Deqani-ks
Deqani-ks Forum - Welcome

Mire se vini ne Deqani-ks Forum, Ju ftojme qe te Regjistroheni, ne menyre qe te keni aksese ne te gjitha kategorit dhe temat, ne Deqani-ks Forum, mund te gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe te huaj, Muziken me te re 2011, DVD Humore shqip, Keshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet me te reja nga vendi dhe bota.

Join the forum, it's quick and easy

Deqani-ks
Deqani-ks Forum - Welcome

Mire se vini ne Deqani-ks Forum, Ju ftojme qe te Regjistroheni, ne menyre qe te keni aksese ne te gjitha kategorit dhe temat, ne Deqani-ks Forum, mund te gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe te huaj, Muziken me te re 2011, DVD Humore shqip, Keshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet me te reja nga vendi dhe bota.
Deqani-ks
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

BUZËQESHJE LIRIE - Nezir Myrta

Shko poshtë

 	 BUZËQESHJE LIRIE - Nezir Myrta  Empty BUZËQESHJE LIRIE - Nezir Myrta

Mesazh nga Shpejtim_De Sun Jul 11, 2010 1:41 pm

Nezir Myrta / KËNGA E POPULLIT







Kënga e popullit -
këndua nën hundë kur nuk donte të merr vesh mali
as te sheh fusha

kur vlon gjaku e gufon shpirti
i ka adhë deri në fyt

këngë e kënduar nëpër tymëra flakë e lotë

këngë e kënduar e gjithmonë e pashkruar
pa shkronja as orthografi pa lasp as shtypshkrojë
këngë që gufon në zemër e vlon përgoje shkrum i gjallë
e kënduar në hastra çerga qilima e drrasa të thata si fati
në gryka maja e shkëmbinj malesh të larta
gjithë natënelume pa shtie gjumë në sy
me vajë në buzë -
e lotët pikuan në çergë e lotët pikuan në shkëmb

e pika shpoi gurin tue rrehë në një pikë!

***

Kënga e popullit u këndua
deri iu bre fija lahutës e iu këput teli qiftelisë
lahuta e qiftelia mbeten varë atëditesot
u pre këna në kulla - u pre kënga mbi shkëmbinj

kënga mbet vaji i burrit

edhe para djepave edhe para varreve
edhe kur Hana u përgjak mbi mal
edhe kur Dielli leu si gjaku në agim

edhe kur Hana ishte në të sosur
edhe kur vaji ishte në të nisur

edhe kur Dielli u zu me kuçedër
jehoi kënga e populli e shpërtheu vaji i burrit:
- O lum për ty o për të lumin Zot
o ë kambë na u çua Sokol e Halili!...

Doli Zana e Malit e
Mali ushtoi prej Djalit

kur kqyren në varr
gjeten veç 'i grusht eshtra

e zana mori malin
e toka mori djalin

kënga mbet Vaji i Burrit!

(1995) nga POEMA PËR POPULLIN
Shpejtim_De
Shpejtim_De
Antar
Antar

Numri i postimeve : 40
PIKE : 52
Popullariteti Popullariteti : 0
Data e regjistrimit : 11/07/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

 	 BUZËQESHJE LIRIE - Nezir Myrta  Empty Re: BUZËQESHJE LIRIE - Nezir Myrta

Mesazh nga Shpejtim_De Sun Jul 11, 2010 1:42 pm

Nezir Myrta /HISTORIA E POPULLIT








Historia shpesh -
është edhe lojë grabitçare
e fëmijve

fëmijët luajnë në zall -
me gur e bujashka me copa hekuri
edhe me zjarr
keshe po mbarojnë ura kulla tempuj e rrokaqiej

vijnë tjerët e ua prishin më këmbë -
e mbi ato ndërtojnë lodra tjera

vijnë tjerët e luajnë lojëra tjera
dhe harrohet Loja e Fëmijve të Parë

këngët zonat e mrekullueshme hyjnore
harrohen vallëzimet e Shqipeve e Gjuha e Parë

e fshihen gjurmat e gishtave të përgjakur nëpër zalle!

Kush mund ta luajë ma bukur Atë Lojën e Parë
se sa Ata që e luajtën Të Parët ?
Kush mund të nxierri Za ma të bukur
se sa Ata që kënduan Të Parët?

Historia shpesh -
është Lojë grabitçare e fëmijve!



(SHËMBJA E NJË HISTORIE)


Erdhen -
e m'i rrëxuan krejt murana e mure Trojesh
statujat e Kangëve të Diellit e Hyjnive
faltore hyjnore hyllire iu rrjedhë gjuha gjak ende
pllakat e gurëve të datave të mia të mëdha
ma thyen zemrën e këngve të gurta

e nuk i lanë kund dy gur bashkë

mbi muranat e rrëxuara -
ende shihet fuqia e duarve e mendjes tempuj kohërash
e mbaruan tempuj tjerë e thurën këngë tjera
dhe e çthuren historinë!

Erdhen tjerët vargevijë -
u sollen rreth atllasëve madhorë akropole Ethanë
m'i rrëxuan amfitheatrot e gurta paa Heraklit të Hershëm
qytete të lashta që i harroi historia në parahistori
m'i thyen gurët e varreve, m'i vodhen mbishkrimet
germat e mia të Gjuhës së Parë
e,
varret nuk flitshin as eshtrat nuk lësonin zane
i fshinë emrat e trojeve të mia emrat e gjyshave
ma shkyen hartën time gjeografike emrat e lumejve e detrave
emrat e oqeaneve edhe vet emrat e Yjeve e Yllësive

ma vodhen emrin e diellit tim hell i zjarrtë
tej Apollonisë Butrintit që sot janë pa koka
vjedhur nga gjaku i hajnava varrtarve zjarrtarve të hershëm
edhe sot në epoken e re

erdhen tjerët e mbjnë gozhduar në çengela gjeohistorinë time
nga e gjeten Egjeun, nga Ulkinia e Ulpiana e shëmbur
e,
deri tek Gyka e Dardhaneleve dardhane...

Erdhen e thuren historië e tyre të pahistori
dhe e çthuren historinë e botës!...

Ballkani Hillirik - plaku europian
të gjithve ua vizatoi në zall me kunin - germat e para
të gjithve iu dha dijeni diejsh e ata iu kthyen ne dijeni djajsh
të gjithve iu dha dje dije të shkruajnë emrat e tyre
zanore diftongje formema

krejt çka sheh e s'sheh syri
krejt çka ndien e s'ndien veshi
krejt çka thotë e s'thotë gjuha

ua dha krejt çka thot vet zoti Thoti
që fliste Shqip!

Është Lëkundje linguistike botërore
Lëkundje Lukunishë!

Linguistikës i dridhet gjuha në gojë!

(1995) nga POEMA PËR POPULLIN
Shpejtim_De
Shpejtim_De
Antar
Antar

Numri i postimeve : 40
PIKE : 52
Popullariteti Popullariteti : 0
Data e regjistrimit : 11/07/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

 	 BUZËQESHJE LIRIE - Nezir Myrta  Empty Re: BUZËQESHJE LIRIE - Nezir Myrta

Mesazh nga Shpejtim_De Sun Jul 11, 2010 1:42 pm

GJUHA SHQIPE






Gjuha shqipe -
është rrjedha e lumit e gurgullima e Kronit
është Zoni i Zotit -
currilat e pikllimeve të shiut në strehë zemre
rrjedha e konit të pashterrshëm të jetës shkrum i gjallë
burim ka zemrën e gurit të trollit nëpër damarë të gjakut të shkëmbinjve

sa të jetë toka - tokë
sa të jetë dielli - diell e hana - hanë!

E thirrja - Nanë!

Gjuha shqipe -
është ushtima e ujëvareve kur bie mbi shkëmbinj
është shushurima e erës e dridhja e fuqishme e stuhive

është zani i zëmrës së nanës në majethike
është duhama e babait në tranët e kullës e në shtrat të vdekjes
është ushtima e ushtrisë grykave dhe jehona e britmave majave ne mbrojtje te atdheut -
është gjëmimi i kullave rrafsh me tokë - nga krismat rrafsh me qiell
është marrshi vigan i popullit mbi tokën e vet të lirë!

Gjuha shqipe -
është gufimi i shpirtit nga të rrahurat e fuqishme të zemrës
kur dojë të shpërthejnë zanoret e para të emrit të trollit të lindjes
ku emrohet toka me emrin e vertetë të gjakut të derdhur

kur e sheh babain lidhur me zinxhirë e gjaku skurrë përfaqe
kur e sheh vllaun duke dhëne shpirt me grushta ne Dhe
kur e sheh motrën me flakë në krye duke vrapuar oborrit

kur digjet bukuria e shkrumohet bari e lulet e zemrës thahen
kur bie kulmi i fatit në tokë e lukinitë edhe në qiell robërie!

Gjuha shqipe -
është rrezja e diellit në agim nga kaltria e kuqrremtë
është cicërrima e zogjve nëpër degë me bulëza e ngjyrat e luleve në kopshte shpirti

është frymëmarrja e thellë e gurit në murana lotësh
është ecja e vrullshme e të rinjve rrugëve fatit të dashurisë
është ecja çapkene e vashave duke i valvitur flokët në erë
është balli i lavruar i pleqve prej umave të kohërave të liga
është zani nënhundë i plakave duke tjerrur të kaluarën në furka
në shllungat e bashkëve të reve të tymosura
duke i mbështjellur pejtë e viteve e kohërat në boshta.

Gjuha shqipe -
flet kudo e gjithkah në dritë e terr
flet me krye, flet me sy, flet me gishta
e flet nënhundë -
kur populli është duke pregatitur historinë e vet
kur nuk i pëlqen diçka as gjithçka dhe e din se ende nuk i ka ardhë dita -

një ditë e ka edhe qeni - thot populli
e kur është dita e qenit, populli jeton qençe në kohë qeni
dikush e luan kryet në shënjë të shkeljes së lirive të njerit
e dikush e luan kryet për ta kallë vet shtëpinë e tij

populli - flet e fle rrallë e përmallë

njeriu vdes duke buzëqeshur sikur me luajtë
kur ka pse të vdesë!
Mate veten - pse u linde të bëhesh hamall bote gjithmonë të krrusesh derisa të mbetesh dikund në ndonjë qoshe pa frymë!
Mate veten! E Mate Fjalën!

Të flasësh gjuhën shqipe -
duhet ta keshë fjalën në majegjuhe
ta njohësh atë gjuhë mijavjeçe me rrënjë në gjak dhe eshtra
nga belbëzimet e foshnjes në djep, në postajë, në shavar në kashtë - nëpër buxhilla të ujit nga vërshimat e kobshme
t'i njohesh klithjet e fëmijve duke u rrëxuar në hapat e parë të ecjes këmbadoras -
t'i njohesh ofshamat e pleqve kur nxëjnë në t'thua në prag dere
kur mezi luhen e çohen duke u mbajtur për shkopin e viteve topalle -
t'i njohesh ofshamat e nanave para bijve të vdekur duke u shkrirë si krypa në ujë -
t'i njohesh ofshamat e baballarëve para varreve që ua këputin shpirtin!

Atëherë ke çka folë e ke çka shkruan -
kur ta dridhë fjala fjalën në buzë pa e qitë përgoje
atëherë vërtet - ke çka kallxon!

Të flasësh në gjuhën shqipe -
duhet ta shqipërosh gjëmimin e motit e ta zbërtheshë në diftongje e zanore bubullimën e Motit të Madh
të emrit të djalit të vetëm të Trollit Trim!

Kur emron foshnjen -
duhet parase ta keshë emruar djepin me kaptyll e emrat e lojërave të fëminisë -
emrat e gjymëtyrëve të trupit e dyerve të shtëpisë
përpara duhet të ia keshë emruar: rrugët, sheshet, shkollat, trollin, vendlindjen, kathedralet, monumentet e muzetë historike e parahistorike -
me këtë gjuhën e bukur shqipe

përndryshe -
fëmia do të gabojë në emërtimet e fëmijve të vet
e ti do ta gaboshë rrugën në oborr e s'ke askënd të gjallë ta pyesesh -

e do të mungojnë gjithmonë lodrat e fëmijve
e do të mungojnë gjithmonë fjalët e pleqve
e do të mungojnë gjithmonë ushtarët e vërtetë e gjeneralet trima të mënçur -
do të mungojnë rrugët e jetës në shkolla

e do të mungojë historia!

Gjuha shqipe -
është bukuria e jetës mbi tokë
sa të jetë toka - tokë, e dielli - diell, e hana - hanë

e sa të jetë thirrja - Nanë!

(1995, duke pregatitur Lirinë e Kosovës)

nga POEMA PËR POPULLIN
Shpejtim_De
Shpejtim_De
Antar
Antar

Numri i postimeve : 40
PIKE : 52
Popullariteti Popullariteti : 0
Data e regjistrimit : 11/07/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

 	 BUZËQESHJE LIRIE - Nezir Myrta  Empty Re: BUZËQESHJE LIRIE - Nezir Myrta

Mesazh nga Shpejtim_De Sun Jul 11, 2010 1:42 pm

POEMA PËR POPULLIN






Populi ecë e nuk ngutet
Udhës me gropa zemre e kalldremeve historike
Nuk ngutet se është i Lodhur- i Këputur nga Thikat
Varrët Thika pas Shpinde ia kanë këputur shpirtin

Pesha e hidhur e historisë së tij -
Plot data lavra vitesh në ballë e shekuj betejash
Pa Pre e pa Fre -

Historia e Huaj i rrinë Gerrbë Mbi Shpindë ende!?
E -
Shpindën e ka plot gjak e trupin shoshë shpatash e plumbash

Plot plagë të moçme mijavjeçe

Duket sikur ngjitet gujaz Përpjetëzes Epike
Kurrë i gjunjzuar numron Hapat e Epokave
Që Ia lan veç një Copë Trup e Shpirt -
E me shpirt ndërdhëmb mundohet Për Të Gjallë!

Plot plagë të moçme mijavjeçe!



2.

Populli ecë ngadale e nuk ngutet -
Viteve të Krrusura Ura historike të Via Egnatias
Koha pa ujë në Sy ia qet thiijat e përgjegjura
për 'i pikë xeher tambli në Sy të gjegjur e t'regjur

Tamblin e Nanës ia qet për hundësh -
Deri ta qet një fjalëgoje
tue qitë zjarr për sy e tym përgoje

thuase - i kemi lindë zotit me zor!

Populli ecë ngadalë e nuk ngutet -
Varg i Gjatë Thik'përpjetë zor është m'u ngjitë kështu
S'ka kohë me u ndalë as para varreve as para të vdekurve
Të plagosur nuk sheh askund të shtrimë edhe ata ecin
Përpjetëzes së Plumbtë

Nuk kemi Kohë as me vdekë!

E Koha bie mazunë përdhe, nuk qet za as fjalë përgoje
Buzët - Shkrum i Gjallë - e luan kryet pëndueshëm -
Ka dro do ta shkelë Tjetra Kohë në gjysëmrruge

Mbetet kush mbetet e del në Breg Kohe - kush të del!

Historia e Popullit -
Nuk Shkruhet me Shkrola e Shkokla
Kur ecet Thik'përpjetëzes Gjarpnushë Historike

Populli ecë ngadale e nuk ngutet...!




3.

Ecë ngadale e nuk ngutet -

Kuk ngjitet ngarkuar Gur Muzeshë e arkeologjishë të thyeme antke -
Bjeshkët e Namuna i Banë me Shpindë

E Bjeshkë Shtyen me Gjoks!

Skurruar ne Gjak Triumfal të Fitoreve të Huaja
E Dikush ne Gisht në Gojë -
Dikund me Gisht në Kokë e dikund ia merr kamba kambën
me Zorrë nëpër kambë -
Pret të ia Jep Dorën Bjeshka - ajo ende i rrokullisë gur!

Koha Breshkë Ende ia Qet Thijat e Përgjegjura...

Përditë i del Doresh nganjë Bjeshkë e nga një Vrrijë
Me hekura në duar - don të dali hekurah - Moteve të Nxime!
Ia Nxini Jetën historia e veshur me Uniforma shtrigash

Me Bjeshkë e Vrriijë ndër Sqetulla -

Historia i ndalet para kambëve - keshe po ia fshinë djerëset e gjakun - djerëset i vlojnë n'ballë e s'un ia gjenë kund Çaren Vetit!

Përditë në lojna të reja - Shtrigash të Vjetra!




4.

Populli ecë ngadale e nuk ngutet -
Epokave Qorre Historike me Hapa të Randë - Bjeshkë!
Me Kokë Plumb - të rënduar mbi Kohë

Me Kohë Plumb në Zemër!

Me Shpindë të Plumbtë te Dy Luftave Botnore
Me 'i Botë në Shpindë -
me ndërskamca historike të pahistori
Përditë ia grryejnë Gjeografinë e vet ndër kambë

Përditë ta Grryejnë Dheun Ndër Kambë!

E ende Mizat e Trollit ardhse marrin Krahë Drangojsh për tu ngjitur në Qiell -
E me i shtie në Grusht Retë e Mendimit Bosh!

Ende - Mizat dojnë të bahen drangoj e Drangojtë sikur po paraqiten si miza -

Me Sy Mize nëpër Pluhurin e Mbetur në Tribuna Tribunatorësh!

Epokat e Lavdishe Hillire -
diegur e humbur pashënjëpadokë Nën-Tokë e Nën-Ujëra!
Edhe vet Koha sot po e sheh Kthjelltë Rrënjen e Gjallë
deri në Fundbote të Antikunit -

Gjaku Dardan vlon Ende illir ballkan!

Populli Ecë Ende Përpjetëzes Gjarpnushë Historike
Ngadale E Nuk Ngutet...!

(7. mars, 1996) Nga Vëllimi - POEMA PËR POPULLIN
Shpejtim_De
Shpejtim_De
Antar
Antar

Numri i postimeve : 40
PIKE : 52
Popullariteti Popullariteti : 0
Data e regjistrimit : 11/07/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

 	 BUZËQESHJE LIRIE - Nezir Myrta  Empty Re: BUZËQESHJE LIRIE - Nezir Myrta

Mesazh nga Shpejtim_De Sun Jul 11, 2010 1:43 pm

Nezir Myrta / PRISHTINA




Prini Prishtina
me zëra nga troje të Shqipes

zëra të rij shpëtuar pahiri nëpër kukama shekujsh

zëra të lindur nga gjamët e vuajtjes deri n'Ka të Zi
zëra mjerimi të lindur edhe atje ku dreqi ban vo
atje ku nuk mundi të shkeli lirë as armiku ma i fshtirë

nga shkrepat e Tuzit e kreshtat e Dushkajes
nga shpatet e Podgurit e djerrinat e Drenikës
nga zhvinat e Kaçanikut e kërrshat e Dibres

zëra të lindur nëpër flakë e tym kohërash të nxime

erdhen e prinë në Prishtinë
e nëpër flakë e sollen lirinë

Prishtina zëri i trojeve të Shqipes!
Shpejtim_De
Shpejtim_De
Antar
Antar

Numri i postimeve : 40
PIKE : 52
Popullariteti Popullariteti : 0
Data e regjistrimit : 11/07/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

 	 BUZËQESHJE LIRIE - Nezir Myrta  Empty Re: BUZËQESHJE LIRIE - Nezir Myrta

Mesazh nga Shpejtim_De Sun Jul 11, 2010 1:43 pm

Nezir Myrta / KROJET E HUAJA TË LËNË NË HËNË



ç'nxierr fjala



ç'po beni

a kaq të pamëshirshëm ndaj fjalës

flokët e dimrit ju vëjnë në gjumë

ju përkundin dritëzat kristal nga acari

nuk e shihni kohën duke reshur mbi krye

qenkeni lodhur nga vrapi i fjalës

fajet e fjalës janë faje të mëdha

burime të ngrime akull ku rri shqipja maje shkrepash

zgjohuni e mos shtërzeni

a kaq fort qenkan ngrirë burimet e fjalës?

Deri në Hënën e Tretë do tu ngrihen shikimet

e do shikoni nënakull bebëza të hapura kah qielli

zgjohui e mos shtërzeni

nuk e shihni se edhe lotët janë ngrirë?

Nxierrni damarë të rinj nga toka e zanoreve

nuk e dini se ka edhe lumenj nëntokësor?

Eh! Mjerë për kronin që s'ka më ujë as gurrë

dhe e mashtrojnë rrjedhat e shirave të verës!

Rrëmih nën guri të fjalës thellë nën gjuhë të tokës sate

se krojet e huaja të lënë në Hënë!
Shpejtim_De
Shpejtim_De
Antar
Antar

Numri i postimeve : 40
PIKE : 52
Popullariteti Popullariteti : 0
Data e regjistrimit : 11/07/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

 	 BUZËQESHJE LIRIE - Nezir Myrta  Empty Re: BUZËQESHJE LIRIE - Nezir Myrta

Mesazh nga Shpejtim_De Sun Jul 11, 2010 1:43 pm

Nezir Myrta / FJALA E FTOFTË




Fjalë e ftoftë
është vdekja


ecim kah pikëpjekja


shumë ma mirë i vdekur
se sa bar i dergjur plastik
art artificial pa blerim
trup plepi e erë djepi


vdekja është fjalë e ftoftë

më vret -
vdekja e të dashurve -
vdekja në trojet trime
vet kurrë s'pata dro
moti ia kam hjekë dhëmbjen vetit

posa t'i frigohesh vdekjes
ajo fill të troket në derë

dera ime prore hapekrah


e vrave një -
bëre deren e hekurt
i vrave dy -
lëre deren e drurit
vrave dyzet e sipër
deren lëre hapekrah

jo, deren hapekrah e vet shpatit

Brechti pasi foli për turpin e kombit të tij tha:
'Tigrat i vrava e m'grinë pleshtat!'

Më vdiqe moj fjalë e fortë
më ndoqe moj fjalë e ftoftë

do të të bëj shkrum!
Shpejtim_De
Shpejtim_De
Antar
Antar

Numri i postimeve : 40
PIKE : 52
Popullariteti Popullariteti : 0
Data e regjistrimit : 11/07/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

 	 BUZËQESHJE LIRIE - Nezir Myrta  Empty Re: BUZËQESHJE LIRIE - Nezir Myrta

Mesazh nga Shpejtim_De Sun Jul 11, 2010 1:43 pm

Nezir Myrta / POETI






mbaron lule prej zjarri

petale bojdhezta flakrojnë e t'i marrin sytë
aroma e zjarrtë gufon e t'i merr mendët -
bebëzat mbesin hapur si në agoni knaqësie
thot - le të bien edhe yje djerëse mbi faqet e mia
nuk mund t'ia marrin shkelqimin syve të mij

vjen e para dhe i pushon shpirti në fjalë
vjen e dyta dhe i zhgrehet fjala hark në zgabim
vjen e treta dhe çmendet egërsisht nga xhelozia

mbaron lule prej zjarri

flakët i bën petale të ndezura
me kokërrza të xixave mbaron polem dashurie
me gaca mbaron kunorën e ndezur prush shikimi
flokët e flakëta i derdhen vrushkuj malli
Shpejtim_De
Shpejtim_De
Antar
Antar

Numri i postimeve : 40
PIKE : 52
Popullariteti Popullariteti : 0
Data e regjistrimit : 11/07/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

 	 BUZËQESHJE LIRIE - Nezir Myrta  Empty Re: BUZËQESHJE LIRIE - Nezir Myrta

Mesazh nga Shpejtim_De Sun Jul 11, 2010 1:44 pm

Nezir Myrta / MBI ATLANTIS





Atlantida -
gjithkush e din se -
nuk mund të shkelet mbi ty
e askush nuk e din se -
ndoshta mund të shkelet mbi ty

Atlantida ime
Dashuria ime ujore

as në tokë as në qiell
nuk shkelet dot me këmbë
Atlantida ime ujore

Tokë e mashtruar nga Uji
Tokë e larguar nga Ajri

Etje të pashuar paske pasë
Vashë e mashtruar të Kroni i Shpatit të Shënjtë
dikund në Dushkajë
e,
me burrele të thatë
ende ecën nën ujë
ujoreve të paskajshme tokësore
Ende je në ujë
në pus të pafund të botës
keshe iu është dhënë fund marrive të moçme
e Ti ende nuk e gjete Shtëpinë e Lashtë
me dy-tri rrasa guritë mëdha mbi kulm

e kanë mbuluar myshqet ujore e mythi i kohëve të liga
hidrat helmuese ende ia marrin shpirtin

në Shtëpinë time ende banojnë peshkaqejt

Kohë peshkaqejsh çuditërisht ende mbretëron mbi ty
Atlantida ime -
Dashuria ime Ujore faqeskurruar me rrëke lotësh
Dashuri e mbetur nën ujë -
as e harruar
as permendesh kund për të gjallë

ç'faj paske bërë...?

Pse e bartë mbi supe gjithonë në cep të krahut
atë burrele të thatë ëndrrash dimri
kur bora e acari i fortë vëjnë gjithçka në gjumë
e,
fantazmat kriminale të moçme
ende i shpallin luftë vetvetes
e,
askush nuk e din se -
Ti ende ecën me gishta të ngrirë përgjakur
plot kopuja të mbledhur qelb perandorishë
Tëvona vrapon çmendive nëpër maja gjilpërash

kahmot ta kanë zënë priten
gjithkah në çdo anë e shteg
e nuk të lanë kurrë me pa ditë të bardhë

ende ecën nëpër copa xhamash të gjamëve
të gotave të thyera ilire
nga etja emadhe i flaken për shkëmbinj
dhe copë-copa e bënë Epikën
duke përfunduar një histori të gjallë
një histori të ngrirë që ende dridhet
si thupra në ujë!

Atlantida ime -
Dashuria ime Ujore!

Dashguri e ngirë mbetur nën ujë akull
vorbullë e padukshme -
të tretë nën Dhe deri në Ka të Zi
sytë nuk bëjnë dritë me të parë
kështu si je mos qofsh më tjetër

Atlantida ime
O Toka e Im At -
Atvendi im ç'faj paske bërë
e din apo s'e din?

Ky është Fillim i Fundit!

(31.08.1994)
duke fluturuar mbi Atlantik
Shpejtim_De
Shpejtim_De
Antar
Antar

Numri i postimeve : 40
PIKE : 52
Popullariteti Popullariteti : 0
Data e regjistrimit : 11/07/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

 	 BUZËQESHJE LIRIE - Nezir Myrta  Empty Re: BUZËQESHJE LIRIE - Nezir Myrta

Mesazh nga Shpejtim_De Sun Jul 11, 2010 1:44 pm

Nezir Myrta / GJUHA E GURIT





GJUHA E GURIT




Gjuhë të çuditshme
ka guri im -

askush nuk mundi
t'ia mësoj shkronjat

shkronjat e emrit tim
plasje rrufeshë

guri im
gojëgur!

(1987)





MOLLA E EVËS


Gjysma Dashuri
gjysma Urrejtje
tok u mbollën
në Kopsht Zemre

Eva - Burim i Jetës
e Mkatnore mbete

unë çka kam Faj...?

(1987)





NJË PYETJE


Jeta lumë me një Breg

ku është Bregu tjetër
gjith jetën do të pyes

(1987)





BJESHKËT E NEMUNA


Në vend të Pagëzimit
mbeti emër Mallkimi

Bjeshkët e Nemuna
mbeti dashuria ime

Frynë Erë Mallkimi
deri në Fjalën pa Zë

Kush ju mallkoi kështu
me këtë emër të rëndë
më tregoni -

se u dogja nga Dashuria!

(1987)





I BININ MALET BORISË



I binin malet borisë
rrëxoheshin grykave shkëmbinj e
ngriteshin majave plisat e bardhë
e shkrepave shkreptima
binin plisa gjaku

Kohërat vënin nganjë vulë në ballë
Muranë pesëqind myhyra dovletesh
murana rënie e ngritje miletesh

erdhen e shkuan
nuk u kthyen kurrë me
e lan gjurmë e vrragë në gjakun tim

erdhen e thanë se jemi miq
e mbi supe mbanin armë
mbi koka plisa të hekurt
në zemër mbajnë shtypje masakra robëri

Guri im prore me armë nënkrye
baballarët me ta i ndrruan kapuçat

E kohërat Kapuç me Mangë

I binin Malet Borisë
hynin kolonat e bardha grykave
e dilnin të kuqe fushave djerrina

Lisat i digjshin rrufetë
plisat i dridhshin bubullimat
binin shkëmbinj mbi ujëra të skuqura

Notonin në Vorbulla Plisat
deheshin nën hije Pisat -
dridheshin ne maja Lisat

I Binin Malet Borisë!

(2.mai,1986)





LULET E GURIT


Në thelb të Gurit
Fara e Drurit

brënda Gurit
Rrënja e Drurit

rritet Trungu
lart kah qielli

lëshon Degët
Rreze Dielli

Zemra e Gurit
e shkrumbuar
Dega e Drurit
e lulëzuar

Syri i Gurit
mbushur Lot
Dega e Drurit
blerim plot

Qendron Druri
Me Lule Guri!

(1986)





THEATRI I KOHËS SONË


Prova prova prova

Në Theatër
derisa të ndahen Rolet...
Premiera duhet të japet sëshpejti

Regjisori Sylejman Lokaj
është në hall të madh

as në Qiell as në Tokë

nuk e gjenë askund -
aktorin kryesor Nik Bardhin
Heroin e dramës "Ura e Shënjtë"

as në Tokë as në Qiell

Roli Kryesor jam Unë
Kapedan i kapedanëve të Rrafshit të Dukagjinit
qysh para Epokës së Re
mjellmat e bardha nga kaltria
korba të zi mbi lisa të varreve tona
paralajmërojnë

Përsëritjen e Historisë

Ku gojohen mesveti
Urata e Mallkimi në Kosovë
si rriçnat i hanë sorrat e larme

Historia e shtrirë Shtat'bojë njeri!

Nuk dua të shtrihem
Dua të Flijohem -
Mbi Urën e Shënjtë!

Vertikalisht!

Prova prova prova
Provohet Mbrëmja me Aktorët
Në Theatrin e Kohës Sonë -

Derisa të shfaqet Premiera!

(1987)






FITORJA ËSHTË ZEMRA


- Bajram Currit



Lodhesh e lodhesh deri Buzë Vdekjes
sa ngreh Krye mbi Krahët e Tu
Spartak - pa njeren Dorë!


Ngjitesh e ngjitesh deri afr Majës
sa pushon pak mbi Fjalë të Urtë
Spartak - pa njeren Këmbë!


Shikon e shikon Tej Bjeshkëve të Jetës
sa mendon pak me Kokë në Bjeshkë -
Spartak - pa njerin Sy!


Ece, deri në Dragobi dragonj
Trupa Mbërthyer nëpër Hunj
E deri në Dukagjin - Spartak
Bajram Trup i Gjallë Trimërie!

Fitorja është Zemra!

(1983)

post sript: TROJE TRIME u botua ne "Shtigje"
në Kosovë, poashtu u emitua nga RTirana më 1992
recitoi Kastriot Çaushi, redaktore Luiza Musta.


***

KUNORË SONETESH



GJAMA E ORËS SË MALEVE


- Luigj Gurakuqit -

- akrostik


Lot Thoni gjakpirës i Kuçedrës Dheun nën thembër ta rrëmihu,
U hap Syri i Zjarrtë i atdhedashësit e shkrepi - gacë e Rrufesë!
Idhull i Vendlindjes bukuroshe - Atë Flokun me rreze ia krihu,
Gurakuq o Shpirt - Orë e Maleve, që Fisit Tonë i dole në Besë!

Jehon kujtimi o Jakin Shkodra sa e gjatë Qe Qendresa Jote!
Gllauki që të urrejti një Dhëmb shtrige Ty o Shpirt Luftetari -
U kalle Kandil që zdrite zemrën e përgjakur të këtij Behari!
Roje Guri bilbil që Larg Folesë derdhe Kangën nëpër Mote!

Athua nuk ndigjoi Vasha e Parnasit tej detit në tëhuajin Dhee,
Kur Pushoi kangën në Mallengjim një Shtegtar që s'shtegëton!
Unë s'Qajë pra, se Ra Theror për Atdhe të vetin ku është Lee!

Qëndro luftëtar me Pëndë në Dorë vllau n'këto Vargje t'këndon,
I Gjallë N'Qiell të Shqipes e në Syrin tim sot meteor i zjarrtë Je!
Trofe Bilbil i Maleve i Ringjallur në Shpresa të zemrës m'ligjëron!
Shpejtim_De
Shpejtim_De
Antar
Antar

Numri i postimeve : 40
PIKE : 52
Popullariteti Popullariteti : 0
Data e regjistrimit : 11/07/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

 	 BUZËQESHJE LIRIE - Nezir Myrta  Empty Re: BUZËQESHJE LIRIE - Nezir Myrta

Mesazh nga Shpejtim_De Sun Jul 11, 2010 1:44 pm

Nezir Myrta / MË FAL KËNGA IME








më fal -

se toka ime ma la tisk ne zemer
vrazhdesine e te huajve te pashpirte

malet e mia ma lane pjerrtesine e fjales
thikeperpjete ne theqafje te epikave rrufe

muranat e gureve te mij te çare nga krismat ne moh
ma lane heshtjen e tymosur hi te shprushur zanoresh

fushat e mia djerrina me shume se blerime buke bukolike
ma lane etjen e barit te verdhe shkrum i gjalle per 'i pike uje

lisat e mij homerik tym e mjegull n'zgabime te verbta
ma lane duhmen e rrufeve shkrum i vdekur ne udhebote

stuhite e huaja kurr pa pushua kthyer ne puhiza erevdekjesh
sapo ma forcuan vrullin e qendreses shkemb kosove ne kosa

gjaku im kryeneq pervlues nga perbuzjet dosa demografike
ma la dridhjen e dejve te brejtur duke kulluar epike ne gur

te huajt e mij - prore zemra e huaj luleve te ferrit te botes
ma lane pezmatimin frymemarres te kohes vare ne çengela
me shtate sy hapur

me fal - kenga ime
qe rrodhe shkrum shkume e gjak pergoje bulevardeve me bula te vdekshme
E,
kenga ime e gjalle!
Shpejtim_De
Shpejtim_De
Antar
Antar

Numri i postimeve : 40
PIKE : 52
Popullariteti Popullariteti : 0
Data e regjistrimit : 11/07/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

 	 BUZËQESHJE LIRIE - Nezir Myrta  Empty Re: BUZËQESHJE LIRIE - Nezir Myrta

Mesazh nga Shpejtim_De Sun Jul 11, 2010 1:44 pm

Nezir Myrta / MAJA E DASHURISË


Një det ndjenjash -
një ndjenje detra
nga një zemër e thjeshtë
me moton lakonike:

Njëherë u linde!
Njëherë dashuro!
Njëherë vdis!

Veti Shqiponje!
E Perëndishme!

Heret -

ndjehet dashuria
gjithmonë heret

vonë -

ndjehet ndamja
gjithmonë vonë!

Vdekja gjithmonë ndjehet vonë!

Në dyluftim -
Veç poezia e mbytë vdekjen

Ajo mbetet e pavdekshme!

Mos i digj gishtat në zemër të zjarrtë
Ruaje trupin ruaje Jetën

Jeta Madhështore
vlenë ma shumë se dashuria
sepse poeti tha: për dashuri japi jetën
e për atdhe edhe dashurinë!

Ruaje dashurinë ta japesh për Atdhe!
E bëre Atdhedashuri!

Nëse don të jetosh përgjithmonë

se shumëherë nuk dihet -
a është djalli pjellë e njeriut
apo njeriu pjellë e djallit!

Kujto se -
atdhedashuria

MAJA E DaSHURISË!
Shpejtim_De
Shpejtim_De
Antar
Antar

Numri i postimeve : 40
PIKE : 52
Popullariteti Popullariteti : 0
Data e regjistrimit : 11/07/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

 	 BUZËQESHJE LIRIE - Nezir Myrta  Empty Re: BUZËQESHJE LIRIE - Nezir Myrta

Mesazh nga Shpejtim_De Sun Jul 11, 2010 1:45 pm

Nezir Myrta / PROVË




Nuk janë bij të shqipes -
ata që s'e kanë zemrën shqiponje
vetiu humbin e treten në mashtrime të botës

nuk janë bij të shqipes -
ata mohojnë Gjuhën e Të Parëve

zogjëve të qyqes -
iu duken ma të bukura krrokamat e korbave

nuk janë bij të shqipes -
ata që harrojnë gjëmimin e gjoksit të Mic Sokolit
- mbi topa sulltanësh

ata që harrojnë Shkambin Jakup Ferri -
me Shtat plagë mbshtetë për shkamb

ata që harrojnë Oso Kuken -
nën të cilin ecën kuk bjeshkët e lame n'gjak

ata që harrojnë Elez Isufin -
Epikë e tymosur në shkambij në Radikë

ata që harrojnë Çerçiz Topullin -
O do t'ju skuqë ore me boje në kala

ata që harrojnë Isa Boletinin -
që nënshkroi Shqipninë me grykë koburje

ata që harrojnë Tahir Mehen -
tu i shpua kodrat e hekurta e korbat e çelikt

ata që nuk vizitojnë Shtatoren Adem Jashari e
Kullën e Ramush Haradinajt Flamur!

Nuk janë bij të shqipes -
ata që harrojnë vrullin e luftës çlirimtare
nga Janina e deri tek eshtrat tonë të dhëmbshëm në Tivar!

Nuk janë bij të shqipes -
ata që s'kanë zemër shqiponje!
Shpejtim_De
Shpejtim_De
Antar
Antar

Numri i postimeve : 40
PIKE : 52
Popullariteti Popullariteti : 0
Data e regjistrimit : 11/07/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

 	 BUZËQESHJE LIRIE - Nezir Myrta  Empty Re: BUZËQESHJE LIRIE - Nezir Myrta

Mesazh nga Shpejtim_De Sun Jul 11, 2010 1:45 pm

Nezir Myrta / QE ANTIKA




Një puhizë lehtë frynë prej tejantike,
gjithçka më spjegon se ç'po ndodh -
brënda gufon një dallgë tejoqeanike;
shpirtat e trazuar kahdo i ka lodhë.

Disa e shohin vetëm një degë lisin,
që rri në hava dhe lëkundet në erë -
trungun s'ia shohin as n'maje plisin,
germa kote thurin edhe disa tjerë.

Gërmon gjoja thellë për një fosile,
çohet edhe bie ushtar i dorëzuar -
shtërzon se gjoja ajo paska hile -
që s'po i bijka ashtit tij të dërmuar!

Ashti i fosiles është një asht vigani,
që në zemër kish një det plot tallaze -
e ka ndrydhur koha e ka shtyp tirani!
Antika i rri n'gjunj gjamë plot maraze.

Çohen disa që s'ia dijnë as nishanin,
gjoja po i ngjasin për qiell e për tokë -
gjak i përdhosur që ka shitë vatanin -
hartë shkrum humbë pashënjepadokë!

Dikush dënesë si i vdekuri prej urie,
shpurdh si kukuth zërin plot me vaje -
pa asnjë pikë gjaku të asaj historie,
don ta shohu lisin mu deri në maje!

Mu aty ku dielli ishte në flamur -
Emri i trojeve trime emër i përdhosur.
Ngrehu gjamë gjaku shpërthe n'gur!
Dallga n'damarë kurr s'mu ka sosur!

Mos shih anash kudo vajin e qyqeve,
Lekët janë shpëtimi Pellgasët Lelek -
Rrethimin e çanë shpërthimi Shqipeve!
Që lë me sy hapur monstrat plot lek.

Leka i Madh bëri botën sa një gogël,
Kush është gjak i tij le ta vërtetojë -
Aty ku vijoi fjalën dje Ai Leka i Vogël,
Aty vet illiriku dje e sot të dëshmojë!

Në hallka të këputura dridhet historia,
Shqipja prapa yjeve si rrin e mbuluar -
N'përbirim sferash që i dredh dinakëria.
Shqipja n'ballë luftrash prore ka valuar!
Shpejtim_De
Shpejtim_De
Antar
Antar

Numri i postimeve : 40
PIKE : 52
Popullariteti Popullariteti : 0
Data e regjistrimit : 11/07/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

 	 BUZËQESHJE LIRIE - Nezir Myrta  Empty Re: BUZËQESHJE LIRIE - Nezir Myrta

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi