Mungesa e producentëve “ligështon” kualitetin e filmit
Faqja 1 e 1
Mungesa e producentëve “ligështon” kualitetin e filmit
Kur ndodhet para fillimit të një projekti të ri filmik, regjisorit Isë Qosja i duhet të merret edhe me një punë tjetër, të cilën nuk e ka edhe fort në qejf, atë të producentit.
Një “mal” me dokumente dhe qindra thirrje e takime me aktorë e skenarist e deri tek gjetja e kamerave është lista e punëve që Qosja i bën përpos përkujdesjes për “mjeshtri” si regjisor.
Mungesa e producentëve i nxjerr probleme edhe regjisorit Agim Sopi.
Ai thotë se puna që do të duhej ta bënte producenti i merr kohë, mund dhe energji e cila do të duhej të shfrytëzohej në regjinë e filmit. Dy artistë, të cilët njihen si producentë në vend, Shkumbin Istrefi dhe Arben Zharku, thonë se të bërit “prodhim” filmash në Kosovë është një proces në të cilin zor se mund të mbijetosh.
Të gjithë këta thonë se është e nevojshme që Kosova të nisë të prodhojë producentë të cilët do të ngrenë cilësinë e filmit në Kosovë. E dekani i Fakultetit të Arteve, Adem Rusinovci, thotë se e ka në plan që në këtë fakultet të krijohet një degë që do të prodhonte producentë. Ndonëse ankohet në staf, ai premton se vitin e ardhshëm disa studentë mund ta kenë rastin të mësojnë se si bëhet puna e një producenti.
Edhe regjisor, edhe producent
Për regjisorin Sopi, bërja e punës së producentit atij i kushton me lënien anash të asaj që ai e ka quajtur “regji perfekte” e që do të prodhonte një film të kualitetit të lartë artistik.
“Producenti është strumbullar i një filmi. Andaj mua më duhet ta marrë përsipër edhe këtë punë. Normalisht kjo më merr shumë energji, të cilën do të mund ta shpenzoja në regji të filmit”, ka thënë Sopi. Sipas tij, në botë ekzistojnë dy lloj producentësh. “Janë producentët që merren me gjetjen e financave për film dhe ata që realizojnë një film.
Në Kosovë nuk ka të tillë. Prandaj, këtu i vetmi producent është shteti nga i cili marrim mjete”, ka thënë ai, duke shtuar se tregu i varfër filmik në vend ka bërë që të mos ketë interesim për punën e producentit. “Edhe po të ketë dikush të holla, ai normalisht që nuk i investon në një film i cili do të jepet në një treg që nuk mbledhë më shumë se dy-tre mijë shikues”, ka thënë Sopi, i cili është duke realizuar filmin e tij të ri “Agnus Dei”. “Për këtë film për shembull unë qysh tani nuk i kam 100 mijë euro. Dhe nuk e kam idenë se ku t’i gjej ato. Po të ishte producenti, ai do të merrej me këtë punë”, ka thënë ai.
Për regjisorin Qosja, mungesa e producentëve në filmat e tij është dekoncentrues në punën që ai e bën si regjisor. “Në një situatë normale unë do të duhej të brengosesha vetëm për regjinë e filmit. Mirëpo, në Kosovë, unë si regjisor duhet të bëj edhe producentin. Kjo nuk më lënë të koncentrohem në punën time”, ka thënë ai. Sipas tij, një regjisori në vend i duhet të merret edhe me dokumente, gjetjen e skenarëve, parave e gjithçka tjetër. “Këto punë do të duhej t’i kryente një producent”, ka thënë ai, duke shtuar se vendi ka nevojë për prodhim të producentëve, të cilët kishin me rritë edhe kualitetin e një filmi.
Producenti i tubon të gjithë ekipin e një filmi dhe prodhon një projekt i cili i sjellë të hyra edhe atij. Por kjo në Kosovë është pak e zorshme”, ka thënë Qosja, sipas të cilit vendi do të duhej të prodhonte këso njerëz.
Adem Rusinovci, dekan i Fakultetit të Arteve në Prishtinë ka thënë se është i njoftuar për mungesën e një kuadri të tillë. “Fakulteti ynë nuk prodhon producentë.
Nuk ka një drejtim ose departament të tillë. Mirëpo, në kuadër të reformës që po bëhet në fakultetin tonë ne po mendojmë që në vitin e ardhshëm të hapim një degë në të cilën studentët do të përgatiteshin për punën e producentit”, ka thënë Rusinovci, sipas të cilit problem të madh paraqet edhe mungesa e kuadrit. “Ne jemi duke shqyrtuar mundësitë tonë si humane ashtu edhe financiare. Në kuptimin e asaj se çka do të mësonin ata dhe kush do t’i mësonte ata”, ka thënë Rusinovci.
Shkumbin Istrefi, i cili njihet si njëri prej artistëve që ka marrë mbi barrën e tij punën e producentit ka thënë që të ushtruarit e këtij profesioni në Kosovë është shumë i vështirë.
Ty të duhet t’i sigurosh mjetet financiare, sepse buxhetet e shtetit janë shumë të vogla, nuk ekziston ndonjë stimulim në taksa për bizneset të cilat investojnë në art, pastaj është e pamundur të kërkohen fonde jashtë shtetit, pasi që Kosova nuk është anëtare e organizatave si Euroimage”, ka thënë Istrefi, duke shtuar se mënyra se si ai ka filluar të merret me këtë punë nuk është vendim i momentit.
Më shumë është nevojë e artistëve që dikush të marrë përgjegjësitë organizative, financiare, dhe kjo vjen disi gradualisht, dhe nëse ke sukses, atëherë automatikisht identifikohesh si producent. Kjo ndodh kështu te ne, ndërsa në botën ku industria e “showbiznesit” është e zhvilluar, situata është ndryshe”, ka thënë ai. Përpos Istrefit, artisti tjetër që njihet si producent në Kosovë, Arben Zharku, drejtor i festivalit “SkenaUP”, thotë se hyrja e tij në “ujërat” e prodhimit të filmave ka qenë e rastësishme.
Për Zharkun të jesh producent në Kosovë është një punë e cila të sjell shumë “kokëçarje“. Puna e producentit është që të mbledhë në një projekt regjisorë, skenaristë dhe aktorë të mirë. Kjo kërkon para shumë. E në Kosovë nuk të shpaguhet në asnjë mënyrë”, ka thënë Zharku, sipas të cilit situatë e njëjtë është në tërë Ballkanin.
Në vendet ku kinematografia është e zhvilluar regjisorët vrapojnë pas producentëve. Këtu edhe nëse merr para për film nga shteti ai të jep afat që të dërgosh raporte brenda gjashtë muajsh. Jashtë vendit një producentit i nevojiten më shumë se një vit për mbledhur paratë dhe po aq kohë për të gjetur ekipin”, ka thënë Zharku, i cili në karrierën e tij si producentë ka punuar në vetëm një film të metrazhit të gjatë./koha/
Linddt- WebMaster
- Numri i postimeve : 6458
PIKE : 10002
Popullariteti : 141
Data e regjistrimit : 11/06/2010
Similar topics
» Smith-ët akuzohen për dështim të filmit
» Mungesa e qëllimeve dhe interesave tek studentët
» Angelina Jolie merr leje për xhirimin e filmit në Sarajevë
» Mungesa e qëllimeve dhe interesave tek studentët
» Angelina Jolie merr leje për xhirimin e filmit në Sarajevë
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi