Xixëllonja, Gili!
Faqja 1 e 1
Xixëllonja, Gili!
Këngëtarja e adhuruar nga të gjitha moshat, Fevzije Konushevci, e njohur me nofkën artistike, Gili, tashmë ka para vetes një gamë të sukseseve, por ende është vitale në art, prandaj synimet e saja janë reale dhe të realizueshme.
Që nga kënga e saj, Xixëllonja, ajo dëshmoi vitalitet, lëvizje të bukura në skenë, pasion dhe premtoi suksese të njëpasnjëshme. Sukseset janë aty, por atyre nuk iu vihet pikë. Gili është në top formë dhe presim edhe më shumë nga ajo në fushën e muzikës, duke mbetur një xixëllonjë e këngës sonë të bukur!
Këngëtarja e shkolluar, me Fakultetin e Filologjik të mbaruar, dega e gjuhës dhe letërsisë shqipe, Gili, gjithmonë ka arritur ta ruajë nivelin e dëshiruar, ta avancojë artin e të kënduarit dhe të jetë modeste deri në lakmi. Ajo, duke qenë bashkëshorte e kompozitorit të njohur, Ilir Berani, ka dëshmuar se edhe bashkëshortët-artistë mund të bashkëpunojnë suksesshëm dhe të ruajnë raportet e ngrohta bashkëshortore.
Gili, e konsideroni favor, apo hendikep që e keni bashkëshort kompozitorin, me të cilin më së shumti bashkëpunoni?
Unë me Ilirin jam njohur shumë para se muzika të bëhet profesioni ynë. Miqësia jonë daton nga vitet e fëmijërisë. Shumë gjëra në jetën tonë kanë ndodhur që na kanë bërë para së gjithash shokë të mirë, prandaj sot konsideroj favor bashkëpunimin me të. Madje, do të thosha se, është esencë e punës sime si këngëtare, sepse pa të nuk do ta merrja këtë
udhë.
A është i rreptë Iliri dhe a është kritikuesi i parë i juaji?
Me mua është më i rreptë se me bashkëpunëtorët e tjerë, sepse ndjehet i përgjegjshëm për karrierën time. Ai ishte ideatori i stilit tim muzikor dhe vendimmarrës se çka dhe në cilin moment duhet prezantuar publikut tim. Tani pas gjithë këtyre viteve më duhet të pranoj se mbi 90% te parashikimeve i kishte të sakta. Ai është njohës i mirë i mentalitetit,
po edhe vizionar për çka duhet t’ia pranoj se e ka avancuar mënyrën se si duhet ndërtuar një karrierë muzikore në Kosovë.
Tash, keni edhe dy djem, a kanë filluar edhe ata të përzihen në stilin tënd, dua të them të bëhen vlerësues të artit tënd?
Ata nuk e kanë as më të voglën ndjenjë se unë edhe Iliri kemi një numër të madh adhuruesish. Për punën tonë nuk flitet shumë në shtëpi. Por, ata ballafaqohen me realitetin dhe shpesh m’i përcjellin komplimentet ose kritikat që i dëgjojnë nga të tjerët.
Nga këngët e mia i pëlqejnë baladat, si Prishtina, Të fala nga Tirana, Prapëseprapë, Kur u ndamë, Me kast, etj.
A kanë talent fëmijët për muzikë?
Janë shumë të talentuar, por totalisht të painteresuar që të merren me të. Të dytë janë ithtarë të sportit.
Të kthehemi pak prapa. Kur keni filluar të këndoni, kush iu ka zbuluar, cila ka qenë kënga e parë?
Njohuritë interpretative i kam marrë në korin e shkollës fillore Emin Duraku, me të cilin kemi fituar çmime të para në konkurrencën shumë të madhe të ish-Jugosllavisë. Pastaj, si studente me Ilirin e Aiden formuam trion Rona që ishte një grup shumë i suksesshëm i pop muzikës në vitet e 80-ta. Si soliste kam filluar me 1993 me albumin e parë, Djali nga Kosova, me insistimin e Ilirit, Shekit dhe Shkumbinit nga Labia.
Me cilët kompozitor bashkëpunoni, kush ua shkruan tekstet dhe diçka për sukseset nëpër festivale?
Gjithmonë me Ilir Beranin. Të dytë i adhurojmë festivalet dhe nuk hezitojmë as sot të marrim pjesë sa herë që kemi këngë të mirë. Prej Akordeve e deri sot, pothuajse
gjithmonë isha e shpërblyer me çmime të para të jurisë apo publikut. Edhe atëherë kur nuk mora çmim, unë e kisha hitin absolut te festivalit. Pra, isha viktimë e politikës redaktuese, sepse sot pas kaq vitesh, kam të drejtë të pyes se si ka mundësi që nuk mori çmim kënga Xixëllonja apo Prishtina?! Këtë po e them që t’i trimëroj gjeneratat e reja të mos dëshpërohen nëse nuk vlerësohen. Koha është gjykuese e suksesit. Kënga Prishtina nuk ka humbur në vlerë pse nuk fitoi. Por, edhe këngët e tjera që u shpërblyen, u popullarizuan vetëm pse ishin të mira. Të tilla janë, Ditët e fundit, Prapëseprapë, Për mua qan ajo që më ka linde, Mysafire nderi apo Kur u ndamë.
Në festivale ndihem vetja.
Sa këngë keni në repertorin tuaj. Na bëhet se ju nuk nxitoni, sepse, mendoni arti nuk e duron nxitimin?
Kam mjaft këngë, por te edituara me kujdes që të mos e mërzis publikun.
Keni shumë këngë për dashurinë, sigurisht përmes tyre shpalosni brengat e një brezi të tërë?
Numrin më të madh të adhurueseve e kam fituar pikërisht me këto këngë. Dua që kënga
ime të jetë strehë e të dashuruarve, të lumturve dhe të pikëlluarve.
Fakti se jeni e shkolluar dhe atë për gjuhën, bën që ju të mos keni shkarje gjuhësore në tekstet tuaja. A qëndron kjo?
Me nxitë që kohë pas kohe të përdor gegërishten, gjithmonë për ta treguar thesarin e pasur të fjalëve.
Kah po shkon muzika sot, në biznes apo në kiç?
Muzika është biznes prej se ekziston civilizimi, që nga oborret mbretërore. Kiçi, gjithashtu e ka përcjellë shumë artin kohë më parë. Bota njeh shumë krijimtari, por mbeten vetëm ato pak që me të vërtetë kanë vlera. Unë po synoj që në këtë rrugëtim të lë ndonjë këngë të mirë që do ta kenë për zemër ata që do të vijnë pas meje.
Sa i kushtoni rëndësi veshjes dhe qëndrimit elegant në skenë, na kujtoheni me fustane të gjatë dhe të kuq?
Ëndrra ime si vogëlushe ishte kjo elegancë pak përrallore me të cilën jam prezantuar me vite. Ndoshta, ajo vogëlushe ende fle në mua dhe nuk pranon të rritet. Sot, gëzohem kur shoh shumë këngëtare të reja që janë rritur me këngët e mia dhe me kanë imituar qysh të vogla. Mendoj se kam ndikuar mirë në kultivimin e shijes së tyre, sepse sot ato duken shumë të bukura dhe kanë një feminitet jo agresiv.
Keni kënduar edhe në duet, është më vështirë, apo më lehtë?
Mundësia që ta prezantosh këngën nëpër turne është minimale, prandaj ndjehem pak e cunguar. Duetin e fundit, Kur u ndamë, me Enis Potokun, e kam reklamuar më tepër në Kosovë, Maqedoni e diasporë.
Duket se kohët e fundit, disi jeni tërhequr pak, nuk bëni turravrap?
Tani jam kthyer me albumin e ri, FOL PËR MUA, prej të cilit menjëherë janë pëlqyer këngët “Misat e diasporës”, dhe “Ditën e hane”. Këtë verë isha mjaft aktive dhe përsëri jam pranë publikut.
Ndoshta ishte një qetësi para furtunës, apo jo?
Më duket se po.
Keni edhe një sharmë të veçantë në skenë. Si arrini ta mbani ?
Nuk e kam të menduar. Jam me fat që kam marr “Vizën” e publikut qysh në fillim dhe, sot, jam komode në krijimtarinë time. Nuk kam dilema. E dua publikun tim dhe këtë dashuri e tregoj vetëm me këngë të mira.
Na bëhet se nuk vuani nga komplekset, por jeni origjinale, reale?
Nuk kam asnjë prezantim apo editim që mund të jetë “Déjà vu “.Mendohem gjatë para se të prezantohem që të sjellë diçka të re, por gjithmonë të jem ajo Gili, që e duan adhuruesit e mi. Unë synoj vetëm t’i mbaj me fanatizëm adhuruesit e këngës sime dhe nuk dua asgjë më shumë.
Si e kaloni kohën, duket se nuk keni kohë për të humbur, kurrë nuk iu mjafton, nuk iu tepron?
Edhe kur pushoj punoj.
Njiheni edhe si femër me pasione të shumta, si leximi, filmi, teatri…
Tani pasioni im janë fëmijët dhe familja. Çdo libër apo film, do ta ndërpres për edhe më të voglin muhabet me ta.
Ku i punoni klipet e fundit, kush e zgjedh veshjen tuaj dhe a harxhoni shumë për një klip?
Kam fituar nga muzika ndaj edhe dua të investoj. Investimi im është ekuivalent me respektin që kam për publikun. Unë jam në minus edhe me albumin e fundit, por nuk e kam filozofinë e kafenesë se “nuk ka muzikë, nëse nuk ka para”.
Muzikë do të ketë sa të frymoj. Unë edhe nuk kam besuar kurrë se do të fitoj nga muzika. Dashuria është lidhja mes meje, publikut dhe këngës. E, dashuria, është e përjetshme.
Tashmë në skenën tonë janë ngjitur shumë emra, iu duket se është kjo begati, apo një tendencë për kuantitet të pakontrolluar?
Momentalisht është kuantitet i pakontrolluar, por mund të jetë një mundësi e mirë për daljen e një talenti. Së fundi, nuk mund ta dimë sa është i mirë një këngëtar nëse nuk e krahasojmë.
Jeni një artiste që duket se keni një jetë të qetë, por njëkohësisht edhe të vrullshme, sidomos në skenë?
Sot, as nuk i qaj dështimet, as nuk i festoj sukseset. Nuk kam kohë, sepse qysh nesër krejt nis prej fillimit. Pra, mundem vetëm të përmirësohem. Fëmijët tanë nuk e dinë as një sekondë të lodhjes apo brengës sime e të Ilirit. Kështu e ruajmë qetësinë e jetës familjare.
Gili, ekstravagante në skenë, por shumë e thjeshtë në jetë, do të thoshim një tip interesant. jeni e shoqëruar dhe shumë miqësore, madje tek ju duket se nuk ka xhelozi, e madje as energji negative, dukuri kjo shumë e përhapur tek ne?
Unë jam artistikisht e përmbushur. Fati im ishte i mirë sepse kam performuar në skenat më madhështore të festivaleve. Unë kam kënduar në kohën kur mbusheshin stadiumet e qyteteve. Njerëzit udhëtonin me kilometra për t’i fotografuar fëmijët e tyre me mua.
Kënga ka qenë rezistencë në Kosovë dhe çmallje në diasporë. Kishte mision. Në një kohë të tillë, unë kam fituar adhurues që më janë besnik edhe sot. Shumë fëmijë janë rritur e shumë të rinj janë martuar. Ata më dëgjojnë e më votojnë ende. Kjo më bën artiste në shpirt, prandaj nuk e kam as më të voglën xhelozi./Telegrafi/
Linddt- WebMaster
- Numri i postimeve : 6458
PIKE : 10002
Popullariteti : 141
Data e regjistrimit : 11/06/2010
Similar topics
» Gili
» Gili - Vet ke thane
» GILI ME ALBUMË TË RI “FOL PËR MUA”
» Gili për pushime në Zvicër
» GILI: Puthja e parë... 17 vjeçe
» Gili - Vet ke thane
» GILI ME ALBUMË TË RI “FOL PËR MUA”
» Gili për pushime në Zvicër
» GILI: Puthja e parë... 17 vjeçe
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi