Deqani-ks
Deqani-ks Forum - Welcome

Mire se vini ne Deqani-ks Forum, Ju ftojme qe te Regjistroheni, ne menyre qe te keni aksese ne te gjitha kategorit dhe temat, ne Deqani-ks Forum, mund te gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe te huaj, Muziken me te re 2011, DVD Humore shqip, Keshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet me te reja nga vendi dhe bota.

Join the forum, it's quick and easy

Deqani-ks
Deqani-ks Forum - Welcome

Mire se vini ne Deqani-ks Forum, Ju ftojme qe te Regjistroheni, ne menyre qe te keni aksese ne te gjitha kategorit dhe temat, ne Deqani-ks Forum, mund te gjeni Shoqeri, Filma Shqip dhe te huaj, Muziken me te re 2011, DVD Humore shqip, Keshilla Mjeksore, Diskutime, Video Klipe, Kuriozitete, dhe Lajmet me te reja nga vendi dhe bota.
Deqani-ks
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Akademia e Re e Voskopojës

Shko poshtë

 Akademia e Re e Voskopojës  Empty Akademia e Re e Voskopojës

Mesazh nga Shooter-Ks Thu Jul 15, 2010 8:27 am

Në Voskopojë nuk kishte banorë myslimane dhe autoriteti i qeverisë turke këtu nuk ndihej drejtpërdrejt. Si rrjedhim edhe kultura islame-orientale nuk ndikoi në jetën kulturale të këtij qyteti. Në vend të saj këtu ndikoi kultura greke. Por, megjithëse në rrethet intelelktuale të Voskopojës si gjuhë kulturale u përdor greqishtja, lëvizja e tyre mendore ishte jashtë ndikimit të Patrikanës së Stambollit. Ajo u zhvillua më tepër nën ndikimin e kulturës së iluminizmit evropian. Zhvillimi kultural i Voskopojës u përkrah nga Patrikana Ohrit që ishte në konflikt me Patrikanën e Stambollit. Konfliki ishte shkaktuar nga kontradiktat midis klerit vendës të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Bullgarisë me klerin grek të Fanarit, cili kishte fituar prej sulltanëve privilegjin që të shfrytëzonte popullsinë ortodokse të të gjithë perandorisë. E lidhur me ngushtë me popullsitë vendase, Patrikana e Ohrit përkrahte lëvizjet çlirimtare në këto krahina. Në juridiksionin e Patrikanës së Ohrit hynte edhe Voskopoja. Voskopojarët u bënë përkrahësit e Patrikanës. Bile një nga patrikët me energjikë të Ohrit, Joasafi qe vetë voskopojar.


Lulëzimi që njohu Voskopoja u dha mundësi voskopojarëve të shpenzonin fonde të mëdha të hollash për zhvillimin kultural të qytetit. Më 1710 në Voskopojë u ngrit një kolegj grek, të cilin e ndoqën jo vetëm nxënës voskopojarë por edhe nxënës nga krahinat e tjera të Shqipërisë dhe Maqedonisë. Më 1720 qyteti u pajis me një shtypëshkronjë, e cila u krijoi intelektualëve voskopojarë bazën materiale për një zhvillim të shpejtë kultural. Shtypshkronja e vazhdoi veprimtarinë për gati gjysmë shekulli. Më 1744, me përkrahjen e Joasafit, një grup intelektualësh themeluan në Vorkopojë “Akademinë e re”. Programi arësimor ishte si ai i shkollave të mesme të vendeve më të përparuara të Evropës. Pedagogët qenë personalitete të shquara në lëmin e arësimit, kulturës e shkencave. Rektori i parë i Akademisë qe Sevast Leontiadhi nga Kosturi, i lauruar nga universiteti i Padovës (Itali). Qysh nga viti 1748 rektor u bë Theodor Kavalioti nga Voskopoja, mendimtar i shquar i shek. XVIII. Shumica e pedagogëve qenë njëkohesisht edhe autorët e teksteve mësimare të Akademisë. Disa nga këto tekste u shtypën në shtypëshkronjën e Voskopojës. Fondet për mbajtjen e Akademisë u formuan nga ndihmat e voskopojarëve.


Nxënësit që kryenin studimet në “Akademinë e Re” shquheshin për kulturën e tyre të lartë. Ata mësonin greqishten e vjetër e të re, gramatikën, letërsinë, logjikën, filozofinë, fizikën, matematikën dhe pajiseshin me njohuri të tjera shkencore. Shumë nga nxënësit e Akademisë u dalluan si studimtarë në fushën arësimit, të kulturës e të shkencave. Mësimet në Akademinë e Voskopojës jepeshin greqisht.


Esnafet e qytetit caktonin nga fondet e tyre edhe bursat e studimit për në akademitë ose universitetet e vendeve të ndryshme të Evropës, si në Vjenë, Laipcig, Venedik, Budapest, Kluzh, me të cilët voskopojarët kishin lidhje të shpeshta.


Lulëzimi i Voskopojës ngjallte vazhdimisht lakminë e feudalëve fqinj. Për t’u mbrojtur nga sulmet e tyre plaçkitëse, qyteti mbante me shpemzimet e veta një farë milicie. Njëkohësish voskopojarët kishin kontraktuar me disa derebej të fuqishëm që t’u vinin në ndihmë me repartet e veta, sa herë që qyteti ndodhej në rrezik. Por edhe vetë derebejte ushqenin qëllime grabitqare kundrejt qytetit, prandaj voskopojarët u paguanin shpërblime të mëdha për të shpëtuar nga sulmet e plaçkitjet e tyre.


Lulëzimi i Voskopojës ndodhte në një kohë kur në vendet e ndryshme të Evropës perëndimore lëvizja iluministe, e filluar në shekujt e më parshëm arriti me enciklopedistët frëngj të shek. XVIII kulmin e vet. Lëvizja kulturale e iluministëve, e cila lojti një rol të madh përparimtar pasi përgatiti ideologjikisht revolucionet borgjeze, pati jehonë edhe në vendet më të prapambetura të Evropës, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Jehona e ideve iluministe u duk në radhët e inteligjencës së Shqipërise së jugut qysh në fillim të shek. XVIII. Por kjo inteligjencë e pakët, gjysmë-klerikale, e mbeshtetur mbi borgjezinë e vogël e të përçarë, e pazonja që të përmbyste me rrugë revolucianare rendin feudal-ushtarak dhe të dëbonte me luftë të armatosur sundimtarin e huaj, kërkonte zbutjen e regjimit feudal turk. Për këtë arësye ajo përvehtësoi në fushën e mendimit filozofik pikëpamjet dualiste të Dekartit, Malëbranshit, Lokut e sidomos pikëpamjet e filozofit gjerman Lajbnic, i cili me përpjekjet e tij për tu pajtuar besimin me arësyen dhe fenë me shkencën shprehte tendencën e pajtimit të borgjezisë me feudalizmin. Kjo lëvizje kulturale u kufizua vetëm në radhët e Intelegjencës ortodokse, prandaj këta ranë në kundërshtim të hapur jo vetëm me sundimtarët turq, por edhe me Patrikanën ekumenike të Stambollit si dhe me qëndrën kulturale me reaksionare të kishës ortodokse, Malin e Shenjtë, të cilët kërkonin të ruanin metafizikën dogmatike të kishës mesjetare.


Një nga përhapësit e parë të ideve iluministe në Shqipëri ishte Method Antrakiti, grek nga Janina. Ky u dëbua nga Janina pasi kritikonte filozofinë skolastike aristoteliane dhe predikonte pikëpamjet e Dekartit e të Malëbranshit. Antrakiti dha mësime për disa vjet edhe në Voskopojë (1720-1736). Një nga nxënësit e Antrakitit ishte Sevast Leontiadhi, rektor i parë i Akademisë së Voskopojës ku u shqua si propagandist i sistemit filozofik të Dekartit e të Malëbranshit. Një personalitet i shquar që luajti një rol të rëndësishëm në jetën kulturale të Shqipërisë, Greqisë dhe Rumanisë qe prelati i kishës ortodokse Evgjeni Vullgaris (1716-1806) nga arbëreshët e Greqisë. Përkrahës i flaktë i iuministëve bashkëkohëtarë dhe veçanërisht i pikëpamjeve të Volterit, Lajbnicit, Volfit, dhe Lokut, Vullgarisi i përhapi pikëpamjet e tyre me anën e leksioneve që mbante në kolegjin Marusian të Janinës. Leksionet e tij lojtën një rol jo të vogël në përhapjen e ideve çlirimtare në Ballkan, të frymës së reformave në kishë e të kulturës kombëtare. Evgjeni Vullgarisi është autor i shumë veprave me përmbajtje filozofike e historike. Ai redaktoi dhe plotësoi veprën e nxënësit të tij nga Voskopoja, Kostë Xhehanit, mbi Skëndërbeun, të shkruar, greqisht në bazë të veprës së M. Barletit dhe të botuar në Moskë më 1812.


Një nga nxënësit më të dalluar të Evgjeni Vullgarisit ishte voskopojari Theodor Kavalioti (1718-1789). Ky ndoqi me kujdes leksionet e mësuesit të vet në kolegjin Marusian të Janinës. Kur u kthye në Voskopojë u emërua më parë pedagag dhe më 1748 rektor i “Akademisë së Re”. Edhe Kavalioti u shqua si përkrahës i ideve iluministe. I pajisur me një kulturë të gjerë ai u bë udhëheqës i lëvizjës kulturale jo vetëm të Voskopojës, por edhe të krahinave të tjera të Shqipërisë se mesme e të jugut. Me leksionet mbi filozofinë, logjikën, matematikën, fizikën e filologjinë, Kavalioti ngjalli frymën e luftës për kulturën e re me baza racionaliste kundër skolastikës mesjetare. Ai shkruante: “Natyra njërëzore është e prirur drejt gabimit dhe konfuzionit, shpirti njerëzor arrin në saktësi si në fushën e spekulacioneve teorike ashtu edhe në praktikën e çdo dite vetëm në qoftë se ndihmohet nga studimi dhe përvehtësimi i diturisë”.


Pikëpamjet filozofike të Th. Kavaliotit kanë qenë shprehur në një varg veprash, nga të cilat ne sot njohim fare pak, pasi të tjerat janë zhdukur. Në veprën e tij “Logjika”. Kavalioti del si një dishepull i zjarrtë i pikëpamjeve filozofike të Lajbnicit. Dualizmin e Lajbnacit, orvatjen e tij për të pajtuar besimin me arsyen, fenë me shkencën, e gjejmë të pasqyruar edhe te Kavalioti. Ky shkruante: “vetëm nëpërmjet filozofisë, dualizmi unik i qenies njerëzore mund të arrijë në shkallën, e tij më të lartë të përsosmërisë, dualizëm ky që na jep mundësi të njohim realitetin e vërtetë dhe, përsa i përket praktikës së përditëshme, nuk na lejon të punojmë në mënyrë të parregulltë”. Por dualizmi i tij në thelb nuk ishte gjë tjetër veçse një idealizëm objektiv. Ai pranonte ekzistencën e fuqisë së mbinatyrëshme, ekzistencën e zotit. Kavalioti i porosiste nxënësit e tij të ruheshin nga rrymat e filozofisë materialiste, të cilat në kohën e tij, po i përhapnin me sukses materialistët frëng.


Rrethi i ndjekësve të iluministëve u shtua me nxënësit shqiptarë dhe vllehë të Shqipërisë që dolën nga bankat e Akademisë. Është pikërisht nga ky ambient që u bënë edhe orvatjet e para për t’i dhënë kishës ortodokse në Shqipëri një karakter shqiptar. Vetë Theodor Kavalioti ndërmori për këtë qëllim, sikurse thuhet, përkthimin e “Dhiatës së re” shqip. Kavalioti botoi me 1770 edhe një fjalor tri gjuhësh (greqisht-arumanisht-shqip).


Por lulëzimi i Voskopojës nuk vazhdoi shumë kohë. Më 1767 Patrikana e Stambollit e suprimoi Patrikanën e Ohrit që ishte bërë një rivale e saj në Ballkan. Dy vjet më vonë, më 1763, gjatë luftës ruso-turke, voskopojarët u treguan simpatizantë të Rusisë dhe përkahën himariotët, të cilët, po atë vit ngritën krye kundër sundimtarëve turq. Porta e Lartë gjeti rastin për të nxitur kundër Voskopojës derebejtë, të cilët, të pakënaqur nga vonesa e pagesës së shumave të kontraktuara me voskopojarët për mbrojten e qytetit, e sulmuan këtë dhe pas një rrethimi të shkurtër, e pushtuan, e plaçkitën dhe e dogjën. Nga kjo ekpeditë shumë lagje të qytetit u shkretuan, mjaft ndërtesa publike, me të edhe shtypshkronja, u rrënuan, me mijra banorë e detyruan të mërgonin. Edhe “Akademia e Re” pësoi dëme të mëdha. Voskopoja pësoi një shkatërrim të dytë e të tretë më 1772 dhe 1789. Veç këtyre, edhe Patrikana e Stambollit mori masa kundër Vokopojës në lëmin e kulturës. Pedagogët e mëparshëm u dëbuan. Ata u zëvendësuan nga pedagogë të lidhur pas Patrikanës, me qëllim që fryma e akademisë t’iu shërbente interesave helenizuese të saj. Në njërin nga tekstet e hartuara prej mjeshtër Dhanilit, përfaqësuesit të rrymës shoviniste greke-orthodokse, autori i ftonte nxënësit shqiptarë, vllehë dhe bullgarë të hiqnin dorë nga “gjuhët e tyre barbare”, dhe të mësonin vetëm greqisht. Pas këtyre ekspeditave, Voskopoja u rrudh në një fshat me 400-500 shtëpi dhe Akademia nuk e vazhdoi më veprimtarinë e vet.


Përpjekjet për shqipërimin e librave kishtare u vazhduan nga nxënësit ose bashkohësit e Kavaliotit. Në luftë kundër reaksionit grek-ortodoks të Patrikanës së Stambollit që e ndalonte përkthimin e librave kishtare në gjuhët kombëtare të popullsive ortodokse, disa klerikë shqiptarë jo vetëm i përkthyen shqip, por librat e përkthyera i shkruan në një alfabet të veçantë, të sajuar posaçërisht,për gjuhën shqipe që nuk i përngjiste alfabetit grek. Njëri nga këta ishte peshkopi i Durrësit, Grigor Durrsaku; ky perktheu në shqip “Dhjatën e re” (1761). Gjurmët e Grigor Durrsakut i ndoqi Dhaskal Todhëri (Theodor Haxhi Filipi); edhe ky përktheu fragmente nga “Dhjata a re” dhe pjesë të liturgjisë. Veç kësaj, Dhaskal Todhëri u përpoq të themelonte një shtypëshkronjë në Elbasan për të botuar vepra shqip. Por kur, më 1805, po kthehej nga Venediku së bashku me materialet e shtypëshkronjës, rrugës, për në Elbasan, u vra nga njerëz të panjohur, pa mundur kështu të ngrinte shtypëshkronjën shqipëtare.
Shooter-Ks
Shooter-Ks
Legjend
Legjend

Numri i postimeve : 5077
PIKE : 6303
Popullariteti Popullariteti : 41
Data e regjistrimit : 11/06/2010
Mosha : 28

http://www.deqani-ks.all-up.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

 Akademia e Re e Voskopojës  Empty Re: Akademia e Re e Voskopojës

Mesazh nga Shooter-Ks Thu Jul 15, 2010 8:27 am

Themeluesit e Voskopojës

Voskopoja duhet të jetë themeluar rreth vitit 1300, mbasi në shënimet e kodikut të saj, më 1630-ën, kur dhe ngrihet kisha e Shën Prodhonit, thuhet se qyteti kishte një moshë 250-300-vjeçare. Por ekzaktësisht, vitin e themelimit të Voskopojës na e jep konsulli austriak J. G. V. Han, i cili thot se i qyteti Voskopojës i përket vitit 1338 dhe është themeluar nga Petro i shtëpisë së madhe të Muzakajve.

Voskopoja ishte ndërtuar mbi shtatë kodra që përshkoheshin nga tre lumenj. Këto kushte të favorshme i dhanë shkas një zhvillimi ekonomik e shoqëror dhe arsimor të mbarë. Qyteti i lulëzuar i Voskopojës është shkatërruar në luftën e parë ruso-turke në vitin 1767-1774.

“Më 1767-ën, Patrikana Ekumenike e Stambollit, që kishte përkrahjen e Sulltanit, ia hoqi titullin asaj të Ohrit edhe e futi nën autoritetin e vet si një kryepeshkopatë. Pak më vonë, gjatë luftës ruso-turke, Voskopoja u pa ndoshta si përkrahëse e Rusisë, prandaj u sulmua disa herë, u plaçkit dhe u dogj. Kështu, ca nga ca, e humbi shkëlqimin e dikurshëm, duke rënë në nivelin e një fshati. Shumica e popullsisë së saj u largua”.

Prof. Sulë Dedej shkruan se, në mesjetë arsimi i zhvilluar në gjuhë të huaj u bë realitet në trojet e banuara nga shqiptarët, për arsye të kushteve historike të robërisë shumëshekullore. Pavarësisht nga përmbajtja dhe synimet, ai pohon një gjë të vërtetë, se nëpërmjet këtij lloj arsimimi populli ynë është mësuar për një kohë relativisht të gjatë dhe prej këtej kanë dalë atdhetarë, të cilët kanë punuar për çështje kombëtare.

Arsimi në gjuhën greke është më i hershmi që dokumentohet të jetë zhvilluar në trojet e banuara nga paraardhësit e shqiptarëve, sidomos kur greqishtja u imponua në Shqipëri si gjuhë zyrtare e shkruar. Duke trajtuar këtë problem, Ilo Mitkë Qafëzezi ka nënvizuar: “Doemos dhe kjo është aq e vjetër sa dhe kulturat e huaja, me të cilat Shqipëria u vesh, duke marrë mësime në skolinë peripatetike të pedagogut më të madh të botës, Aristotelit, më 350 Para Krishtit, përtej mëmëdheut, apo në Shqipëri në skoli të madhe elenishte të Apolonisë… më 40 para Krishtit, së bashku me Kajo Jul Qezar Oktavianin…”

Si qendër e rëndësishme e zhvillimit të arsimit në gjuhën greke ndër shqiptarë ka qenë Janina. Shkolla më e vjetër greqishte e atij qyteti që njihet e dokumentuar është shkolla e manastirit të Spanjot, në ishullin e Janinës, e ngritur në vitin 1206 prej themeluesit të despotit të Epirit, Mihali I, Parë Engjëlli.

Pukevili, duke folur për qytetin e Janinës, ndër të tjera, ka shkruar se në gjendjen e prapambetjes së madhe ku ndodhej Greqia, Janina mund të krenohej se kishte kultivuar në heshtje dije bashkëkohore, duke nënvizuar se një kabinet fizike, disa sfera, harta, disa instrumenta kimike, një bibliotekë me 1500 vëllime, që gjendeshin në shkollën e Janinës së asaj kohe, mjaftonin për t’i nisur nxënësit drejt njohjes së shkencës. Shkolla greke ndeshim edhe në qytete të tjera, si: më 1728-ën në Korçë, më 1741-shin në Vlorë, më 1736-ën në Elbasan, 1860 në Qestorat, në Berat etj. Shkollat me alfabet grek e arritën nivelin më të lartë kulturor-pedagogjik në Voskopojë.

Lidhjet e tregtarëve voskopojarë për shitblerje mallrash shtriheshin përveçse tregut të brendshëm edhe në Venedik, Trieste, Vjenë, Budapest, Poloni e deri në Gjermani e gjetkë. Sipas Llambridhit, shkolla e Voskopojës është ngritur aty nga gjysma e dytë e shek. XVII prej tregtarëve vopskopojarë nga Venediku e Austria dhe prej rrufetërve të Voskopojës. Rektori i parë i akademisë ka qenë Sevast Leontiadhi nga Kosturi, i cili ishte lauruar në Universitetin e Padovës në Itali. Me fjalorin trigjuhësh shqip-greqisht-vllahisht, i cili mori emrin “Leksiku Ballkanik”, Kavalioti është i pari nismëtar në shkollën e Voskopojës, ku shumica e mësuesve ishin shqiptarë. Brenda mureve të saj, pa ndryshuar karakterin helenistik të Akademisë së Re, drejtor i së cilës ai ishte në vitin 1750, e përdori dorëshkrimin e fjalorit të vet shumë vjet para se të botonte, që nxënësit shqiptarë nga Voskopoja, Korça etj., ta mësonin më me lehtësi greqishten.

Pater Kurilla, në veprën e tij “Voskopoja dhe Akademia” na jep 26 emra akademikësh të Voskopojës, që ishin “konceptonjës të idhesë së punimit të shqipes”.

Ky fakt bën të mendosh se fenomeni i futjes së shqipes në shkollën e Voskopojës flet për ekzistencën e një persioni nga poshtëë të elementëve atdhetarë, përfaqësues të një populli, i cili fliste gjuhën shqipe në jetën e përditshme dhe dëshironte që gjuha e vet të mësohej nga fëmijët e tij në shkollë.

Shkolla e Voskopojës ishte me nivel të lartë arsimor e pedagogjik për kohën. Zhvillimi dhe lulëzimi i arsimit në Voskopojë nuk ishte një fenomen i rastit dhe i shkëputur. Ai ishte rezultat i zhvillimit ekonomik, shoqëror e politik dhe i asaj klime të përshtatshme që krijonte vetë populli ynë mësimdashës në këtë krahinë, i cili nuk kursente për arsimin e fëmijëve as asprat, groshët dhe lirat, por as arat, vreshtat dhe dyqanet, pavarësisht se ky arsim, për kushtet e robërisë së gjatë, u zhvillua në gjuhën greke dhe jo për qëllime kombëtare, rrjedhojë kjo e politikës arsimore të pushtetit otoman që vinte fenë mbi kombësinë.

Në vitin 1710 u ngrit një shtypshkronjë dhe një bibliotekë. Biblioteka e Akademisë së re të Voskopojës ishte e pasur me dorëshkrime e shtypshkrime të dhuruara nga voskopojarët ose me botime filozofike, teologjike, didaskalike që u botuan nga shtypshkronjat e asaj qyteze. Bibloteka që numëronte atëherë mbi 700 volume librash të rrallë, përveç dorëshkrimeve, u dogj gjatë Luftës së Parë Botërore nga ushtritë ndërluftuese. Sistemi pedagogjik praktik i Voskopojës u përhap edhe në Korçë, Vithkuq, Elbasan, Gjirokastër, Berat, Janinë e gjetkë, duke vazhduar deri rreth viteve 1802-1822. Theodhor Kavalioti që punoi në vitin 1743 si mësues në shkollën e Voskopojës, më 1746-ën emërohet dejtor i shkollës dhe e ngriti atë në rangun e një shkolle të mesme.
Shooter-Ks
Shooter-Ks
Legjend
Legjend

Numri i postimeve : 5077
PIKE : 6303
Popullariteti Popullariteti : 41
Data e regjistrimit : 11/06/2010
Mosha : 28

http://www.deqani-ks.all-up.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

 Akademia e Re e Voskopojës  Empty Re: Akademia e Re e Voskopojës

Mesazh nga Shooter-Ks Thu Jul 15, 2010 8:28 am

Atdhetarët shqipëtarë të Voskopojës
Kostandin Berati, hartues i fjalorit shqip

Atdhetari Kostë (Kostandin) Berati, ishte një nga personalitetet më të shquar të kombit shqiptar, pedagog dhe humanist, i cili veproi në kohën e sundimit të egër otoman, që kapërceu pengesat e pedagogjisë mesjetare dhe dha një ndihmesë të madhe për përgatitjen e lëvizjes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Sot për sot, me sa dimë, ne nuk kemi burime të tjera për jetën e Kostandin Beratit, përveç veprës së pabotuar të Ilo Mitkë Qafëzezit, e cila ka nevojë të interpretohet. Në këtë rast, kemi të bëjmë me një monografi, që ndodhet në Arkivin e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, me titullin: “Punonjësit e gjuhës shqipe në qindvjetin XVIII, Korçë. Ilo Mitkë Qafëzezi: Protopapa Theodhor Nastas Kavalioti, Shkollarku i “Akademisë së Re” të Voskopojës, 1718-1719, Korçë 1951”. Për shekullin XVIII shqiptar, tradita pedagogjike dhe didaktike, e krijuar nga Kostë Berati dhe Theodhor Kavalioti, shënon një kthesë të madhe, një revolucion të vërtetë arsimor, një shpikje novatore, siç është kalimi nëpër shkolla nga mësimi i imponuar i greqishtes në mësimin e gjuhës amëtare paralel dhe shkencore-pedagogjike të këtyre dy korifejve, që i paraprinë dhe i hapën rrugë epokës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Dorëshkrimi i Kosta Beratit dëshmon se ai ka qenë njeri me kulturë të gjerë, njohës i dokumenteve më të hershme të shqipes, madje ka qenë edhe përkthyes dhe poet. Prof. Bedri Dedja, në studimin për Kosta Beratin shkruan se, “nuk mund të ishte ndryshe në këtë trevë aq pjellore poetike të Beratit të shek. XVIII.”

Ilo M. Qafëzezi në monografinë e tij kumton se, “ndër shkruajtësit e gjuhës shqipe të qindvitit XVIII, Theodhor Kavalioti… si shokë bashkëkohëtarë, të kohësisë kur shkruan ky (1760-1770) ka në radhë të parë Kostë Ieremonaku Beratin,” Pra, si bashkëpunëtor i parë përmendet Kostë Berati dhe pastaj vijnë emrat e Jul Varibovës, Muhamed Çamit të Konispolit, Theodhor Haxhifilipit të Elbasanit, Dhanil Haxhiut etj. Kostë Berati, ky koleg dhe bashkëpunëtor i parë i Theodhor Kavaliotit, në mos tërësisht, së paku pjesërisht meriton vlerësimet që i janë dhënë rektorit të Akademisë së Voskopojës nga personalitete të shquara të kohës…

Në monografinë e Ilo Mitko Qafëzezit kushtuar Theodhor Kavaliotit, vepra e Kosta Beratit quhet e begatë. Shkrimi dhe alfabeti i Kosta Beratit është shkruar tre vjet përpara se të shkruhej abetarja e Akademisë së Re të Voskopojës. Në veprën e Kosta Beratit gjenden vargjet e para në shqipe të toskërishtes letrare. Alfabeti i Kostandin Beratit ka patur 37 shkronja. Në alfabetin e vet, meqë greqishtja nuk ka ë, nj, sh, zh, etj., shkronjën “ë” e jep në tri lloje: si “i” latine e pëmbysur, si “alfa” me theks nën të, shkronjën “një” e jep me “ni” etj.

Po sipas prof. Bedri Dedja, shkrimi dhe alfabeti i Kosta Beratit ka patur ndikim jo të vogël tek ish-nxënësit e Akademisë së Re të Voskopojës. Në krahasimet e bëra për gjuhën tonë të shek. XVIII, është thënë se, “shkrimet shqipe të Dhaskal Theodor Elbasanit… si vlerë gjuhe kanë shoqe atë të Kostë Beratit.”

Duke gjykuar se sa bukur janë shkruar vargjet e Kostë Beratit në toskërisht, nuk duhet të harrojmë se ato i përkasin kohës midis viteve 1764-1768. Pra, ai ishte edhe një poet i qytetit famëmadh poetik të Beratit. Për këtë arsye, është interesant dhe një përfundim shumë i pjekur i Ilo Mitkë Qafëzezit, i cili ka thënë se, “si vlerë gjuhësore shqipe, në përgjithësi, puna e Kostës është më e madhe dhe më sipërore nga puna shqipe e gjithë bashkëkohësve të tij.”

Bashkëkohës i Kavaliotit, Kosta Berati, ka qenë bashkëpunëtor më i afërt i tij. Në këtë kohë Kosta Berati hapi një shkollë në qyetin e tij në lagjen “Kala” të Beratit. Ilo Mitko Qafëzezi pohon se fjalori i Kostë Beratit është më i pari nga tre kirilistët tanë që pati si pasardhës alfabetin e Dhaskal Todrit dhe Naum Veqilarxhit.

Studiuesit e letërsisë dhe arsimit shqiptar e kanë vlerësuar Kostandin Beratin si një nga pararendësit më të mëdhenj të Rilindjës Kombëtare Shqiptare. Ai ka qenë një pedagog shumë i shquar i trevës së Beratit dhe gjithë Shqipërisë, me një kulturë shumë përparimtare për shekullin e 18 dhe në kushtet e pushtimit të rëndë otoman, një personalitet me formim europian, një didakt i shkëlqyer, autor i një ose më shumë teksteve shkollore me vlera të padiskutueshme patriotike. Kosta Berati ishte një mësues i palodhur që jetën e tij ua kushoi brezave të rinj të shqiptarëve, një bibliofil, i cili ruajti në bibliotekën e Kalasë së Beratit libra dhe dorëshkrime shumë të çmuara, kodikë etj. Ai qe një pasardhës i gjuhës së njëhsuar letrare, ashtu si edhe Gjon Buzuku, që e nuhati të ardhmen e së folmes toskërishte; qe poet dhe përkthyes i talentuar dhe pse jo edhe një ndër shkrimtarët më të shquar të hershëm shqiptarë për fëmijë.

Dhaskal Todri (MËSUESI TODRI)

Kanë kaluar rreth tre shekuj nga koha kur Dhaskal Tod’hri i parë jepte mësim dhe aq më tepër kishte dëshirë që nxënësve të tij t’iu mësonte shqipen duke formuar edhe alfabetin e tij me 52 gërma. Tashmë Elbasani ka një Universitet të konsoliduar me dhjetëra shkolla dhe një gjimnaz ndër më të mirët në vend me një traditë rreth 50- vjeçare që ruan emrin e tij. Lagjja Kala me rrugicat dhe shtëpitë karakteristike e përcjellin atë dashuri për kulturën dhe identitetin e këtij qyteti që i shërbeu mjaft përhapjes së arsimit shqip brenda dhe jashtë kufijve të vendit. E vetmja familje që ka mbiemrin Tod’hri jeton buzë murit të gurtë të Kalasë në fund të rrugicave me kalldrëm, që si një labirint gjarpërojnë mes shtëpive me porta të drunjta dhe historive shekullore të këtij qyteti. Vilson Tod’hri, një nga pasardhësit e mësuesit, tregon se nga të parët ka mësuar se prejardhja e kësaj familjeje është nga fshati Shijon. Ai ka bërë një jetë si të gjithë mësuesit elbasanas që shëtitën vendin për të dhënë mësim.Pothuajse e gjithë familja e tij është marrë me arsimin dhe me krenari mund të thotë se kanë shërbyer për 246 vjet në arsim duke e justifikuar më së miri emrin e Dhaskal Tod'hrit.

Vrasja

Vilsoni tregon se nga ato që kanë mësuar në familje stërgjyshi i tij është vrarë me urdhër të patriakanës greke për shkak të përpjekjeve të tij për ndërtimin e shtypshkronjës për të shtypur libra shqip. “Flitet se u vra ndërsa transportonte shtypshkronjën për në Elbasan në rrethinat e Manastirit, në Dhiavat të Resnjës. Vrasja mendohet të jetë akt i kishës greke e cila i kishte vënë nga pas agjentët e saj. Kisha nuk lejonte shkrimin e gjuhëve jo greke sidomos të shqipes. Por nuk mbaroi me kaq. Stërgjyshi u përndoq edhe pas vdekjes. Me urdhër të Patriakanës në vitin 1827, në kohën e murtajës, iu dogjën të gjitha dorëshkrimet. Ne dimë që ekzistojnë disa dorëshkrime të pakta të stërgjyshit të cilat aktualisht ndodhen në muze dhe arkiva. Megjithëse ka mbetur shumë pak nga ajo që ka shkruar dhe studiuar, emri i tij nderohet dhe respektohet në Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë”,- rrëfen Vilson Tod’hri.

Vlerësime për Dhaskalin e Elbasanit

Prof. Kujtim Bevapi shprehet se Theodhor Haxhifilipi (Dhaskal Tod’hri) jetoi në kohën e formimit të dy pashallëqeve të mëdha të pashallëkut të Bushatllinjve dhe të Ali Pashë Tepelenës. Ai ishte pjesëtar aktiv në qëndresën e ortodoksëve shqiptarë kundër kishës greke. Për herë të parë emrin e tij e takojmë në një shkrim në Greqisht në Kodikun e Argjendarëve më 1750. Më 1751 ai nënshkruan në greqisht emrin e tij Theodhor në një Kodik të Kishës Shën Maria në lagjen Kala. Më 1779 merr pjesë në një mbledhje në Voskopojë për pajtimin e peshkopëve të Durrësit, Gorës dhe Mokrës, të cilët ishin në mosmarrëveshje mes tyre. Ka një dokument pajtimi i nënshkruar nga ai por jo si klerik. Figura e tij paraqet interes të veçantë në historinë e gjuhës dhe letërsisë shqipe jo vetëm si lërues por si pararendës i Rilindjes Kombëtare. Ai shkroi me alfabetin e tij, e cili ishte i përbërë nga 52 shkronja. Shkroi në elbasanishten e kohës, krijoitraditë të shkrimit të shqipes me alfabetin e tij i njohur që nga fundi i shek XVIII deri në fillim të shek. XX. Dhaskali vazhdoi traditën e Papa Totasit, priftit shpatarak. duke u përpjekur të fusë shqipen në kishë dhe në shkollë. Sipas albanologut J.G. Von Hahn, Tod’hri kishte përkthyer në shqip Dhiatën si dhe shkrime fetare si “Meshën e Shën Jon Gojë artit”.

Vilson Tod’hri, tregon si e kujtojnë stërgjyshin

Nuk kanë ndryshuar shumë rrugët karakteristike të kalasë ku ka jetuar Dhaskal Tod’hri, bir i një familje patriotike. Kalldrëmet e traditës fshehin historinë, por jo vetëm të luftës për mbijetesë. Pjesë e kësaj, një qëllim i rëndësishëm i familjeve elbasanase ishte dhe është arsimi. Ende në këto familje vazhdon të jetë hyjnor profesioni i mësuesit megjithëse sot nuk cënohet më të mësuarit shqip.
Teksa kalon rrugët plot kthesa që tregojnë një labirint të thjeshtë syri të shkon në një prej shtëpive, me portën e vjetër karakteristike, me muret nga gurë e tjegulla, që nuk mbahet mend kur është ndërtuar.
Ndërsa, mikëpritja dhe respekti është një pasazh i pandryshueshëm, në çdo familje, tek pinjollët e Dhaskal Tod’hrit zbulon se dashamirësia është virtyt i parë.
Vilson Tod’hri nipi i Dhaskalit historik na fron në strehën e tij, duke shfaqur sidomos dëshirën për të treguar kujtimet e tij, të familjes dhe të gjithë fisit Tod’hri në rurgën e arismit.

Kush është prejardhja e profesioni juaj?

Prejardhja jonë është nga fshati Shijon, tregon Vilson Tod’hri. Kështu e mbaj mend shtëpinë, që kur kam lindur. Kam lindur më 30 mars të vitit 1928. Filloren e kreva në Elbasan. Kam qenë në një klasë me Ylli Popën. Më pas vazhdova Normalen. Në vitin 1948 më caktuan arsimtar në Delvinë. Dy vjet më vonë më transferuan në Sarandë dhe pastaj u ktheva në Elbasan. Kam punuar mbi 25 vjet si arsimtar. Prej rreth 10 vjetësh kam qenë mësues muzike në shkollën ‘Onufri’. Dobësia ime është violina. Më pas punova me grupet artistike në Elbasan, Gramsh, Cërrik, me grupet artistike të shkollave, reparteve ushtarake, ndërmarjeve etj. Fola mjaft për veten sepse i gjithë fisi ynë është lidhur me arsimin.

Ju thatë se familja juaj njihet si familje arsimtarësh. A mund të n’a tregosh lidhjet e kësaj familje me arsimin?

Vetëm trungu ynë familjar ka shërbyer 246 vjet në arsim. Veçoj mamanë time Agni Tod’hri (Papajani). Mamaja ime lindi në vitin 1894. Ajo mbeti jetime që kur ishte 6 vjeç, por me ndihmën e patriotëve Aqif Pasha dhe Dom Nikoll Kacorri, u nis me studime në Graz të Austrisë. Kreu 16 vjet studime në Austri dhe në vitin 1916 u kthye në Shqipëri. Me vete solli literaturë dhe programe mësimore. Të gjithë jetën ja kushtoi arsimit. Edhe vëllai im Zefi dhe 5 motrat Nikolina, Vilhelmina, Vilsoni, Filloreta dhe Eleonora ishin arsimtarë. Kështu ndodhi. Gjyshi mblodhi një e nga një shkronjat, ndërsa ne u mësuam shkrim e këndim të tjerëve.

Mbiemri juaj Tod’hri, është i lidhur me emrin e Dhaskal Tod’hrit. Si kujtoni ju stërgjyshin tuaj (Theodhor Haxhifilipin)?

Sipas të dhënave stërgjyshi ynë Theodhor Haxhifilipi (Dhaskal Tod’hri), ka lindur rreth vitit 1730 dhe vdiq në moshën 75 vjeçare pra në vitin 1805. Stërgjyshi vinte nga një familje zanatçinjsh, që ushtronin aktivitet brenda dhe përreth
lagjes ‘Kala’. Populli e njeh me emrin Dhaskal Tod’hri, pse shërbeu si mësues. Mësimet e para i kreu në shkollën greke në Elbasan dhe më pas ndoqi akademinë e Voskopojës. Pas përfundimit të Akademisë u bë mësues në shkollën greke të Elbasanit. Ka qenë njeri me emër në komunitetin ortodoks të Elbasanit. Gjatë viteve 1751-1801 ka mbajtur Kodikun e Shën Mërisë të kishës së Kalasë. Më pas ai shkoi në Evropë për të derdhur shkronjat shqipe, që të krijonte një shtypshkronjë në shqip. Shtypshkronjën do ta ngrinte në Elbasan, pasi në këtë qytet kishte shumë tregëtarë që shkruanin me alfabetin e tij. Në atë kohë Shën Gjoni ishte qendër e shkrimit të shqipes.

Me aq sa dini, mund të na tregoni, se cili ishte fundi i stërgjyshit tuaj?

Ne nuk e dimë me saktësi ku është vrarë stërgjyshi ynë. Sipas thënieve flitet se u vra, ndërsa transportonte shtypshkronjën për në Elbasan në rrethinat e Manastirit, në Dhiavat të Resnjës. Vrasja mendohet të jetë akt i kishës greke, e cila i kishte vënë nga pas agjentët e saj. Kisha nuk lejonte shkrimin e gjuhëve jo greke sidomos të shqipes. Por nuk mbaroi me kaq. Stërgjyshi u përndoq edhe pas vdekjes. Me urdhër të Patriakanës në vitin 1827 në kohën e murtajës ju dogjën të gjitha dorëshkrimet. Ne dimë që ekzistojnë disa dorëshkrime të pakta të stërgjyshit, të cilat aktualisht ndodhen në muze dhe arkiva. Megjithëse ka mbetur shumë pak nga ajo që ka shkuar dhe studiuar, emri itij nderohet dhe respektohet në Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë.
__________________
Shooter-Ks
Shooter-Ks
Legjend
Legjend

Numri i postimeve : 5077
PIKE : 6303
Popullariteti Popullariteti : 41
Data e regjistrimit : 11/06/2010
Mosha : 28

http://www.deqani-ks.all-up.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

 Akademia e Re e Voskopojës  Empty Re: Akademia e Re e Voskopojës

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi