa u tuer rrêna edhè tradhtija,
Dér qi duel Shqypnija m' veti, 15
Si premtue kisht' Perendija.
Por, qe, tash na u kapem m' cak:
Gjatë Parnasit mjaft m' ké rrekun
Mriz e m' mriz, a lak më lak:
Kangës ktu spiku tash do hjekun. 20
Veç se po, moj bjeshkatare,
Krah m' krah bashkë na tue këndue,
Ndertue kemi 'i pomendare,
Rrfé as mot mos m' e dermue.
N' at London, larg n' at dervend 25
Të shtatë Krajlat bâjn kuvend,
Bâjn kuvend me shoqishojn:
Per Shqypní po bisedojn:
Ashtû ndêjun rend mbas rendit
Me at Inglizin n' krye të vendit. 30
Prá, per Zotin, moj Shqypní,
Oren çuet, tham, ti m' a ké!
Nji pllamë vend, nji grusht njerzí,
Vllá as fis kurrkand mbí dhé,
Bukë pa bukë, e qe se prap 35
Té shtat Krajlat çue ké peshë;
T' cillt po ngasin turr e vrap
N' at London m' shoshojn me u ndeshë,
Per me folë, me bisedue,
Nji zojë m' vedi tý me t' qitë, 40
Shkjaut e Turkut me t' lirue:
Prap Kunora m' báll me t' ndritë,
Porsi t' ndriti dikur motit.
Me gjithkta, por larg nuk shkon
E me i vrá ká rrfeja e Zotit 45
T' shtatëtit, mledhë si janë n' London;
Persè rrumull pesqind vjet
Të randë Turkun me t' shtypë.
Me t' thá n' shpírt, dér qi simjet
M' shtjelma Shkjau atij s' ká hypë. 50
Jo, po, gjaku i bijve t' ue,
Moj lum nana, e njatà lot
Qi ti derdhe, janë tue vlue
E gjýgj lypin prej s' Tynzot.
Krajli i Inglizit, nji telbis: 55
Me çá qymen per mjedis:
Veç, me gjasë, pak si i pabesë
Ç' i a ká vû aj gishtin krés
Se edhè fjalët fort po i peshon,
Kah ká mârrë e ligjiron: 60
Si t' i a bâjm e tek t' i a bâjm;
Se na pykë, trima, kem' rá
Me Shqypní, sa mâ nuk ká!
Porsa krisi n' at Balkan
Pushkë, e top, edhè havan, 65
E i a nisen me u shemtuem
Turk e Shkjá idhtë tue luftuem,
Tue pá Turkun se per ballë
T' Shkjaut, qi luften kishte kallë,
Zot Shqypnís s' po mund t' i dalë, 70
E ká bâ pleqní n' Stambollë
Né Shqypnín me na e lshue n' dorë,
Qi, pa mbajtë na krah as pajë,
Ktû t' a dájm fatin e sajë;
A tue njoftë si Shtet të lirë 75
E krejt m' vedi: a se mâ mirë,
Ndoshta, Shkjaut na tue i a dá,
Si bashtinen -- vllá per vllá,
Si me thânë, në kater pjesë,
Per mos t' lânë mâ asnji ngatrresë. 80
Pse, medjè, edhè fort po drue,
Se, kokë - fortë shkjau tue qillue,
S' ká me u rysë pa pushkë m' e lshue,
Mbasi aj mbrendë sod ká ngujue.
Prandaj vetë u çova fjalë 85
Dér n' London nji herë me dalë,
Na ktû s' bashku me vendue,
Ket Shqypní si m' e shestue,
Qi n' dorë Turku na ká lshue,
Me e vû n' sheste sido kjoftë. 90
He! atê Zoti m' a marroftë,
Krajli i Italis zû t' u idhnue;
Se, per Zotin, kjoftë levdue!
Cok kjo punë kurrkund s' ka gjasë.
Jo mâ pak se pêsqind vjet 95
Rresht Shqyptarët e ngartë kan plasë
Sulltanit tue i bâm hysmet,
Kush tue i lá atij pagë e t' dheta,
Kush tue e vûmun kryet n' rrezik:
Jo, per tê nuk u âsht dhimët jeta, 100
E perrçik, po, per perrçik
Me gjak t' vet lá e kan Turkín:
E qe sod, qi s' po i del mâ
Nen zgiedhë t' vet me mbajtë Shqypnín
Ke aj nji hajr kurr s' e ká bâ 105
E as nuk mbahet n' mend se mkambë
Fis a popull t' ketë mbí dhé
Veç shka shkelë e ndrydhë nen kambë,
Veç shka djegë, e pjekë, e pré:
N' vend me i dhânë lirín Shqypnís, 110
Para se me u ndeshë me Shkjá,
I a lshon n' dorë diplomacís,
Veç të lirë per mos m' e pá!
Vall ç' ká thânë Krajli i Moskovit:
Jo, po pra, Turku i Stambollit 115
N' daç thuej motit, n' daç n' ditë t'sodit
P'rherë ká kênë rrezik i zí
Per lirí e gjytetní:
Sa qi thonë, se as bár s'ká bî
Kahdo shkelë ká kamba e tij... 120
Por un deshta ktû me u thânë,
Se na s' kem' kurrkund nevojë
Punë Shqypnijet n' gojë me zânë:
Ajo â e ndreqne e hi n' tebojë:
T' a ká ndrequn Shkjau i Balkanit 125
Me grykë t' pushkës, me taf t' taganit,
Qi mâ mirë nuk ké shka i thue,
Q' se, si burrat tue luftue,
Turkut shtjelmat m'bark ká vû
Edhè e lshoi shakull per tokë; 130
Kû, zavalli rrin tue krrokë,
Si njaj korbi nder sterqokë.
Prej gazepit qi e ká rrokë
E s'po din mâ kû âsht me kokë.
Jo qi vetë, besa, 'or ju shokë, 135
Jam tue bâ, po, shum çudí:
Kah na duel sod kjo Shqypní,
S'cilles êmni nuk i âsht ndîe
Kurr n' Europë? Prandaj s' e dij,
Kot pse t' rrahim ujë n' havan?.., 140
Pse t'i a vêm gacen agzotit?...
Se 'i Turkí ká pasë n' Balkan,
Sod qi Shkjau, berqavera Zotit!
T'a shemtoi, n' gjak t' a ká lá,
Kta e kem dijtë, po; por se ká 145
Kund Shqypní n' fushë a n'rragam,
Kta, vallahi, dijtë s' e kam.
Franc Jozefi ndêjë pështetë:
N' mos e dijsh t' a kallxoj vetë.
Turku motit njat krahinë 150
Ç' merr prej Shkodret del n' Janinë
Per urë detit ajo shtrî,
N'dorë me pushkë nuk e pat shtî,
Si Greqin e njat Serbín
Cilla âsht çua lugat n' ditë t' sodit 155
M' Europë marë; por mbas nji godit
Me Shqyptarë, tue lidhë besë
Me i njoftë t' lirë, e n' punë të Fés,
M'gjûhë, e m' dokë edhè m' kanû
Mos me u prekë, veç me u sundue 160
Kta krejt m' vedi: si dishmue
Mâ se 'i herë vetë Turku e ká:
E si puna flet n' ditë t' sotit
N' at Gegní nder Male t' Mdhá,
N'dorë sundimin kû, si motit 165
E ká vendi: edhè u vendue
Shqiptarët Turkut n' luftë me i shkue
E mâ teper vjetë per vjetë
Me i lá ktí 'i porez të lehtë.
E pse Turku dalkadalë 170
Besen thei e s' u ndêi n' fjalë
Ashtû krejt si isht' bâ kuvendi,
S' don me thânë, or shoq, se vendi,
N'sý t' arsyes e të drejtsís
Ká djerrë tagrin e lirís, 175
Qi i kje njoftë prej vetë Turkís.
Ket krahinë, tash, t' u ngjatët jeta,
Qujtë Shqypní e ká rrotull jeta.
Pra, n'Balkan posë se 'i Turkí,
Po kisht' pasë edhè 'i Shqypní: 180
Pasha t' Lumin Perendí,
S'kan per t' lânë kurr Shkján me hî,
M' i u bâ dhâmi ktij sa derrit.
Qaj Kreu i Frances, nji farë sherrit 185
Kênë gjithmonë, kshtû i a ká nisë,
Si nper hundë aj me angllatisë:
Jo, po, ashtû âsht kênë puna motit,
Si thue ti; veç se n' ditë t' sotit
Krejt ká ndrrue. At herë e kshtênë 190
Marë Shqypnija ká pasë kênë,
Qi, per shpírt, jo veç se vû
S'do t' kisht besë ajo me turki;
Por kulsheder mbí tê lshue,
N' fyt do t' i a kisht' njitë m'tfurk 195
E si 'i gjarpen, si nji bollë,
Karh me i dhânë n' karadreqollë.
Po, por sod puna ká ndrrue,
Pse n' Shqypní t' kshtênët janë pakue..
Prandej pra; t' ngjatët Zoti jeten ! 200
Per me dashtë me thânë t' verteten:
Sod me sod njajo krahinë,
Qi prej Shkodret del n' Janinë,
S' ká si quhet mâ Shqypní:
Si kje qujtun, ndoshta, motit 205
N' ato kohët e Gjergj Kastrijotit...

Shooter-Ks
Legjend
Legjend

Numri i postimeve : 5077
PIKE : 6303
Popullariteti Popullariteti : 41
Data e regjistrimit : 11/06/2010
Mosha : 20

http://www.deqani-ks.all-up.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Gjergj Fishta Lahuta Malesis

Mesazh nga Shooter-Ks prej Thu Jul 01, 2010 11:53 am

Pse edhè sod t' thuesh, marë Shqypnija
Ká rrokë armët e n' luftë ká dalë,
E tue rrahë plajmi e duhija,
Shí e borë edhè tue rá, 210
S' keqje thá e bâ terfurk,
Rrin t' u grî enè me Shkjá,
Veç per t' lânë Shqypnín nen Turk.
Kta veç tash, qi Bulgarija
Duel n'Çatallxhe e u thye Turkija, 215
Varg e vister dalë kan në Vlonë:
Shtý prej tejet, si po thonë...
E 'i paçaver kuq e zí
Vjerrë na e paskan per nji hû,
Edhè hunin ngulë m' nji shpí 220
T' madhe, niskan me këndue
Kin demèk po duem Shqypní,
Kinsè kshtû na jem' Shqyptarë!
Eh Madhní, as na s' hám bár;
Na edhè 'i kem', po, mêt n' kandár, 225
E kem' sý edhè me pá...
Rregji i Italis se ç' i âsht furë:
Edhè ju Françezt dikúr
Jeni vrá, po, vllá me vllá;
Shoqishojn -- ofshe edhè grá! 230
Ndezë i kini flakadâ,
Edhè jo per tjetr gjâ:
Per Fé t' lume, a besë t' harrueme,
A per erz t' motres e t' nanës:
Por per t' lanë Inglizin n' Francë! 235
Po a per kta tash na m' i a hî,
Me dá Francen me kufî,
Per m' u a lshue fqîjve per brî?
Jo, Zotní; s' âsht gjâ ajo fjalë.
Pse edhè â 'i punë, mor t' u ngjatët jeta: 240
Muamedanet në luftë s' kan dalë,
Veç per t' shitun faculeta
Sa mâ shum... si na nji palë
Sod n' Europë; por veç per fé.
Por nder lufta fjesht fetare, 245
Ti e din vetë, se fis e Atdhé,
Gjûhë a doke s' kqyren fare;
Veç ngallnimi i njaj ideje,
Veç triumfi i njasaj feje,
N' luftë per t' cillen nieri del: 250
Pra nuk ké pse kapesh tel,
Mos me qitë m' vedi Shqypnín,
Mos m' i a dhânë asaj lirín,
Pse muhamedant shqyptarë,
N' daç nizamë, n'daç vullndetarë, 255
S' kan luftue atà per Shqypní;
Por per Mbret e per Turkí,
Atà me të cillin Shtet
Mvedvedsue ki' n fén e vet.
Jo qi pasë ka muamedan 260
P' rherë n'Shqýpní, qi shum zalldan,
Manà, hjekë kan prej Turkís
Per lirí e nám t' Shqypnís;
Dbue, plaçkitë e m' dajak shtrue,
Kush me pushkë, kush me helm shue, 265
Por mohue Shqypnín s' e kan:
Jetë e gjâ e a bânë kurban.
Franc Jozefit s' i u durue;
Tryezës me grusht fort i ká mshue,

Shooter-Ks
Legjend
Legjend

Numri i postimeve : 5077
PIKE : 6303
Popullariteti Popullariteti : 41
Data e regjistrimit : 11/06/2010
Mosha : 20

http://www.deqani-ks.all-up.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Gjergj Fishta Lahuta Malesis

Mesazh nga Shooter-Ks prej Thu Jul 01, 2010 11:53 am

Se edhè t' madhe ç' ká ligjrue: 270
Nji qind fjalë, burra, p'r 'i pare!
A me mkambë mbretnín shqyptare,
A se n' Beçë tash ktheva fill,
E dér neser tue marrë dielli
Lshue i a kam ushtrin Ballkanit: 275
E me maje t' mreftë t' taganit,
Me ndihmë t' Zotit e t' Taljanit,
I a vê vetë kufîjt Shqypnís,
E s' ká burrë, jo, qi m' i lot.
Se ato fjalë t" Francës e t' Rusís, 280
Qi na i qiten ktû per pod,
Ato janë, po, do fjalë t' shkreta,
Thash e thâna per gazeta,
E jo per kuvend të Mbretenvet
K6u do t' dahet fati i Shqiptarvet: 285
Si njiky kuvendi i ynë,
M' t'cillin bota ngulë ká sýn,
Edhè pret qi na n' Balkan
T' shkrefim pushkë, top e havan,
E me urtí, e me drejtsí, 290
Tue shue rasë, tue shkimë mëní,
T' sjellim paq edhè vllazní.
Edhè trimi at herë âsht çue,
Ká msý deren per me dalë.
M' kambë Wilhelmi ká flakrue, 295
Ka dalë para edhè e ka ndalë,
E ka ndalë qaj miku i vet;
Mbreti i fortë i Germanís;
Cilli u hînë atý ndermjet,
Si me i ardhë qi din burrnís, 300
E krye m' krye me Krajl t' Inglizit,
Herë ul Francë, herë ul Rusí,
Bjeru punve per midisit,
Pajto Nemse edhè Italí,
Ktij lshoj Zot, atij lshoj orë, 305
Dér qi s' mbrami i u gjet fija
Edhè t' shtatëtit vûne dorë,
Zojë m' vedi me dalë Shqypnija.
E, kokë - fortë, kúr Knjaz Nikolla:
Kû me pushkë e kû me t' holla 310
S' po do Shkodren me lirue,
Të shtatë Krajlat ç' janë idhnue!
Donamet n' Shqypní kan çue,
Kû Admiralat m' breg sa dolen,
Kapë per veshit Knjaz Nikollen, 315
Fíll prej Shkodret jashtë e zoren,
Edhè i dhanë m' shtjelm Cernagoren.
N'at Shqypni ká nji gjamë:
Padishahi âsht çue në kambë:
Vall a rrfeja âsht tue bumbullue, 320
A se lufta âsht kund tue vlue,
Qi po rrin kshtû tue gjimue
Thue po bâhet ndokah nami:
Shka ká thânë Shehyl Islami?
Per jetë t' ende, as s' ká rá rrfé, 325
As s' ^sht ndezë kund luftë e ré,
Qi po ndîhet gjithkjo gjamë:
Janë Shqyptarët qi bâjn donám!
N' at London, larg n' at dervend,
Të shtaë Krajlat mledhë kuvend, 330
Me shoshojn tue bisedue,
S' mbrami atà paskan vendue,
Shqyptarve me u dhânë lirín,
Zojë m' vedi me qitë Shqypnín.
E prandej n' Shqypní pa dá 335
Rrahin topat nder kalá;
Persè flamuri kuq e zí,
Sod mâ s' pari, bukurí
Porsí fleta e Engllit t' Zotit,
Po valvitë mbí tokë t' Kastrjotit, 340
Si valvit dikúr motit;
E dér m' qiellë ushton brohrija,
Kah gerthet fusha e malcija:
Per jetë t' jetës rrnoftë Shqypnija!
Edhè kshtû, mbas sa mjerimit 345
Mbas sa gjakut e shemtimit,
E p'r inát t' Shkjevet t' Ballkanit
Per gazep t' atij Sulltanit:
Si premtue kisht' Perendija:
Prap zojë m' vedi duel Shqypnija. 350

Shooter-Ks
Legjend
Legjend

Numri i postimeve : 5077
PIKE : 6303
Popullariteti Popullariteti : 41
Data e regjistrimit : 11/06/2010
Mosha : 20

http://www.deqani-ks.all-up.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Gjergj Fishta Lahuta Malesis

Mesazh nga Shooter-Ks prej Thu Jul 01, 2010 11:54 am

nga Dr. Zef Mirdita
Përmbledhje
Fishta është kolos i mendimit dhe letërsisë shqipe, i cili me tërë veprimtarinë e vet - meshtarake, intelektuale, politike dhe letrare - e ka sintetizuar historinë e popullit shqiptar. Ky françeskan ka qenë apostull i atdhetarizmit të sinçertë dhe të pastër, për të cilin shqiptarizmi nuk ka qenë profesion, por një jetë intenzive. Gjatë jetës së frytshme të tij, ai e themeloi Shoqërinë Letrare “Bashkimi”, ishte drejtor i gjimnazit françeskan në Shkodër, kryetar i Kongresit të Alfabetit, anëtar i Komisisë Letrare Shqiptare, udhëheqës i dërgatave shqiptare në Paris dhe Washington, deputet dhe nënkryetar parlamenti, përfaqësues i Shqipërisë në konferencat ballkanike, MESHTAR dhe LETRAR. Veprimtaria e tij e gjithanshme u shpërblye me dekorata nga Austria, Turqia, Papa Pio XI, Greqia, Urdhëri Françeskan, ndërsa Akademia Italiane e zgjodhi për anëtar. Mirëpo, përderisa të huajt e dekoruan, ndërsa emrin dhe veprat e tij i studiuan në katedrat e tyre albanologjike dhe ballkanologjike, ky vigan, në Shqipëri, gjatë regjimit komunist u ndalua për plotë 50 vjetë. Dhe jo vetëm kaq, por edhe eshtrat ia zhvarrosën dhe ia hudhën në bërllog. Këtë ia bënë atij që Shqipërinë e kishte koncipuar dhe dashur si një atdhe të vërtetë të të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga ndasia religjioze dhe përkatësia regjionale. Atij që gjithnjë e ka theksuar nevojën e unitetit kombëtar dhe vëllazërisë, ide kjo që e përshkon kryeveprën e tij, Lahutën e Malcis. Lajtmotivi i këtij vigani ka qenë: Për Fe dhe Atdhe. Sa i përket vlerës estetiko-letrare të veprës së Fishtës, ajo është e shumëfishtë, qoftë për nga përmbajtja, gjuha, stili, rrjedhshmëria e fjalës, ngrohtësia, ngjyra dhe porosia. Ai me shikimin realistik të vetin nuk e idealizon shqiptarin, por e përshkruan ashtu si është, me të gjitha të metat dhe virtytet, me meritat dhe fajet. Në veprën e tij vërehet edhe nota edukative, sepse ai e qorton shqiptarin që të lirohet nga fatalizmi, pjellë e mentalitetit oriental dhe e udhëzon kah rruga e qytetërimit evropian, ku edhe e ka vendin, gjeografikisht dhe historikisht. Gjithashtu e udhëzon që t’i tejkalojë ndasitë regjionale dhe fetare, ndërkaq të përqafojë ndjenjën nacionale, krenarinë dhe vetëbesimin. Satira e tij është karakteristike për një shkodran. Me fjalë tjera, ai me të i ka luftuar pseudointelektualët, pseudoeuropianët, pseudoshqiptarët. Habit fakti i aktualitetit të kësaj satire edhe sot e kësaj dite. Një njeri i tillë pra, është zhvarrosur dhe për plot 50 vjetë është njollosur, përbuzur, përdhosur dhe ndaluar, mirëpo pa sukses. Ai nuk ka mundur të dëbohet nga zemra dhe nga ndjenjat e popullit.

Të flitet për P.Gjergj Fishtën, e sidomos me rastin e përkujtimit të 60 vjetorit të vdekjes së tij, nuk është as lehtë, e nuk është as thjeshtë. Sado që është nderë e madhe, më e madhe është përgjegjësia.
Them kështu, sepse kemi të bëjmë me një kolos të mendimit dhe të letrave shqiptare. Kemi të bëjmë me një figurë madhështore, e cila me tërë veprimtarinë e vet - meshtarake, intelektuale, politike dhe letrare - e ka sintetizuar tërë historinë e popullit shqiptar. Kemi të bëjmë me një apostull të atdhetarizmit të sinçertë dhe të pastër, për të cilin shqiptarizmi nuk ka qenë profesion i çastit apo i rastit, por ka qenë një jetë intenzive, e përshkuar me të gjitha ngjarjet më vendimtare për fatin e kombit shqiptar.
U lind më 23 tetor 1871, në fshatin Fishtë, në Zadrime. Prindërit e pagëzuan me emrin Zef, të cilin sipas rregullës së Urdhërit Françeskan, do ta zëvendësojë me emrin Gjergj.
Mësimet e para i mori nga poeti arbëresh, P.Leonard De Martini. Me të parë zotësinë e e Zefit të vogël, poeti e mori në seminarin françeskan, në Troshan, ku edhe e kreu shkollën e mesme. Më 1886 u nis për në Bosnje, ku, në Sutjeskë, Livno dhe Kreševo, i kreu studimet filozofike dhe teologjike. Aty u njoftua me P.Grga Martiæ-in dhe me Silvije Strahimir Kranjèeviæ-in, të dy këta poetë të mëdhenjë kroatë. Këtij të fundit, madje ia përkushtoi një vjershë të shkruar më 12 dhjetor 1892. Më 1893 kthehet në Shkodër, ku më 1894 shugurohet meshtar.
Brenda një kohe, njëkohësisht e ushtroi detyrën e arsimtarit në Troshan dhe famullitarit në Gomsiqe të Mirditës.
Së bashku me abatin e Mirditës, Mons.Preng Doçin, Don Ndoc Nikën dhe P.Pashk Bardhin e themeloi Shoqërinë Letrare “Bashkimi”.
Më 1902 u emërua drejtor i gjimnazit françeskan në Shkodër. Me ardhjen e tij, gjuha italiane, që ishte gjuhë ligjërimi, u zëvendësua me gjuhën shqipe. Më 1908 është kryetar i Kongresit të Alfabetit, në Monastir (Bitoli i sotëm), në të cilin u vendos që alfabeti latin të merret për alfabet të gjuhës shqipe. Më 1916 është anëtar i Komisisë Letrare Shqiptare, e cila ka pasë për detyrë standardizimin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe.
Më 1919 është sekretar gjeneral i dërgatës shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, në krye të së cilës dërgatë ishte ipeshkvi i Lezhës, Mons.Luigj Bumçi. Nga Parisi, në krye të dërgatës shqiptare shkon në Washington, për ta mbrojtur integritetin territorial të Shqipërisë, nga orekset okupuese të serbëve, malaziasve dhe grekëve.
Më 1921 zgjedhet për deputet të grupit të Shkodrës, në Parlamentin e Tiranës, dhe menjëherë zgjedhet nënkryetar i tij dhe kryetar i Komisionit për çështje Financiare.
Ishte përfaqësues i Shqipërisë në konferencat ballkanike: në Athinë(1930), Stamboll(1931), Bukuresht(1932), ndërsa më 1934, ishte delegat i Shqipërisë në New York.
Në periudhën 1935-1938, kryen detyrën e provincialit të Provincës Shqiptare Françeskane.
Për veprimtarinë e tij të gjithanshme ka qenë i dekoruar me dekorata nga Qeveria Austriake me “Ritterkreuz”(1912), nga Qeveria Turke me “Mearf Kl, II.” Në vitin 1925, Papa Piu XI e nderon me medalen “Al merito”, kurse më 1931, Qeveria Greke e dekoron me rendin “Phoenix”. Më 1939, Urdhëri françeskan e dekoron me titull “Lector jubilatus honoris causa”, ndërkaq Akademia Italiane e zgjodhi për anëtar të vetin, për çka, përveç insinuatave të tjera, kritikët e pendave enveriane e karakterizojnë si fashist dhe armik të popullit! A nuk është kjo tragjiko-komike!?
Më 31 dhjetor 1940, pushon së rrahuri zemra e këtij vigani të letrave shqiptare, apostullit të unitetit të kombit shqiptar.
Mirëpo, përderisa emri dhe veprat e tija ishin të pranishme në katedrat albanologjike dhe ballkanologjike të Evropës, në Shqipëri, të cilën e deshti me tërë qenien e vet dhe të cilës ia kushtoi vargjet më të bukura, u ndalua për plot 50 vjet. Me ndalimin e veprave të tija u gjymtua gjuha shqipe, të cilës ky poet ia këndoi himnin më të bukur që është shkruar ndonjëherë në gjuhën shqipe:

Shooter-Ks
Legjend
Legjend

Numri i postimeve : 5077
PIKE : 6303
Popullariteti Popullariteti : 41
Data e regjistrimit : 11/06/2010
Mosha : 20

http://www.deqani-ks.all-up.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Gjergj Fishta Lahuta Malesis

Mesazh nga Shooter-Ks prej Thu Jul 01, 2010 11:54 am

Porsi kanga e zogut t’veres
Qi vallzon n’blerim të Prillit,
Porsi i ambli flladi i erres,
Qi limon gjit e drandafillit,
Porsi vala e bregut t’detit,
Porsi gjâma e rrfés zgjetáre,
Porsi ushtima e nji termetit,
Njashtú â’ gjuha e jonë shqyptare. @1

Për 50 vjet u ndalua të dëgjohet mallkimi i poetit drejtuar atyre që këtë gjuhë shqiptare e përbuzin:


Prá, mallkue njai bir Shqyptari,
Qi ketë gjuhë të Perendis,
Trashigim, qi na la i Pari,
Trashigim s’ia len ai fmis,
Edhé atij iu thaftë, po, goja,
Qi e përbuzë ketë gjuhë hyjnore
Qi n’gjuhë t’huej, kúr s’âsht nevoja,
Flet e t’veten len mbas dore. @2

Për plot 50 vjet u ndalua këndimi i himnit më të bukur që Fishta ia kushtoi Flamurit Kombëtar:


Porsi fleta e Éjllit t’Zotit
Po rrehe Flamuri i Shqypnis e
thrret t’bijt e Kastrijotit
Me u mbledhë tok nder çetë t’ushtris. @3

Plot 50vjet e akuzuan se bëri përçarje në popull, atë i cili po këtë popull e fton të bashkohet:


Bini, Toskë, ju, bini Gegë!
Si dý rrfé, qi shkojnë tue djegë!
A ngadhnyesé a t’gjith déshmorë!
Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë! @4

Këtë himn, kushtuar Flamurit Kombëtar, poeti e shkroi me rastin e ngritjes së Flamurit, natën e Shna Ndout, më 12 qershor 1913, në kumbonaren e kishës françeskane të Gjuhadolit, përkundër ndalesës së kolonelit De Philipps, sundimtarit të qytetit të Shkodrës.
është e njohur se njerëzit e mëdhenj vdesin në kohë të duhur! Falë Zotit, kjo ndodhi edhe me Pater Gjergj Fishtën. Sepse, po t’i kishte pritur njësitë e kuqe të ngarkuara me idetë e internacionalizmit proletar, por edhe antishqiptar, jo vetëm që e kishin masakruar, por as varri nuk iu kishte ditur, siç ka qenë rasti me shumë sivëllezër të tij françeskanë.
Megjithatë, ajo që nuk i ndodhi për së gjalli, e pësoi për së vdekuri. Mënia dhe urrejtja ndaj tij ishte aq e madhe, sa që edhe e zhvarrosën dhe eshtrat ia hodhën në bërllog!
Nuk është kjo hera e parë që mizoria e tillë barbare ushtrohet mbi fatosat e vdekur shqiptarë!
Dihet se turqit e herrshëm e zhvarrosën trupin e Skënderbeut dhe nga kockat e tija, siç shkruan Marin Barleti, bënë hamajli për ushtarë. Po ashtu, turqit e herrshëm e zhvarrosën trupin e Pjetër Bogdanit, argjipeshkvit të Shkupit, nismëtarit të prozës shqipe, dhe eshtrat e tija ua hodhën qejve në sheshin e Prishtinës, aty ku sot ndodhet ndërtesa e Kuvendit të Kosovës.
O kohëra, o zakone të fëlliqta!
Kështu pra u veprua me Pater Fishtën, i cili nuk e deshti Shqipërinë vetëm si emër gjeografik! Ai Shqipërinë e ka koncipuar dhe dashur si një atdhe të vërtetë të të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga ndasia religjioze dhe përkatësia regjionale, që është plagë e rëndë e trashëguar nga okupatori shumëshekullor osmano-turk.
Pikërisht për ta shëruar këtë plagë, poeti thekson nevojën e vëllazërimit, unitetit kombëtar, ide kjo që e përshkon tërë kryeveprën e tij Lahuta e Malcis. Nuk është e rastit që ai këtë ideal dhe mendim të vetin e dëshmon përmes protagonistëve të besimit muhamedan, si Oso Kukës, Ali Pashë Gusisë, Marash Ucit etj. Sepse, siç thotë Ernest Koliqi: Shqipnija (ndërsa unë do të kisha thënë shqiptarizmi) vetëm atëherë mundet m’u njehun fatbardhë, kur breznija e ré, tue pasë menden e sterhollueme si mâ i miri perendimuer, ta ket zemren e thjeshtë e bujare si Marash Uci e Oso Kuka. @5
Fishta, vërtetë i qorton muhamedanët, me qëllim që njëherë e përgjithmonë ta kuptojnë se feja e kombi nuk janë një, andaj edhe i konsideron për vëllezër. Si të kuptohet ndryshe përgjegjja e Patër Gjonit dhënë Mark Milanit:


Unë zotni n’ushtri kam dalë
Jo me Turq, por me Shqyptarë,
Turq a t’kshtenë, si janë gjithmarë
Pse si t’kshtenë, si muhamedan
Shqypnin s’bashkut t’gjith e kanë. @6

Përgjegjja e tillë për Mark Milanin si edhe për të gjithë ata që mendonin ashtu, ka qenë jo vetëm befasi, por edhe shpullë e rëndë, për shkak se një prift katolik mund t’i bëhej ndihmë “Turkut”, duke i lënë pas dore “kryqalitë” sllavë dhe bujarin e tyre, që, së fundi, ishte edhe vetë gjysmëshqiptar, siç thotë Pater Gjergji:


Me kryq n’dorë e me kryq n’ballë,
Turkut ndihmë ti me na i dalë?
E tue njoftë per G o s p o d a r
Knjaz Nikollen, trim bujar,
dér dikú edhe ky’ Shqyptar! @7

Kështu, derisa Kelmendasit dëgjonin thirrjen e Gusinjanëve myslimanë të sulmuar nga ana e malaziasve, thonin:


Lpifshin kryet e xjerrshin syt
Ti haj dreqi Turq e Shkje, 8
dhe vazhdonin më tej, pa ndonjë ndjenjë më të thelluar:
se e kemi festen e Bajrakut e
duhet njëherë me shkue në shtëpi ,
e me shtrue petlla e raki. @9

Mirëpo, Pater Gjoni, në fund të meshës u thotë: Çohi, o bij të Skanderbegut Turq e t’Kshtenë, mos t’u dajë feja! @10
Sepse:


Vllaznit t’onë i kem’ n siklet! @11

Këto kushtrime nuk janë vetëm të Pater Gjergj Fishtës, por janë të tërë klerit katolik!
Pater Gjergj Fishta, me një kulturë të gjithanshme e të thellë, dhe pse mos të thuhet, me një kulturë perendimore dhe evropiane, ndonëse i ka qortuar vëllezërit shqiptarë, pavarësisht, muhamedanët apo të krishterët, kurrë nuk ka anuar kah Evropa.
Për të Evropa, nuk ka qenë tjetër, pos një lavire e vyshkur, vërtetë, me emër e krishterë, por me vepra e pa Tenzonë.


Uh! Evropë, ti kurva e motit
Qi i rae mohit besës së Zotit
Po á ky a sheji i gjytetnis
Me da token e Shqypnis
Per me mbajt klysht e Rusis? :( :( :( :(

Shooter-Ks
Legjend
Legjend

Numri i postimeve : 5077
PIKE : 6303
Popullariteti Popullariteti : 41
Data e regjistrimit : 11/06/2010
Mosha : 20

http://www.deqani-ks.all-up.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Gjergj Fishta Lahuta Malesis

Mesazh nga Shooter-Ks prej Thu Jul 01, 2010 11:54 am

S’do mend se Fishta ka qenë i vetëdijshëm se feja e të huajit e ka bërë të vetën në trungun e kombit shqiptar. Megjithatë, ai nuk e nënçmon as mendimin dhe as besimin e vëllezërve shqiptarë. Mirëpo, ai është kundër shfrytëzimit të ndjenjave fetare për dobi vetanake apo partiake. Për të është më se e qartë se identifikimi i fesë me komb është jo vetëm anakronik, por edhe jo shkencor. Madje, edhe për nga aspekti politik, një identifikim i tillë shkon në dëm të integritetit etnogjeopolitik të popullit shqiptar. Prandaj, ai përpiqet, madje edhe kërkon që të tregohet mënyra se si erdhi deri te kjo ndasi fetare, e cila, për fat të keq, mund të shfrytëzohet në dëm të unitetit kombëtar. Këtë më së miri e ka sqaruar dhe dëshmuar Ismail Kadare, i cili në mes tjerash thotë: Turqizimi i qindra mijëra shqiptarëve, greqizimi i një pjese tjetër, ngatërrimi i përkatësisë shqiptare me atë fetare, dëshmonte se ndjenja patriotike e një pjese të shqiptarëve, ka qenë jo aq e fortë siç paraqitej. @13
Dhe kur Fishta tregon se nga buron ky rrezik lidhur me integritetin etnogjeopolitik të shqiptarëve, nuk do të thotë se është kundër besimit muhamedan. Ai, në të vërtetë, mu ashtu si secili shqiptar i sinçertë, nuk mund të pajtohet me identifikimin e fesë me kombin.

Sidoqoftë, nuk duhet mohuar se lajtmotivi i Fishtës në veprimtarinë e tij shkencore e arsimore, kulturore e politike, fetare e letrare, ka qenë: Për fe dhe atdhe.
Që të kuptohet kjo sintagmë, duhet pasur parasysh disa fakte.
Së pari, ai ka qenë meshtar dhe kuptohet se në veprimtarinë e vet nuk ka mundur ta len mënjanë aspektin fetar.
Së dyti, dihet se Shqipëria, si për nga aspekti gjeografik, ashtu edhe për nga aspekti historiko-kulturor i mirëfillt, i takon arealit kulturor evropian, gjegjësisht kristian.
Së treti, krishtenizmi, veçanërisht katolicizmi, është njëri nga argumentet e pakontestueshme, që flet në dobi të autoktonisë së shqiptarëve në trojet ku jetojnë sot. @14 Edhe atëherë kur Fishta e cek katolicizmin në relacione ndërkombëtare atë e bën për hir të mbrojtjes së integritetit të territorit shqiptar dhe për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë. Kjo shihet qartë nga përmbajtja e telegramit të cilin në italishte nga Parisi ia dërgon Pater Palë Dodës më 16 shtator 1922 dhe në të cilin thotë sa vijon: “Ndërkaq vizita ime në Washington pati për rezultat njohjen e Shqipërisë nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të gjitha përpjekjet e mëparshme të qeverisë sonë dhe të “Vatrës” mbetën pa ndonjë përfundim të mirë. Unë pata sukses. Kjo u bë me një ndërhyrje të senatorëve katolikë, të cilëve ua parashtrova çështjen, sidomos nga aspekti fetar, që qeveria amerikane u shty me e njoftë zyrtarisht Shqipërinë.” @15
Së katërti, dihet se qysh në shekullin XV, siç thotë Fan Noli: Katholicizma nga njëra anë i jipte Shqipërisë bashkimin që i mungonte si shtet, edhe nga ana tjetër e lidhte me botën e krishterë evropiane. @16
Prandaj, edhe, siç thotë Ismail Kadare: S’është e rastit që goditja më e egër (në kohën e sundimit enverian /sic! Z.M./) iu bë katolicizmit si fesë më evropiane. @17
Nuk duhet heshtur se besimi është një faktor tejet i rëndësishëm dhe i ngulitur në trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të një populli. Dhe me kultivimin e kësaj trashëgimie, njëherësh kultivohet edhe kultura e mirëfillt e një populli. E për shqiptarët, kultivimi i trashëgimisë dhe i kulturës ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe, lidhur me dëshminë e autoktonisë së tyre në kohën kur orekset imperialiste të fqinjëve rriteshin gjithnjë e më tepër në dëm të integritetit territorial të trojeve shqiptare. Prandaj, çdo përpjekje e mohimit të trashëgimisë kulturore të mirëfillt, nuk është asgjë tjetër veçse një etnokulturocid. Për një gjë të tillë, historia në kohë të caktuar i hakmerret popullit! Pikërisht për këto arsye, Fishta ka luftuar dhe vepruar nën sintagmën

Për fe dhe atdhe!
Sa i përket vlerës estetiko-letrare të veprave të Fishtës, ajo është e shumëfishtë, qoftë për nga përmbajtja, gjuha, stili, rrjedhshmëria e fjalës, ngrohtësia, ngjyra dhe porosia.
Duhet theksuar se Fishta, me shikimin realistik të vetin, duke i soditur fenomenet e jashtme të ngjarjeve, thellësisht depërton në brendi të jetës aktuale të shqiptarit dhe kështu ai e ndriçon vetë qenien etnike të popullit. Vëzhgimi i tij depërton thellë në zemrën e popullit, nga edhe e dëgjon, vlerëson intenzitetin e pulsit dhe të ndjenjave, me qëllim që të mësojë se sa është ky popull i gatshëm ta shkundë trashëgiminë e mentalitetit të imponuar gjatë sundimit otoman. Ai nuk e idealizon shqiptarin. E përshkruan ashtu çfarë është: me të gjitha virtytet dhe të metat, meritat dhe fajet; i përshkruan veçoritë si: zemërgjerësinë, mosbesimin dhe hakmarrjen. Për Fishtën, shqiptari është individualist, madje shpesh herë edhe sektar, por që anon kah toleranca fetare, kuptohet nga prirja e mitit të gjakut dhe gjuhës së përbashkët.
Me një admirim të mrekullueshëm, Fishta e këndon dhe e lavdëron virtytin arkaik të shpirtit shqiptar, ndonëse nuk e idealizon. Fishta e lartëson krenarinë e shqiptarit duke e udhëzuar dhe nxitur që një herë e përgjithmonë të heq zgjedhën e huaj dhe të jetojë i lirë në Shqipërinë e lirë. Fishta në veprat e veta e qorton shqiptarin që të lirohet nga fatalizmi, pjellë e mentalitetit oriental dhe e udhëzon kah rruga e qytetërimit evropian, ku edhe ka vendin e vet, si gjeografikisht, ashtu edhe historikisht.

Shooter-Ks
Legjend
Legjend

Numri i postimeve : 5077
PIKE : 6303
Popullariteti Popullariteti : 41
Data e regjistrimit : 11/06/2010
Mosha : 20

http://www.deqani-ks.all-up.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Gjergj Fishta Lahuta Malesis

Mesazh nga Shooter-Ks prej Thu Jul 01, 2010 11:55 am

Të gjitha personazhet dhe protagonistët në veprat e tija, janë shqiptarë të thjeshtë me të gjitha cilësitë inative, veset dhe gjestet pozitive, apo negative. Fishta, me një lehtësi të mrekullueshme, kalon nga theksi lirik në atë epik dhe satirik.
Këndimi i ngjarjeve të së kaluarës, për Fishtën ka qenë në funksion të ndriçimit dhe shpjegimit të rrjedhave të kohës.
Lahuta e Malcis, kryevepër e P.Gjergj Fishtës, është poemë heroike në të cilën është shkrirë me një harmoni të pashembullt historia me legjendën, elementi njerëzor me atë hyjnor. Në këtë poemë është skalitur epopea e popullit shqiptar, pavarësisht nga hapësira gjeografike, apo ajo kohore. Në të vërtetë, ai në këtë poemë e ka mishëruar tërë qenien e vet, jo vetëm si poet, por edhe si akter politik dhe kulturor. Protagonistët e veprës Lahuta e Malcis, si Oso Kuka e Marash Uci, Cur Ula e Ali Pashë Gusia, Dedë Gjo Luli etj., nuk janë gjë tjetër veçse alternacione të Pater Gjergj Fishtës.
Mendimet, ndjenjat dhe qëllimet e tyre janë identike me ato të Pater Gjergj Fishtës. E këto nuk janë gjë tjetër veçse shprehje e çlirimit të atdheut. Madje edhe në shembulltyrat e tija fantastike, të cilat përherë i sheh dhe i adhuron, siç janë Zanat, Orët, Kulshedrat e Drangojt, ai e identifikon karakterin e tyre, ndonëse në mënyrë imagjinative, me atë të shqiptarit, po edhe me atë të vetin.
Veçoria tjetër, madje tejet e rëndësishme, e krijimtarisë së Fishtës, është ajo se ai në të gjitha veprat e veta epike, lirike, melodramatike apo satirike, ka notën edukative, me qëllim të tejkalimit të ndasive regjionale apo fetare.
Së këndejmi, përshkrimi i bukurisë së malësores, në shembulltyrën e Tringës, qoftë për nga fisnikëria, bujaria dhe bukuria, është diçka e pakrahasueshme, madje antologjike në letërsinë shqipe. Mirëpo, në simbolikën Fishtiane, të gjitha veçoritë e personazheve, nuk janë gjë tjetër, veçse bukuria e Shqipërisë, malet, fushat, lumenjtë. Kështu, poeti, Shqipërisë i këndon:


Por nji fushë mâ e blerët nuk shtrohet,
Por nji mal mâ bukur s’rri,
Mâ i kulluet nji lum s’diktohet,
Moj Shqypni, porsi i ké ti. @18

Fishta me idealet e veta të larta, humane e patriotike, përpiqet që t’ia ngulit shqiptarit ndjenjën nacionale, krenarinë dhe vetëbesimin, me qëllim që të jetë i gatshëm për të luftuar për liri dhe pavarësi të atdheut. Në të vërtetë rreth këtij boshti, ndërlidhen të gjitha episodet e ngjarjeve historike, të kënduara në Lahutën e Malcis, që nga Lidhja e Prizrendit (1878), e deri në Konferencën e Londrës (1913), kur edhe njihet autonomia e Shqipërisë.
Tematika kombëtare trajtohet në Anzât e Parnasit, satirë kjo atdhetaro-shoqërore dhe në Gomarin e Babatasit, poemë dramatiko-satirike. Gjuha e satirës së tij është therrëse, thumbuese, plot ironi dhe sarkazëm, që njëherësh është karakteristikë e të folurit të qytetit të Shkodrës. Fishta, përmes këtyre satirave lufton kundër pseudointelektualëve, pseudoperendimorëve dhe pseudoshqiptarëve. Ja se ç’thotë Fishta për njerëz të tillë:
“E qe se, m’atherë u dishmuen liberala, okcidentala, konstitucionala, republikaj, demokratë; me Këshille të Nalta, me Parlamente suverene, me Qeveri të përkohshme, të përtashme, të pesëditshme, me kisha e xhamia autoqefale; ndërsa kombi cofte ujet (urie), dergjej gazepit, na qojshin përfaqësuesa e ministra në Romë, Londër, Paris, Athinë, Belgrad, Varshavë, -po, edhe në Varshavë e s’di se ku njeti, - për me i diftue botës së qytetnueme se Perendia kishte ba mrekulli mbi ne e se na, ndoshta gjaksë tue qenë, me pre fëmijën në djep; shumëkush nesh hajduta, me të vjedhë zhallogën prej opanget; fanatikë, me djegë katundin për nji qime mjekrre, për nji thak brezi; analfabetën 95 %; njerëz të papunë, që vdisshim ujet mbi visare tona; madje edhe beglerë, bajraktarë, agallarë, myltazima e krunde të nji despotizmi ma të randë, të nji tiranie ma të dhunshme, të nji individualizmi, ekskluzivizmi, aziatizmi ma të neveritshëm, ishim ba sod volterianë, laburista, socialista, konservatorë, popullor, pëparimtarë… E na u ngrimë, u shtanguem krejt, kah shifshim tue lujtë këtë pantomimë të pahijshme mbi kurriz të ngratit popull shqyptar…” @19
Ndonëse satirat e tija janë refleks i shoqërisë shqiptare të asaj kohe, e cila posa kishte dalur nga letargjia kulturore, politike dhe sociale pesëshekullore osmano-turke, ato, me porositë dhe përmbajtjet e tyre, janë aktuale sot e kësaj dite. Ja pra, ky është Pater Gjergj Fishta, i cili për plot gjysëm shekulli, qe i përdhosur, i njollosur dhe i përbuzur, me karakterizime të një “spiuni”, të një “të shituri”, të një “trathtari”, të një “antishqiptari”, të një “antikombëtari” dhe të një “fashisti”. Të gjitha këto nofka ia mveshën Fishtës, i cili Shqipërisë i këndon:


T’falem, Shqypni, ti i shpirtit t’em dishiri!
I lum njimend jam un n’gji tând tue rrnue,
Tue gzue t’pamt t’ând, tue t’hjekë at ajr t’kullue
Si Leka i Madhi e Skanderbegu i biri. @20

Ç’të thuhet në fund?
Vërtetë, Fishtën e njollosën, e përbuzën, e ndaluan në shkolla dhe universitete, ndonëse, në tekstet shkencore ka qenë i pranishëm, por pa emër @21 , megjithatë nuk mundën ta dëbojnë nga zemra dhe nga ndjenjat e popullit.
Nga frika se varri i tij do të jetë vendfrymëzim i idesë së Shqipërisë së lirë, të cilën ide përherë e pat në zemër, madje, siç këndon vetë poeti, edhe për së vdekuri:


Dersa t’muendem me ligjrue
E sa gjall me frymë un jam,
Kurr Shqypni, s’kam me t’harrue,
Edhe n’vorr me t’permend kam. @22

Shërbëtorët e atyre kundër të cilëve Fishta tërë jetën luftoi, e zhvarrosën. Të gjitha këto marrëzira mbetën të kota. Fishta, siç thotë Lasgush Poradeci, mbeti shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar. @23
Dhe tani, kur po e përkujtojmë 60 vjetorin e vdekjes së P.Gjergj Fishtës, po e përkujtojmë faktin se poeti i kombit mbetet gjallë përherë, sepse, Kanga e tij - siç thotë Ernest Koliqi - s’ka m’u shue deri sa gjaku arbnuer të vlojë në një zemër arbnore, pse ajo do të jetë pasqyra e nji qytetnimi vërtet shqiptar si sot ashtu në kohnat mâ të lashta. @24

________
1 Gjergj FISHTA, Gjuha Shqype, në Mrizi i Zânavet, Shkodër 1941, fq. 5.
2 Po aty, fq. 6.
3 Po aty, fq. 15.
4 Po aty.
5 Cit. ap. Filip NDOCAJ, Mbi vlerën dhe rëndësinë e veprës së Gjergj Fishtës, në Jeta e Re, 11-12 (Prishtinë 1990), fq. 1600.
6 Gjergj FISHTA, Lahuta e Malcis, XXI, v. 285-289 (Romë 1958), fq. 408.
7 Po aty, v. 260-272, fq. 407.
8 Po aty, v. 169-171.
9 Po aty, v. 214-215.
10 Po aty, v. 449-450.
11 Po aty, v. 355.
12 Te Kisha e Shnjonit; Lahuta e Malcis, XIII, v. 40-44, fq. 211.
13 Ismail KADARE, Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë, në Kombi. Rrugët e bashkimit kombëtar. Onufri. New York 1997, fq. 223.
14 Ilir ZHILLA, Shqipëria dhe katolicizmi. Nyeja lidhëse e kombit tonë me Evropën, në Rilindja 25 prill 1993, nr. 11 (261), 8, fq. 4.
15 Zef MIRDITA, Krishtenizmi ndër shqiptarë, Prizren-Zagreb 1998, fq.377.
16 Fan NOLI, Vepra 4, Tiranë 1989, fq. 491.
17 Ismail KADARE, Nga një dhjetor në tjetrin. Kronikë, këmbim letrash, persiatje. Artheme Fayard. Paris 1991, fq. 158-159, 259; I njëjti: Kombi, fq. 222.
18 Gjergj FISHTA, Atdheut, në Mrizi i Zânavet, Shkodër 1941, fq. 9.
19 Zef MIRDITA, vep. e cit., fq. 372.
20 Gjergj FISHTA, Shqypnis, në Mrizi i Zânavet, Shkodër 1941, fq. 4.
21 Zef V. NEKAJ, Fishta pa emén në tekstet e shkollavet të Shqipnis, në Shejzat, V/11-12 (1961), fq. 487-489.
22 Gjergj FISHTA, Atdheut, në Anzât e Parnasit, Shkodër 1941, fq. 9.
23 Lasgush PORADECI, Gjergj Fishta lirik, në Jeta e Re, 11-12 (Prishtinë 1990), fq. 1546.
24 Ernest KOLIQI, Qytetnimi Shqiptar, në Hylli i Dritës, VIII/1 (1932), fq. 2.

Shooter-Ks
Legjend
Legjend

Numri i postimeve : 5077
PIKE : 6303
Popullariteti Popullariteti : 41
Data e regjistrimit : 11/06/2010
Mosha : 20

http://www.deqani-ks.all-up.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Gjergj Fishta Lahuta Malesis

Mesazh nga Shooter-Ks prej Thu Jul 01, 2010 11:55 am

Zanat dhe Orët në “LahutEn e Malcis

27/04/08) Tonin Çobani

Në gojën e popullit, kur përmendën Zanat dhe Orët, thuhet Shtojzovallet, që do të thotë Shtojua, o Zot, vallet. Zanat dhe Orët janë qenie mitologjike, ndërsa fjala “Shtojzovallet” vjen si eufemizëm për Zanat dhe Orët ose për të dyja së bashku. Ky ligjërim ishte i përgjithshëm në kapërcyell të shek.XIX-XX kur ngjizej Lahuta e Malcis, ndërsa sot në ligjërimin e shkruar ndodh të përdoret eufemizmi Shtojzovallet, sikur të bëhej fjalë për qenie mitologjike, pavarësisht nga Zanat dhe Orët. Në popull thuhet edhe Zanat e Malit, çfarë nënkupton se vendqëndrimi tyre ka qenë përgjithësisht mali, prandaj gjinorja “e malit” është identifikim: Zana e Veleçikut (Zana e Malit të Veleçikut), Zana e Miliskaut (Zana e Malit të Miliskaut). Për Orët thuhet: Ora e Shalës ose Orët e Dukagjinit dhe Ora e Shtëpisë ose Ora filanit me kuptimin përkujdestarja misterioze e krahinës, e shtëpisë apo e aksh individi. Për këtë arsye mund të arrijmë në përfundimin se funksioni i dallon Zanat prej Orëve. Me fjalë të tjera, Zana është një qenie mitologjike, ndërsa Ora është një Zanë me “detyra” të përcaktuara. Për më tepër Zana është trime, sepse në popull thuhet: Filani është trim si Zana, ndërsa ky krahasim zakonisht nuk vjen për Orët. Zana është shumë e bukur, prandaj thuhet: E bukur si Zanë. Orët mund të jenë ose jo të bukura.
Si Zanat ashtu edhe Orët, pra Shtojzovallet, zotërojnë edhe një fuqi të mistershme: aftësinë për të shituar njerëzit. Zakonisht shitojnë burrat që guxojnë t’i shohin Shtojzovallet nudo tek lahen nën dritën e hënës, apo këdo që i trazon gjatë ekstazës së tyre të vallëzimit. Folja “me shitue” ka të bëjë me një veprim të mistershëm që e zotërojnë vetëm Shtojzovallet, të cilat, kur zemërohen me njerëzit, i shitojnë ata, dmth, i lënë pa mend në kokë për tërë jetën, të paaftë për t’i dalë zot vetes; i ngrijnë në vend, i bëjnë kallkan. Zanat dhe Orët shitojnë këdo, burrë apo grua, plak a të ri me timbrikën e hatashme të tingujve që prodhojnë gjatë të kënduarit ose me vallet e magjishme e mjete të tjera, ashtu si edhe shërojnë apo u japin fuqi të mbinatyrshme me qumështin e gjirit cilitdo që ka fituar simpatinë e tyre.
E bëmë këtë hyrje, sepse gjykojmë se Fishta nga ky përfytyrim popullor u nis kur iu drejtua Zanave dhe Orëve në veprën e tij madhore, Lahuta e Malcis. Madje mund të thuhet me plot gojë se vepra e tij ka ndikuar në ngulitjen e mëpastajme të përfytyrimeve për Zanat dhe Orët, tanimë jo thjeshtë si besime popullore, por të rizgjuara si imazhe artistike nga mitologjia iliro-arbërore.
Nisur nga vargu “Për mjedis mue m’plastë lahuta”, që Fishta e ka vënë si betim në gojën e një Zane, mendojmë se edhe vetë titulli i veprës Lahuta e Malcis ka të bëjë më tepër me mitin e Zanave këngëtare se sa me instrumentin e lahutës, me të cilin shoqëroheshin përgjithësisht vargjet epike të folklorit shqiptar. Në veprën e Fishtës metonimia “lahuta e malësisë” shënjon bëmat e malësorëve, historinë e shkruar dhe të pashkruar të shqiptarëve ndër shekuj, mbartur ndër mitet e tyre të trashëguara qysh nga parahistoria e etnogjenezës ilire që na shpie te pellazgët, popullimet paraindoeuropiane të kontinentit tonë. Lahuta është simbol identifikues i atyre qenieve mitologjike prej nga Fishta krijoi figurën e Zanës së Frymëzimit, me të cilën këndoi për 35 vjet rresht në veprën e tij epope. Më tej ai modeloi personazhin e Orës së Shqipërisë, një Zanë që u jep fuqi të mbinatyrshme heronjve shqiptarë; skaliti figurën e Zanës së Madhe, që lufton fyt a fyt me Orën thepe të Malit të Zi etj. Fishta këndoi në Lahutë të Malcis “Panteonin” e munguar të Shtojzovalleve dhe të disa figurave të tjera mitologjike në letërsinë shqiptare. Edhe për këtë kontribut Lahuta e Malcis “është përpjekja ma vigane,- si shprehet Ernest Koliqi,- qi Shqiptari bani deri tash per t’ia zbuluem vetvetes boten e vet”
Zanat dhe Orët zënë vendin më të madh të lëndës mitologjike në Lahutë të Malcis. Veçanërisht Zana e Frymëzimit, që na shfaqet që në blenin e parë (“Marash Uci”, shkruar më 1902), e identifikuar si Zana e Veleçikut. Zana e Frymëzimit është thirrur prej Fishtës që në ngjizje të poemës si një alter autor, duke e bërë kështu një element funksional të strukturës përmbajtësore dhe narrative të veprës.
Duhet thënë që në fillim se Zanat dhe Orët (dhe përgjithësisht figurat mitologjike) nuk vijnë në veprën e Fishtës si mite të gatshme, si mund të mendohet sot kur etnologët kanë arritur të studiojnë mitologjinë shqiptare dhe ta krahasojnë atë me mitologjinë ballkanike e më gjerë. Mitet në veprën e Fishtës nuk janë as ndikim i modeleve të njohura letrare të penave të shquara, si janë shprehur disa studiues kur kanë krahasuar poetin e Lahutës së Malcis me Homerin, Virgjilin, Miltonin a ndonjë tjetër. Aq më pak, Zanat dhe Orët e Lahutës së Malcis shëmbëllejnë me Vilat e mitologjisë së sllavëve të Ballkanit, për të cilat, gjithashtu, ka pasur studiues që kanë gjetur përvijime pa u thelluar sa duhet.
Në kohën kur jetonte Fishta, Zanat dhe Orët ishin një realitet, ta quajmë, fantastik shqiptar. Ditën malësorët gjallonin me pushkë në krah, natën mbylleshin në kullat e tyre për t’ua lëshuar trojet përreth qenieve mitike, të cilat kishin në dorë fatin e njerëzve, mbarëvajtjen e gjësë së gjallë, shumimin e bereqetit. Secili person ose çdo gjë e gjallë kishte Orën e vet të bardhë ose të ligë. Çdo fis a krahinë kishte Zanën e vet që ishte e bukur “me të verbue”, trime “me të çartë”. Edhe në qytete (veçmas në një qytet si Shkodra) fantazia mitologjike ishte e gjallë. Netëve me hënë të plotë Zanat dhe Orët e maleve këndonin dhe hidhnin valle zabeleve më të bukura buzë ujërave, ashtu si ditën malësorët mblidheshin në log duke u argëtuar me këngë e valle.
Duke qenë edhe vetë pjesë e këtij realiteti, Fishta e thërret Zanën e Veleçikut për të kënduar së bashku me të në Lahutë të Malcis bëmat e këtyre njerëzve, shpirtin e tyre. Sikur të mos kishte vepruar ashtu, dmth, po të mos e thërriste një Zanë Mali për të kënduar së bashku me të jetën e malësorëve, zor se malësorët do ta pranonin këngën e tij, si u pranuan realisht vargjet e Lahutës së Malcis, duke u mësuar përmendsh edhe nga njerëz që nuk dinin shkrim e këndim. Sepse ndër shqiptarë ka edhe një kult të këngës, një kult të fjalës së bukur që vjen vetëm si frymëzim i magjishëm prej qenieve mitologjike, si kudo në trevat e Mesdheut. Kur duan ato, Shtojzovallet, ia vënë dikujt në dorë lahutën dhe ia rreshtojnë fjalët. Jo kushdo mund ta bëjë këtë punë, përveç të zgjedhurve prej Zanave. Fishta që kur zu fill Lahuta e Malcis ndihej i zgjedhur prej Zanës së vet të Frymëzimit: “Se pa ty, besa, moj Zanë, / Vështirë se ‘i fjalë unë muj me e thanë” do të shkruajë ai më vonë.
Nisur nga vargjet e Fishtës, gjithnjë nga bleni i parë, Zana e Frymëzimit është thirrur në Lahutë të Malcis për të mallkuar armikun (“Lum, oj Zana e Veleçikut \ që m’ia lëshon ti namet anmikut”); për të nxitur malësorët në mbrojtje të trojeve të veta (“Që m’i uron djemtë e Malcis”); për të mbajtur zgjuar ndërgjegjen kombëtare edhe në kushtet më të pafavorshme (“Që m’ia qan hallin Shqipnisë”). Por, pavarësisht asaj që komunikon autori, Zana e Frymëzimit është thirrur në Lahutë të Malcis, jo vetëm si një alter autor, por edhe si një alter ego. Fishta vë në pingrimën e Zanës krahas lavdisë së të kaluarës (“në të bardhat kohë që kanë prendue”) edhe dhimbjen e vet për gjendjen e rëndë ekonomiko-sociale të shqiptarit të robtuar:
Për me mbrojtë një grue te shpia,
Të cilës bukë i lypin fëmija
Edhe i len, ndoshta, me qa
Përse e mjera bukë nuk ka
(Kënga XIII, v.30-34)

Shooter-Ks
Legjend
Legjend

Numri i postimeve : 5077
PIKE : 6303
Popullariteti Popullariteti : 41
Data e regjistrimit : 11/06/2010
Mosha : 20

http://www.deqani-ks.all-up.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Gjergj Fishta Lahuta Malesis

Mesazh nga Shooter-Ks prej Thu Jul 01, 2010 11:56 am

Vargje të tilla, që rreth një çerek shekulli më vonë do të karakterizonin veprën e Migjenit, nuk mund të zinin vend ndryshe në një vepër epike që ishte e orientuar në lartësimin e bëmave heroike të kombit. Kemi parasysh këtu rregullat e ngurta të klasicizmit që nuk e pranonte kategorinë e së ulëtës (vulgares) në një vepër epike. Por Fishta, që i ka njohur mirë këto rregulla, ka ditur edhe t’u shmanget atyre, duke i lëshuar rrugë spontanitetit të vet poetik përmes pingërimës së Zanës së Frymëzimit. Zana e Frymëzimit, si një alter ego, shpreh në ndonjë rast edhe nervozizmin që i shkaktohej poetit prej një realiteti herë-herë aspak epik, si dhe nevojën për t’u çliruar prej mllefeve asfiksuese për shkak të politikës së atëhershme të Evropës në Ballkan, e cila ishte fare pak qytetëruese si pretendonte të ishte. Në shpërthime të tilla autori ka përdorur edhe një gjuhë tejet vulgare, si në vargjet:
Uh, Evropë, ti kurva e motit,
Që i re mohit Besës e Zotit,
Po a ky asht sheji i qytetnisë,
Me nda tokën e Shqipnisë,
Për me mbajtë këlyshët e Rusisë?
(XIII, v.40-44)
Një dimension tjetër i Fishtës, të cilin na duhet ta theksojmë që në krye të këtyre shënimeve për Zanat dhe Orët në Lahutë të Malcis, është fakti se ai ishte një frat i shkolluar që njihte mirë mitologjinë greko-romake e biblike. Fishta njihte mirë edhe letërsinë e shkruar që ishte mbështetur në atë mitologji. Por thirrja e Zanave dhe Orëve në Lahutë të Malcis nuk duhet marrë si aplikim i atyre modeleve, qofshin edhe të mjeshtërve klasikë si Homeri e Virgjili. Aq më pak të mendohet se Zanat dhe Orët janë muzat dhe nimfat e Olimpit apo se Zana e Frymëzimit të Fishtës është muza Kaliopi që në mitologjinë greke paraqitet me lahutë në dorë dhe simbolizon epikën. Fishta e krijoi vetë figurën mitologjike të Zanës së Frymëzimit sipas lëndës mitologjike që gjallonte në popull. Zana e tij e Frymëzimit nuk është as Diana e romakëve që identifikohet me Artemidën e grekëve, sa do që në thelb ka diçka të përbashkët me të, sepse simbolizon mbrojtjen e natyrës së virgjër. Çabej që e ka lidhur origjinën e fjalës “Zana” me Dianën e romakëve, ka theksuar se “kulti i fortë i Dianës në Shqipëri e përveç këtij vendi në mbarë Gadishullin e Ballkanit të kohës antike sikundër shihet nga dëshmia e mbishkrimeve (...) na bën të pranojmë që te kjo Diana kemi të bëjmë me një “interpretatio latina” të hyjnive epikore (vendase) pararomake.” Ka edhe një shpjegim të A.Meyerit, që vëren se “tek emri ilir Thana... mund që të ruhet një shkallë e vjetër e shqipes Zana”, të cilën e lë të kuptuar edhe Çabej si të pranuar. Në këtë rast kemi të drejtë ta lidhim edhe me kuptimin e foljes me thanë (ai thot-ë), pra, me simbolikën e Thot-it, një nga perënditë më të lashtë të Egjyptit me origjinë pellazge (iliro-shqiptare), siç e klasifikon prof. Katapano në veprën e tij, “Thot-i fliste shqip”.
Në blenin e dytë të Lahutës së Malcis, në episodin e Vraninës (botuar më 1907) Zana e Frymëzimit (ajo nuk identifikohet më si Zana e Veleçikut) zë vend më dukshëm në strukturën përmbajtësore dhe narrative të atij cikli. Në një farë mënyre mund të thuhet se Zana e Frymëzimit, gjithnjë si një alter autor, “përzihet” në konfliktin e çetës shqiptare të Oso Kukës me cubat e sirdarit të Malit të Zi. Me të narracioni fiton një përmasë të re, tepër origjinale, sepse dialogu i saj me autorin zbulon në një farë mënyre intrigën e atij konflikti të ashpër tragjik midis shqiptarëve dhe fqinjëve të tyre.
Në blenin e tretë të Lahutës së Macis Zana nis të na shfaqet edhe si personazh. Ajo tanimë është “Ora e Shqipnisë”. Duhet të risjellim ndër mend se bleni i tretë “Lidhja e Prizrenit” (shkruar dhe botuar së pari më 1920-1922) zë vend në Lahutë të Macis fill mbas episodit të Oso Kukës (bleni i dytë), me të cilin hapet vepra. Kur shkruheshin dhe botoheshin të pesë këngët e episodit “Lidhja e Prizrenit”, Shqipëria ishte bërë shtet i pavarur, ishin vendosur kufijtë dhe kishin filluar të funksiononin institucionet. E kaluara nuk ishte më një tregim mitologjik për fisin apo një këngë folklorike trimërie. E kaluara tashmë është histori. Marash Uci dhe Oso Kuka janë një pjesë e saj. Fiset e malësorëve që u përballën me shovinizmin malazias, gjithashtu, një pjesë e saj. Madje e gjithë Shqipëria dhe Ballkani ishin pjesë e konflikteve historike të perandorive të kohës dhe të Fuqive të Mëdha. Ashtu si sot dhe dje, në vitet ’20-‘30, kur vazhdonte të shkruhej Lahuta e Malcis, Fishta ishte ndërgjegjësuar se po shkruante epopenë e fisit dhe të kombit shqiptar. Dhe kombi shqiptar i kishte rrënjët deri thellë në mitet e veta. Zana e Frymëzimit do ta shoqërojë autorin si në dy blenet e para. Por tashmë Fishta është bërë intim me të. Ai i drejtohet me shprehje të tilla, si: “Deh, moj Zanë, ty, t’qofsha true”.
Edhe në këngën e fundit Fishta nuk e harron Zanën e vet të Frymëzimit, e cila për disa dekada i ka qëndruar pranë. Ai tani e quan një bjeshkatare, me të cilën ka realizuar një monument të pavdekshëm në gjuhën shqipe: “Ndertue kem ‘i pomendare, \ Rrfe as mot mos m’e dërmue”. Të pathemelta mbetet argumentimet e disa studiuesve që te kjo Zanë vazhdojnë të kërkojnë një figure “që del në literaturën tonë si substitut i Perëndive të literaturës antike greke”. Ajo është thjeshtë një krijesë e poetit që i shton rrëfimit epik notat e “tipizimit lirik”. Më kot janë munduar edhe zëra të tjerë që kanë kërkuar te këto Orë dhe Zana të Lahutës së Malcis analogji apo diçka tjetër me Vilat e epikës sllave. Mund të ishte e kundërta.
Fakti që figurat mitologjike shqiptare vijnë fuqishëm në letërsinë e shkruar shqiptare kaq vonë, në fillimshekullin XX, nuk duhet paragjykuar si “një fenomen i vonuar në letërsi”, krahasuar me letërsinë e vendeve të zhvilluara, përfshirë, psh, letërsinë dhe kulturën gjermane me Richard Ëagnerin (1813-1883), shkrimtar dhe kompozitor i shquar i romantazmit evropian, veprat e të cilit ishin rikrijim i subjekteve dhe figurave mitologjike gjermanike, veçanërisht, të eposit të Nibelungëve. Mund të kujtojmë këtu se në vitin 1906, kur Fishta niste botimin e Lahutës së Malcis në Evropë vlerësohej me Çmimin Nobel italiani Karduçi (1835-1907), që në vendin e tij konsiderohej poeti i fundit romantik. Në një këndvështrim më të guximshëm, për shfrytëzimin e miteve nga Fishta dhe rikrijimin e tyre, sipas modeleve të letërsisë gojore, mund të shtonim se ai ishte në të njëjtën paralele me zhvillimet estetike evropiane të kohës së tij. Autori i Lahutës së Malcis ishte në vazhdën e atyre shkrimtarëve romantikë, për të cilët është thënë se “në krijimtarinë e tyre pati gjallërim edhe një lloj mitologjizmi i ri, i cili i parapriu mitologjizmit modernist”.


Kënga e fundit
Edhe në këngën e fundit Fishta nuk e harron Zanën e vet të Frymëzimit, e cila për disa dekada i ka qëndruar pranë. Ai tani e quan një bjeshkatare, me të cilën ka realizuar një monument të pavdekshëm në gjuhën shqipe: “Ndertue kem ‘i pomendare, \ Rrfe as mot mos m’e dërmue”.

Shooter-Ks
Legjend
Legjend

Numri i postimeve : 5077
PIKE : 6303
Popullariteti Popullariteti : 41
Data e regjistrimit : 11/06/2010
Mosha : 20

http://www.deqani-ks.all-up.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Gjergj Fishta Lahuta Malesis

Mesazh nga Sponsored content Today at 12:17 am


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Faqja 9 e 9 Previous  1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi